Opinion

Kostumi i Obamës dhe “Ferrari” i laçianit

Mediat amerikane, analistët dhe kolumnistët e atjeshëm, politikanët e lartë, kryesisht krerët republikanë, këto ditë po merren tejet seriozisht me kostumin bezhë të Obamës, kostum, sipas tyre, demodé, që paskësh veshur Presidenti, teksa doli e kumtoi para amerikanëve për “mungesën e strategjisë” lidhur me Sirinë, ISIS-in dhe ngjarjet dramatike në Lindjen e Mesme.

obama3Nga Kiço Blushi

 

“Do ta ketë nxjerrë nga garderoba e të atit”, qesëndisi dikush syresh. “Si ka mundësi që Presidenti i vendit më të pasur e më të fuqishëm të botës të vishet kaq keq?”… “Mirë që nuk ka shije, po si nuk paskësh në Shtëpinë e Bardhë kuratorë e stilistë që të kujdesen për veshjen dhe paraqitjen e jashtme të Presidentit amerikan?”… etj., etj.
Këto ishin disa prej pyetjeve që shqetësuan e merakosën opinionin publik, sigurisht jo vetëm në SHBA, po edhe më gjerë. Më pak u morën me deklarimin e habitshëm e shqetësonjës të Presidentit, thënë afërsisht kështu: “Ne ende nuk kemi një strategji për Sirinë dhe zhvillimet tragjike në të”… sesa me kostumin e tij. Pesha e merakut kaloi te veshja e tij “jashtë mode” dhe jo te fakti tronditës i mungesës së strategjisë kundër ISIS… Kjo do të thotë se edhe në shoqërinë amerikane, njëlloj si te popujt e “botës së tretë”, paskësh më shumë rëndësi dukja, ana e jashtme, d.m.th. kostumi, se ajo çka thotë e çka bën njeriu që e mban veshur atë… Kjo vëmendje e përqendruar vleka jo vetëm për artistët e Hollivudit dhe topmodelet e pasarelave, por edhe për Presidentin e SHBA-ve, gjë që të habit!
Pikërisht në këto ditë të hallosura kësisoj për ISIS-in dhe xhihadistët e ca më shumë për kostumin “skandaloz” të Obamës, në një cep tjetër të botës, në Tiranë, në kryeqytetin e vendit më të varfër të Evropës, u kap dhe u ndalua nga policia një djalosh njëzetvjeçar, laçian, që grahte, për shtatë palë qejfe, “Ferrarin” e tij luksoz, në gjendje të dehur… Ky laçian kishte bërë të kundërtën e Obamës: ishte nisur me “Ferrari” nga Laçi deri në Tiranë, nga Evropa deri në Shqipëri, për të dëshmuar majën e suksesit të jetës së tij. Gjithë djersën, mundin, sakrificat, përpjekjet në emigracion (për trajtesën nuk ka rëndësi edhe po ta ketë vjedhur, apo blerë duke shitur tokën e të parëve të tij), mjaft që të kishte/të dëshmonte/të udhëtonte edhe ai me një “Ferrari” e të krekosej, kapardisej, i dehur nga suksesi, nëpër rrugët pa rrugë, me gropa e lopë, me pluhur dhe lapidare të të vrarëve, të Shqipërisë.
Lexuesi i vëmendshëm mund të më kundërshtojë që në krye të herës e të më shpotitë “Hane Shan, hane Bagdad!” Ose, ca më shqip: E ç’lidhje ka kostumi i Obamës me “Ferrarin” e një laçiani të dehur e riosh që vjen e shet mend në Tiranë? A nuk do të ishte më e arsyeshme sikur të bëje krahasimin me veshjen luksoze, aristokratike, të krerëve tanë, dhe të krahasoje përkujdesjen, sqimën, nivelin tejet të lartë, – si për t’i bërë karshillëk popullit fukara!, – të modës së fundit që udhëheqësit tanë, të të gjitha ngjyrave, kanë për kostumet firmato, kravatat, krehjen, d.m.th. për lukun, – po të përdor këtë fjalë aktuale, – sa herë që ata shfaqen në publik për të qarë e për të ndarë hallet e kombit me ne?
Sigurisht që nuk do të më kishte shkuar kurrën e kurrës mendja deri aty sa të krahasoja të pakrahasueshmet: një laçian anonim, nga periferia e periferisë së botës, me Presidentin e SHBA-ve, po të mos kishte ndodhur një debat i zjarrtë me një fqinjin tim lidhur me këtë “paralele pa lidhje”. Si të gjithë shqiptarët, ku janë e nuk janë, edhe ne, teksa gdhihemi e ngrysemi nën të njëjtin diell e pallat, i përtypim e i ripërtypim lajmet, si buajt kashtën, nga mëngjesi në mbrëmje, kur kuvendojmë e pimë kafe apo raki nëpër zijafete e dasma… Dihet që në Ballkan, po qe fjala për politikë, zor të gjesh dy njerëz që të bien dakord për të njëjtën çështje. Kurse në Shqipëri krahasimet nuk çalojnë, por kundërveprojnë; nuk ndihmojnë për t’iu afruar së vërtetës, po, në të kundërt, e përjashtojnë njëri-tjetrin, deri në vetasgjësim, si dy armiq të përbetuar.
