Ekonomia

Kredia e 300 bizneseve do të ristrukturohet

sportel-banke-320x241Bankat

Sektori bankar përbëhet nga: 16 banka tregtare, 21 subjekte financiare jobanka, një zyrë përfaqësimi e bankës së huaj

Unionet

Janë 121 shoqëri të kursim-kreditit dhe dy unione të shoqërive të kursim-kreditit që kryejnë aktivitet kreditor

Kapitali

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, në 2013-n raportohet në nivelin 17.9% (më i lartë se minimumi)

BSH: 300 kompani kanë marrë 50% të totalit të huas me probleme

Nga Zamir Alushi

Banka Botërore dhe Banka e Shqipërisë kanë hartuar një plan ndërhyrjeje për ristrukturimin e 300 kredive të këqija që u përkasin kompanive private. Kjo është top-lista e bizneseve që kanë marrë kredi të mëdha dhe gjenden aktualisht në vështirësi financiare. 300 kreditë e biznesit, sipas burimeve nga BSH-ja, përbëjnë 50% të volumit të kredisë së klasifikuar në kategorinë me probleme. Ky projekt nisi pas përfundimit të procesit të vlerësimit të sistemit financiar në periudhën tetor-nëntor të vitit 2013, nga ana e grupit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB). Misioni vlerësoi se BSH-ja ka një përputhshmëri të lartë me parimet bazë të Bazelit për një mbikëqyrje bankare efektive.

Trajtimi i kredive me probleme

BSH-ja ka zgjedhur një qasje graduale drejt përafrimit me Bazel II për kreditimin dhe mjaftueshmërinë e kapitalit bankar. Kështu, në korrik të vitit 2013, u miratua rregullorja e re “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”. Sipas standardeve të reja, bankat duhet të kenë në gatishmëri në çdo rast nivelin 12 për qind të kapitaleve. BSH-ja, në bashkëpunim me Qendrën Këshilluese të Sektorit Financiar (FinSAC) të Bankës Botërore, ka nisur planin për ristrukturimin e kredive. Pra, do të rinegociohen këto lloj kredish mes bankave dhe huamarrësve. Qëllimi i kësaj platforme është shfrytëzimi i eksperiencës ndërkombëtare për hartimin e planeve të rimëkëmbjes dhe të zgjidhjes për kredimarrësit me probleme ose që kanë filluar të shfaqin probleme në portofolet individuale të bankave. Ndërkaq, është përgatitur metodologjia e re mbikëqyrëse, e cila synon kalimin e plotë drejt një mbikëqyrjeje të bazuar në rrezik, sipas standardeve të përdorura nga vendet e BE-së. Me rregullat e reja, bankat detyrohen që të hartojnë plane për opsionet e rrezikut për kreditë e mëdha qysh në momentin e miratimit të tyre.

Rritet niveli i kredive “të humbura”

Gjatë vitit 2013, sipas raportit vjetor të BSH-së për mbikëqyrjen, kredia me probleme është rritur me rreth 3.3 miliardë lekë. Raporti i kredive me probleme ndaj tepricës së kredisë të sistemit bankar ka arritur në rreth 23.5%. Në portofolin e kredive cilësore, evidentohet rënie e kredive të klasifikuara “standarde” me 0.8 pikë përqindje dhe e peshës së kredive të klasifikuara “në ndjekje” me 0.2 pikë përqindje. Ndërkohë, në portofolin e kredive me probleme, evidentohet rënie e peshës për kreditë e klasifikuara në dy klasat “nënstandard” dhe “të dyshimta” përkatësisht me 2.1 pikë përqindje dhe me 0.9 pikë përqindje, por rritje të madhe evidentohet në peshën e kredive të klasifikuara “të humbura” me 4.0 pikë përqindje. Kreditë “e humbura” në fund të vitit 2013 arritën në 11.6% e totalit të huas, kreditë “e dyshimta”, 4.3%, kreditë “nënstandarde”, 7.6%, ndërsa kreditë “në ndjekje”, 8,1%.

Kolateralet

Banka Qendrore ka hartuar edhe një udhëzues për çështjen e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, që merren si kolateral nga banka gjatë disbursimit të kredisë, i cili vendos standarde minimale të vlerësimit të këtyre pasurive. Sipas burimeve nga BSH-ja, aktualisht mbi 16% e portofolit të kredive të këqija është në ekzekutim. Procesi përmbarues, pas ndryshimeve në ligj, është zhbllokuar në favor të bankave, por ecuria është e ngadaltë.

Biznesi

Ulet kredia për banesa, rriten overdraftet

Analiza e kredisë sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit, evidenton peshën më të madhe të “overdraftit” për bizneset (23.3%), pasuar nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme”, dhënë individëve (19.2%), kredia për “investime për pasuri të paluajtshme”, dhënë biznesit (18.4%) dhe nga kredia për “investime për blerje pajisjesh” për biznese (18.1%). Ndërkohë, rritjen më të lartë gjatë vitit 2013, e shfaq kredia “overdraft” dhënë biznesit, e pasuar nga kredia për “investime për blerje pajisjesh” dhënë biznesit. Në të kundërt rënien më të lartë e ka shfaqur kredia për “investime për pasuri të paluajtshme”, dhënë biznesit (-2.6%). Përbërja e portofolit të kredisë, sipas subjektit dhe monedhës përkatëse, evidenton se rreth 63.0% e huas për biznesin është në monedhë të huaj. Kredia në monedhën euro zë rreth 87.2%, ndërsa ajo në USD zë rreth 12.8% të portofolit në monedhë të huaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button