Kredia për ndërmarrjet publike ra me 25% vitin e kaluar
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor 2023 kredia kishte vlerën e 17.7 miliardë lekëve, në rënie me 25.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Faktori kryesor që ka tkurrur huamarrjen në këtë segment të tregut duket të ketë qenë viti pozitiv për sektorin energjetik dhe nevoja më e ulët për importe të energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të INSTAT, për 9-mujorin 2023 importet e energjisë elektrike pësuan rënie me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, prodhimi i energjisë në vend u rrit me 32% për të njëjtën periudhë, duke përmirësuar ndjeshëm gjendjen e llogarive të kompanive të sektorit.
Sektori energjetik ka një peshë dominuese në portofolin e kredisë së tërhequr nga ndërmarrjet e sektorit publik. Në fund të muajit nëntor, kredia për kompanitë e sektorit energjetik përbënte më shumë se 90% të huamarrjes totale të ndërmarrjeve publike. Vlera e kredisë zbriti në 16 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pjesën më të madhe, kredia e kompanive të sektorit energjetik është e mbuluar me garanci sovrane nga qeveria shqiptare. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, vlera e kredisë së garantuar për Korporatën Energjetike Shqiptare, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Furnizuesin e Shëlbimit Universal në fund të muajit shtator 2023 ishte rreth 12.1 miliardë lekë.
Një faktor tjetër që ka dhënë paralelisht një efekt negativ ka qenë edhe efekti i kursit të këmbimit. Mbiçmimi i Lekut ka tkurrur edhe vlerën e portofolit të kredisë në valutë të huaj të ndërmarrjeve publike.
Përveç kompanive të sektorit energjetik, pjesa tjetër e portofolit të kredisë së kompanive shtetërore i takon kryesisht ndërmarrjeve të veçanta të ujësjellës-kanalizimeve në vend. Portofoli i kredisë në këtë segment në fund të muajit nëntor kishte vlerën e 1.3 miliardë lekëve, në rënie me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kreditimi i ekonomisë në përgjithësi vitin e kaluar ruajti ritme pozitive të rritjes, por për shkak të efektit të kursit të këmbimit, rritja e portofolit të kredisë ishte e ulët, me rreth 0.3% në fund të muajit nëntor. E zhveshur nga efekti i forcimit të lekut, rritja e kredisë do të ishte ende në nivele relativisht të larta. Teprica e kredisë është ndikuar më shumë nga efekti i kursit të këmbimit, duke qenë se portofoli në valutë të huaj përbën pothuajse gjysmën e totalit.