Politika

Kouchner për Ramën: Ka tejkaluar pritshmëritë për negociatat

Ndërsa ministrat e BE-së javën e kaluar u përballën me çështjet më të vështira që rrjedhin nga problemi i migrantëve, Brexit dhe rritja e populizmit, ata gjithashtu arritën të gjejnë një mënyrë për të shmangur ndërprerjen e procesit të integrimit të qëndrueshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Bernard Kouchner, ish-ministri francez për Çështjet e Jashtme dhe Europiane, njëkohësisht edhe ish-kreu i UNMIK-ut në Kosovë për EURACTIV.com.

Çështja në fjalë ishte nëse dhe kur do të hapeshin bisedimet zyrtare me Maqedoninë dhe Shqipërinë, pavarësisht shqetësimeve të Francës, Holandës dhe Danimarkës.

Ministrat ranë dakord të fillojnë bisedimet pas një viti, por, në mënyrë kritike, ata autorizuan një fillim të menjëhershëm për shqyrtimin e tyre para negociatave.

Rezultati përfundimtar nuk duhet të shtyhet asesi, gjithashtu edhe perspektiva e qartë për këto dy vende dhe dy të tjerat për të proceduar së bashku drejt bisedimeve të anëtarësimit, mundësisht deri në vitin 2025, ka deklaruar presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por, është edhe një lajm i shkëlqyer për një Europë të federalizuar, shumë pranë plotësimit të integrimit të territoreve kufitare jugore të kontinentit.

Gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pesë prej tyre nga ish-Jugosllavia plus Shqipëria e duan atë. Nga këto, Serbia dhe Mali i Zi janë tashmë në procesin e negociatave. Komisioni Europian beson se Shqipëria dhe Maqedonia janë gati t’u bashkohen.

Pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së janë dakord, por vendimi kërkon një votë unanime. Përfundimisht, u vendos që përgatitjet për negociatat të fillojnë menjëherë dhe bisedimet zyrtare do të fillojnë brenda një viti.

Le të jemi të qartë rreth asaj se çfarë nënkupton kjo. Të negociosh hyrjen në BE nuk është njësoj si të diskutosh çmimin e një qilimi. Negocimi me BE është një proces ku unioni vendos standarde dhe aplikantët për anëtarësim duhet t’i plotësojnë ato.

Në fakt, Shqipëria dhe Maqedonia kanë negociuar dhe kanë arritur standarde prej vitesh – kanë reformuar, kanë rishikuar dhe kanë ristrukturuar institucionet e tyre qeveritare. Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim në vitin 2005 dhe Shqipëria në vitin 2014. Në të dyja rastet, u vendosën kushtet që të dyja vendet duhej të plotësonin përpara fillimit zyrtar të negociatave. Kjo është gjendja ku jemi aktualisht.

Në rastin e Maqedonisë, çështja më kryesore ka qenë ajo që lidhej me emrin e saj, që qëlloi të ishte edhe emri i një province të rëndësishme të Greqisë fqinje. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme për të dyja vendet, me shumë shekuj histori dhe identiteti kulturor pas tyre.

Pak ditë më parë, me negociatat zyrtare për në BE që shërbyen si nxitje, qeveria maqedonase ra dakord për një kompromis. Ajo do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, me miratimin e parlamentit dhe më pas me zhvillimin e një referendumi.

Në Shqipëri, Komisioni Europian caktoi pesë kushte përpara se negociatat zyrtare të fillojnë. Komisioni tani ka thënë se të gjitha këto kushte janë përmbushur dhe ka qenë veçanërisht e ndërgjegjshme për përpjekjet e jashtëzakonshme të Tiranës për të pastruar sistemin e saj të drejtësisë.

Kjo ka qenë një luftë e jashtëzakonshme kundër interesave të caktuara të cilat disa herë pothuajse, kanë paralizuar procesin politik dhe ligjërimin civil. Modeli shqiptar për reformën e drejtësisë tani është rekomanduar për zbatim në të gjithë rajonin dhe ndoshta edhe në mesin e disa anëtarëve ekzistues të BE-së.

Në shumë aspekte, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka tejkaluar pritshmëritë dhe madje ka arritur disa standarde që do të vendosen në negociatat formale. Shqiptarët, përfshirë shqiptarët etnikë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, janë ndër më entuziastët rreth anëtarësimit në BE.

I nxitur nga kjo mbështetje në vend, Rama ka qenë në gjendje të ketë një ndikim në zhvillimet e të gjithë rajonit.

Është e drejtë të thuhet se pa inkurajimin e tij, aktivizmin e bazës që përfundimisht çoi në zgjedhjen e një qeverie reformiste në Maqedoni mund të mos kishte ndodhur dhe marrëveshja me Greqinë do të vazhdonte të ishte ende e pamundur.

Në mënyrë të ngjashme, roli i Ramës pas skenave për vazhdimin e bisedimeve të Serbisë me Kosovën ka qenë vendimtar.

Me fjalë të tjera, Rama ka bërë atë që Bashkimi Europian, i preokupuar diku tjetër me Brexit, krizën e migrantëve dhe rritjen e reaksionarëve populistë, duke qënë shumë i shpërqëndruar për t’u marrë me Ballkanin Perëndimor, ka përgatitur rajonin si një të tërë për të hyrë në BE, në thelb duke përfunduar Unionin e pothuajse të gjithë Europës.

Tani çështja nuk është nëse Shqipëria dhe Maqedonia mund të prodhojnë reforma më të thella që BE-ja i konsideron si të nevojshme. Qeveritë e të dy vendeve kanë thënë se ndryshimet janë nxitur nga interesi kombëtar dhe jo thjesht për të kënaqur Brukselin.

Pyetja e vërtetë është nëse BE-ja mund të vendosë mjaftueshëm rregull në shtëpinë e saj gjatë vitit të ardhshëm dhe të ndihet e sigurtë për të menduar për zgjerimin e mëtejshëm të Unionit në të ardhmen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button