Kështu më ndodhi edhe me fqinjin tim. I mbetur pa punë (në fillimet e demokracisë ky burrë i urtë më pat thënë me sinqeritet: “Edhe një qen po të vërë Berisha për kandidat në lagjen tonë, unë atij do t’ia jap votën!”…), ai u entuziazmua samëska kur dëgjoi lajmin skup të laçianit të arrestuar, ndaj m’u hodh në sulm me këtë argument bindës dhe kokëfortë: “E shikon, – më tha, sa i ngazëllyer, aq dhe i ndërkryer, – sa përpara ka shkuar Shqipëria, derisa edhe një laçian i panjohur, rrezik edhe i pashkollë, – me që ra fjala, a ke qenë ndonjëherë në Laç?, – paska në pronësi një “Ferrari”?
Që një laçian ka një “Ferrari”, kjo nuk do të thotë që Laçi dhe Shqipëria janë bërë Amerikë, i thashë. Kam qenë në Laç dhe e di që të blesh e të ecësh nëpër rrugët e katundeve e qytezave të Shqipërisë me një “Ferrari” është njëlloj si të veshësh një arushë me tanga e pastaj ta çosh në disko… I fola edhe për gjendjen e papunësisë, për varfërinë e skajshme të këtyre zonave, por ai ma preu shkurt e më tha: “Pa dyshim që Shqipëria ka jo pak të varfër… Po pse, si kujton ti, në Amerikë nuk ka varfanjakë?… Por ama tani edhe ne kemi shumë pasanikë. Dhe jo dosido. Kjo na jep shpresë. Kjo ka rëndësi. Se edhe Sorosi e ka thënë: Mos më pyesni për milionin e parë!… E pra, rëndësi ka fakti që tani nuk jemi të gjithë të barabartë në fukarallëk, si dikur. Janë këta, biznesmenët, kapitalistët e rinj, pasunarët e demokracisë që do të na sjellin përparimin e begatinë… Se, ku rrjedh, do të pikojë, apo jo?… E ç’rëndësi ka si i kanë vënë paratë e kamjen? Mjaft që vendi të ecë përpara, të zhvillohet!… Se, e di ti ç’do të thotë në Evropë, n’daç edhe në Amerikë, të kesh një “Ferrari”? Të jesh, në mos një Berluskon, një i ngjashëm me të!”
Nuk ishte e nevojshme të pohoja se edhe unë e kuptoja ç’do të thotë të kesh një “Ferrari” në Evropë… Po të mos e dija kaq pakogjë, do të dilte sikur isha hem i paditur, hem i paparë, hem i panxënë. Por nëse një “Ferrari” në Evropë tregon gjendjen reale të pasurisë së atij që e posedon, në Laç e, më gjerë, kudo në Shqipëri, përfshi dhe Tiranën, djali mund të ketë një “Ferrari”, makar edhe një “Lamborxhini”, paçka se prindërit e tij jetojnë në katund, në mjerim, rrezik edhe pa vënë bukë në gojë para se të flenë…. Kjo nuk është thjesht shprehje e vanitetit të trashëguar ballkanik, e dëshirës primitive të çdo provinciali, që i kapërcen kufijtë normalë të snobizmit dhe të padijes, për t’u dukur e për t’u shtirur para të tjerëve me çdo kusht e me çdo çmim sikur je ai që në të vërtetë nuk je e nuk bëhesh dot…
Kjo është mënyra më e keqe e të menduarit dhe e të jetuarit për të shkuar, si vete dhe më pas edhe si shoqëri, po qe se ky moral e mënyrë jetese bëhet mbizotërues, drejt degradimit, rrënimit, drejt një fundi të pashmangshëm, në mos tragjik, dramatik e konfliktual. Si nuk e kanë kuptuar këta të vobektë gjatë një çerek shekulli në liri, se investimi për “Ferrarin” apo për një kullë, nuk ta përmirëson jetën, përkundrazi, të bën më skllav nga ç’ke qenë pa të? Konsumizmi është gracka më e rrezikshme po qe se nuk mbështetesh te djersa, te puna, te meritat, te aftësitë vetjake. Provat për këtë jepen përditë në Shqipëri.
Nuk ishte hera e parë që dëgjoja kësi justifikimesh e broçkullash për këta “burra të zotë” që kanë vënë pasurira kësisoj, ca me drogë, ca me prostitucion, ca me krime… Falë tyre shoqëria ka për të ecur përpara: me këtë mendje këta “teoricienë” e justifikonin edhe Lazaratin. Lazarati pra, po dhe Dukagjini së fundi, do të na bënin, sipas tyre, të kishim mirëqenie e begati, aq sa të shëtisnim një ditë edhe ne me një “Ferrari” nëpër botë… Këta “kompetentë të demokracisë liberale” nuk e kuptojnë se as Laçi nuk e rrit standardin me një apo me disa “Ferrari” e, ashtu si Siria dhe Iraku, nuk do të dilnin nga luftërat civile dhe as kërcënimet dhe krimet me therje njerëzish të xhihadistëve nuk do të ndërpriteshin po qe se Obama do të kishte veshur një tjetër kostum, më të modës, “më të kuruar”.
Në fund të fundit, ishte “Ferrari” ai që e dehu dhe e futi në burg laçianin, jo policia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button