Kredia e marrë nga të huajt në Shqipëri, nivele rekord: Jorezidentët morën hua nga bankat rreth 300 milionë euro
Viti 2023 ka shënuar një bum të vërtetë të të huajve që kanë marrë kredi bankare në Shqipëri. Banka e Shqipërisë raporton se stoku i kredisë për subjektet jorezidente u rrit me 3% ndaj nivelit të fundit të vitit 2022 dhe me 17% ndaj një viti më parë. Në gjysmën e parë të vitit 2023, kredia për jorezidentët ishte rreth 30 miliardë lekë, apo afërisht 300 milionë euro, ose sa 4.2% e tepricës së kredisë së sektorit bankar.
Kredia për jorezidentët u rrit më shpejt sesa teprica e kredisë gjatë gjysmës së parë të vitit, megjithatë pesha e saj ndaj totalit të kredisë së përgjithshme të sektorit bankar mbetet e ulët. Kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë për jorezidentët në terma vjetorë e ka dhënë rritja në stokun e kredisë për bizneset në valutë, e cila përfaqëson dhe pjesën dërrmuese të stokut të kredisë për subjektet jorezidente.
Në terma vjetorë, kredia bankare në total u rrit me 2% gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë kredia afatshkurtër, kredia për individët dhe kredia në lekë. Kredia për individë është zgjeruar me ritme veçanërisht të shpejta gjatë periudhës dhe ndryshimi vjetor në fund të qershorit arriti në 8.1%. Kredia në lekë u zgjerua me 5.9%, ndërsa ajo në valutë e shprehur në lekë u tkurr me 2.5%.
Duke shtuar efektin statistikor të kursit të këmbimit, i cili ishte negativ për rreth 40 miliardë lekë, ndryshimi vjetor i kredisë në valutë do të llogaritej në 8.6% ndërsa ai i kredisë së përgjithshme rreth 7%.