Kreditë e keqija, FMN: Masat jo rezultative, do të ndërrojmë strategji
Vitin e kaluar, Qeveria ndryshoi ligjin e taksave dhe forcoi procedurat e ekzekutimit të kolateraleve, por sërish kreditë e këqija nuk ranë. Për Nadim Ilahin, arsyeja është mister edhe për vetë ekspertët e FMN-së.
“Ka diçka në sistem që nuk po i lejon kreditë e këqija të ulen. Se çfarë është, këtë pyetje po i bëjmë edhe ne vetes: Pse problemi i huave të pashlyera vazhdon pas një sërë masash të ndërmarra për uljen e tyre? Ndaj, ramë dakord me Qeverinë ta shohim problemin më gjerë, nga të gjitha aspektet. Pra, jo thjesht si një problem bankar, por në gjithçka. Si ekzekutohen kontratat, si funksionon kolaterali dhe si merren vendimet gjyqësore. Kjo mund të na ndihmojë të identifikojmë përfundimisht se ku qëndron problemi”, tha shefi i Misionit, Nadim Ilahi.
Sipas Ilahit, ky është një ngërç që duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt, pasi në të kundërt mund të ketë kosto të mëdha për ekonominë
“Në këtë stad, kur ekonomia po rimëkëmbet, ju do filloni të shihni edhe rigjallërimin e kërkesës për kredi. Por, nëse gjatë kësaj kohe, bankat do të ngurrojnë të japin hua, për shkak të frikës se ato mund të mos shlyhen më, atëherë vendi mund të ketë probleme me rritjen ekonomike. Dhe ky është një problem, me të cilin ju nuk do donit të përballeshit”, tha Ilahi.
Veç ndryshimeve ligjore, Qeveria ka paguar mbi 500 milionë dollarë detyrime të prapambetura, por edhe kjo nuk çoi në uljen e huave me probleme, ashtu sikur pritej. Ndërkohë, opozita akuzon se procesi i pagimit të borxheve nuk është transparent dhe Qeveria po mban të fshehur auditin.
“Puna e auditorit nuk ka përfunduar ende. Ata kanë bërë një raport paraprak, mbi të cilin ne kemi bazuar vlerësimet tona. Mendoj se, pasi procesi të përfundojë, një nivel i caktuar informacioni mund të bëhet publik. Ky nuk përbën ndonjë problem. Por sërish, më lejoni t’ju kujtoj se kjo u bë që të na lejonte ne të vlerësonim, nëse procesi i shlyerjes së borxheve është bërë në mënyrën e duhur. Dhe, deri më sot, s’kemi shqetësime për këtë”, theksoi Ilahi.
Në fund të intervistës, Shefi i Misionit ka komentuar edhe projektet e Qeverisë për ndërtimin e rrugëve me koncesion, duke i kërkuar asaj të bëjë kujdes, pasi kjo mund të çojë në një tjetër rritje të fshehtë të borxhit.
“Ne e kemi diskutuar këtë çështje me Qeverinë. Besoj se ajo është e vetëdijshme që vendi ka një problem borxhi, me të cilin ne jemi duke operuar. Dhe çdo investim që nuk vjen drejtpërdrejt përmes borxhit, duhet të kontabilizohet në mënyrën e duhur në llogaritë fiskale, në termat e detyrimeve potenciale që mund të lindin”, theksoi Ilahi.
Fondi mbajti të pandryshuar në 3 përqind vlerësimin për rritjen ekonomike të këtij viti, duke deklaruar se rimëkëmbja e ekonomisë po ecën sipas parashikimeve.