Ekonomia

Kostot e fshehura që paguajnë sot familjet shqiptare për ujin e pijshëm

Pavarësisht se sot Tirana paguan 45 lek/m3 për furnizimin me ujë të pijshëm, kostoja reale e qytetarëve është shumëfish më e lartë, çka ndikon ndjeshëm në buxhetin e një familjeje. Kjo për disa arsye: Mungesa e investimeve të rëndësishme dhe afatgjatë në 27 vjet, ka bërë që, ndonëse pagesa për faturën e ujit për familjet nuk i kalon 1 mijë lek të reja, qytetarët të paguajnë disa herë më shumë, duke qenë se janë të detyruar ta blejnë ujin e pijshëm dhe atë për gatim në markete, të blejnë një pompë (personale ose pallati), një depozitë, të paguajnë koston shtesë të energjisë të pompës dhe mirëmbajtjen e depozitave.

 Por, sa paguan realisht një familje në kryeqytet për ujin e pijshëm?

 Mesatarja që harxhon një familje me 4 anëtarë në kryeqytet është 12 m3 ujë në muaj. Me çmimin aktual, kostoja është 540 lekë pa TVSH ose 648 lekë me TVSH. Por, duke qenë se Tirana sot nuk furnizohet me ujë 24 orë në ditë, një familje gjen zgjidhje alternative:

 – Pompë uji, e cila mesatarisht kushton 10 000 lekë të reja + mirëmbajtje

 – Depozitë uji, e cila mesatarisht kushton 15 000 lekë të reja + mirëmbajtje

 – Energjia e harxhuar për pompën 500 lekë të reja/muaj

 – Ujë i pijshëm dhe gatim në markete, 1 bidon 5 litër kushton 100 lekë të reja ose 3000 l/muaj

 Pra, përveç një kostoje fillestare prej 25.000 lek për pompën dhe depozitën, pa përfshirë mirëmbajtjen e tyre, çdo muaj një familje do të paguajë 4148 lekë të rinj për faturën e ujit, ujin e blerë në market dhe energjinë e harxhuar nga pompa.

  Edhe raporti i Entit Rregullator të Ujit të depozituar në Kuvend për vitin 2016, në faqen 25 të tij (https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/02/RAPORTI-ERU.pdf), konfirmohen kostot e mësipërme shtesë për qytetarët. Në raport thuhet se “referuar të dhënave nga INSTAT dhe studimit ‘Strategjia e Financimit të Sektorit të Ujësjellës Kanalizimeve, 2016’, kostoja e ujit të pijshëm për familjet është më e madhe, pasi në të nuk merren parasysh edhe kosto të tjera shtesë që konsumatorët janë të detyruar të paguajnë për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si blerja e depozitave dhe pompave individuale, shpenzimet e energjisë elektrike nga pompat, blerja e ujit për pirje me shishe etj, që i rrisin realisht këto kosto me mbi 150-250% të tarifës së aplikuar”.

  Pra, nëse në pamje të parë duket se çmimi aktual është më i lirë për familjet e varfra dhe ato mesatare, kostoja reale është disa herë më e lartë si pasojë e këtyre shpenzimeve shtesë.

  Sipas raportit të ERRU-së, zgjidhja është rritja e cilësisë së ujit, duke furnizuar qytetin me 24 orë ujë të pijshëm, pasi në këtë mënyrë do të uleshin kostot shtesë. Këtë parashikon edhe Plani i Biznesit i Bashkisë së Tiranës dhe UKT, i hartuar me ndihmën e USAID-it, pra investime të mëdha që sjellin ujë të pijshëm 24 orë në çezmat e qytetarëve brenda 5 viteve.

Që do të thotë se çmimi i propozuar nga Bashkia e Tiranës, 65 lek / m3, me investimin e 170 milionë eurove në 5 vjet, do të bëjë që kostoja reale që paguajnë sot qytetarët e Tiranës të ulet disa herë.  Pra nga 4148 lek të rinj që paguan aktualisht një familje në Tiranë, pas 5 vitesh kur të furnizohet 24 orë ujë në ditë do të paguajë 936 lek ose katër herë më pak.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button