Kosova

Kosovë: Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021-2026

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026, me të cilën synohet, siç u tha, fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, i drejtësisë penale, qasjes në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se miratimi i kësaj strategjie është në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Këtë e kemi mendoj problemin më të madh në Republikën e Kosovës, pra humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe në këtë drejtim secili veprim në kuadër të ministrisë së Drejtësisë, por edhe qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë kthimi besimit të qytetarëve përmes veprimeve që i kemi ndërmarrë”, tha ajo.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se besimi i qytetarëve në drejtësi aktualisht është në shkallë shumë të ultë, rreth 15 për qind.

Rrjedhimisht, tha ai, miratimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë qeveria deri tash.

“Është një strategji në të cilën është punuar jashtëzakonisht shumë në katër – pesë vjetët e fundit, janë investuar me dhjetëra miliona euro nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo strategji për herë të parë pas viteve ‘99 e bën një vlerësim të qartë të gjendjes aktuale në sistemin e drejtësisë në Kosovë në të gjitha fushat”, tha ai.

Nëse kjo strategji zbatohet me vullnet politik e bashkërendim ndërinstitucional, thotë zoti Miftaraj, përmirësimi i sundimit të ligjit në Kosovë do të jetë i prekshëm në pesë vitet e ardhshme.

“Të lihen anash interesat personale. Nëse vazhdojmë me të vjetrën dhe kjo strategji zbatohet vetëm në pikat ku nuk preket interesi i gjyqtarëve, prokurorëve, policisë, agjencisë kundër korrupsion apo i politikës, kjo do të mbetet vetëm një strategji në letër e cila pas disa viteve mund të diskutohet se përse nuk është zbatuar”, tha zoti Miftaraj.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike e Politike i tha Zërit të Amerikës se ndër pikat më të rëndësishme të strategjisë janë procesi i vetingut dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Ajo për të cilën ne ndër vite kemi bërë thirrje është që procesi i vetingut të jetë i thellë, në kuptimin e asaj që i njëjti duhet të adresojë problemet shumëvjeçare të sektorit, duke u thelluar në verifikimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë. Verifikimi të përfshijë disa aspekte të cilat edhe me integritetin e këtyre pjesëtarëve e njëkohësisht vetëm ata që e kalojnë këtë verifikim të mbesin pjesë e sistemit dhe të rinjtë që vijnë nesër të futen pasi që e kalojnë një verifikim të tillë”, tha ajo.

Zonja Hoxha thotë se zbatimi i kësaj strategjie dhe në përgjithësi përmirësimi i sundimit të ligjit, luan rol thelbësor në rritjen e mirëqenies së qytetarëve si dhe në proceset integruese të Kosovës.

“Prandaj sistemi i drejtësisë në momentin që përballet me një reformë siç është vetingu, nëse kjo reformë adreson problemet kryesore që është mungesa e profesionalizmit dhe prania e korrupsionit e nepotizmit në sistem, atëherë vetëm në atë formë mund të themi që kemi pasur përmirësim në këtë sektor, përmirësim të dukshëm e të matshëm, i cili do të mund të reflektonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha zonja Hoxha.

Që nga përfundimi i luftës, sistemi i drejtësisë në vend ka mbetur një nga fushat më të kritikuara për shkak të problemeve me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është edhe ndër kriteret kryesore për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button