Kosova

Kosovë: Ministrja Kodheli në konferencën ndërkombëtare të sigurisë “Germia Hill 2016”

aMinistrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë “Germia Hill”,  në Prishtinë. Kjo konferencë organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Institutin Aspen, dhe në të marrin pjesë rreth 200 personalitete nga mbi 30 vende të botës. Fjalën e hapjes së kësaj konference me temë “Siguria e Evropës Juglindore nën dritën e sfidave më të gjera botërore”, e mbajti kryeministri i Republikës së Kosovës z. Isa Mustafa. Ministrja Kodheli bashkë me zëvendëskryeministrin njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, ishte pjesë e panelit hapës me temë “Sfidat botërore dhe roli i NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor.” Pjesë e panelit hapës ishin edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, z.Duško Marković, ai i Maqedonisë, z.Fatmir Besimi si dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, z.László Szabó. Konferenca “Germia Hill” zhvillon punimet në datat 2 dhe 3 shkurt në Prishtinë dhe është ngjarja më e rëndësishme vjetore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovë. Risia këtë vit është se në konferencë marrin pjesë edhe shtete të cilat nuk e kanë njohur ende Pavarësinë e Kosovës, por edhe prania e mediave më të rëndësishme botërore si “The Economist”, “The Times” dhe “The New York Times”.

“Dy shqetësimet më të mëdha që vinë sot, tha në fjalën e saj ministrja Kodheli, janë shqetësime madhore me të cilat ne do duhet të përballemi gjatë. Radikalizmi islamik vazhdon të rritet dhe të jetë shqetësim për të gjithë, ashtu si dhe ndikimi rus në kufi me Ukrainën dhe e gjithë situata në Lindjen e Mesme shpeshherë e paqartë për diplomacinë perëndimore apo diplomacinë botërore në përgjithësi, i ngatërron pak letrat. E bën situatën, mjedisin botëror më të ngarkuar dhe kjo ndoshta na i vonon pak hapat, vendeve si ne në Ballkanin Perëndimor që i kanë të qarta idetë. Unë do të kërkoja dhe do të vazhdoj të kërkoj nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së ashtu si dhe të Aleancës, më shumë vëmendje ndaj vendeve që realisht e dëshirojnë këtë gjë, që kanë akoma besim pavarësisht se rruga është bërë e lodhshme edhe shpeshherë lodhja nuk sjell entuziazëm, nuk sjell optimizëm. Por në fund të ditës besoj se shoqëritë tona, ekonomitë tona, demokracia jonë e re dhe e brishtë janë një bazë gjithsesi e mirë për një të ardhme të mirë, thjesht dhe vetëm se kjo qoshe e botës është një qoshe shumë e mirë për të rritur fëmijët. Ka lashtësi, ka histori brenda, ka diell, ka det, ka mal, ka borë, ka njerëz entuziastë ka talente, dhe mbi të gjitha di të mësojë nga gabimet e të tjerëve dhe nga gabimet e veta”.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button