Kreditë e këqija, bankat nxjerrin 1243 prona në shitje
Bankat tregtare në vendin tonë janë në një fazë intensive të shitjes së pronave që tashmë kanë në zotërim nga moskthimi i kredive.
Sipas njoftimeve që bankat kanë bërë në web-et e tyre zyrtare janë 1243 prona në të gjithë vendin, të shpallura për shitje nëpërmjet ankandeve. Në mesin e këtyre pronave janë apartamente, vila, dyqane, garazhe dhe toka të shpërndara në të gjithë vendin.
Banka Kombëtare Tregtare ka numrin më të madh të objekteve në shitje me 338 të tilla. Më pas vjen Banka Raiffeisen, e cila ka listuar për shitje në web-in e saj zyrtar 210 objekte. Pas Raiffeisen, me numrin më të madh të objekteve vjen Tirana Bank me 168 të tilla.
ProCredit Bank gjithashtu ka nxjerrë në ankand 155 objekte dhe Banka Kombëtare Greke 111 objekte. Gjithashtu edhe Banka e Parë e Investimeve ka nxjerrë në shitje 96 objekte.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat zotërojnë 22 miliardë lekë pasuri të patundshme (rreth 160 mln euro), të cilat janë duke denatyruar rolin primar të bankave në ndërmjetësimin e financiar, duke kthyer një pjesë të funksioneve të tyre në “real estate”.
Banka e Shqipërisë ka referuar se vlera e kolateraleve në pronësi të bankave, pasi kanë dështuar shitjet nga përmbaruesit, është rritur ndjeshëm më 2015. Nga 5 miliardë lekë në 2012, zotërimet e bankave në formën e pasurive të paluajtshme në fund të vitit të kaluar janë më se katërfishuar në rreth 22 miliardë lekë.
Një rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme, gjatë periudhës së mbajtjes në bilanc, mund të zvogëlojë si vlerën e aktivit në bilanc, ashtu edhe të ardhurat që mund të realizohen nga shitja e kolateralit pasuri e paluajtshme. Njëkohësisht, një shitje në masë e këtyre kolateraleve nga ana e bankave (fire sale) mund të dëmtojë rëndë tregun e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar jo vetëm mbi të ardhurat e bankës, por edhe mbi vlerën e kolateraleve pasuri e paluajtshme të pranuar gjatë procesit kredidhënës, me pasoja në cilësinë e portofolit të kredisë dhe nivelit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Nivelet e larta të këtyre lloj aktivesh në bilanc, shoqëruar me strategji jo të efektshme të marrjes në pronësi të tyre mund të ndikojnë negativisht likuiditetin e një banke.
Por kreditë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar një rritje të fortë në muajin korrik, duke u ngjitur në 21.15%, duke u zgjeruar me të paktën tre pikë përqindje në raport me fundin e 2015-s. Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë. Edhe në raport me një muaj më parë, huat e pakthyera në afat janë shtuar me 1.2 pikë përqindjeje.