Kreu i PD në Shkodër sulmon Voltana Ademin: Na ka zhgënjyer
SHKODËR- Për herë të parë Partia Demokratike e Shkodrës që nga zgjedhjet brenda llojit pranon rënien e lirë të strukturave të saj dhe dështimin politik të kësaj partie. Në mbledhjen e radhës të kryesisë së PD-së së Shkodrës vetë kryetari i saj Ramiz Çobaj i është drejtuar demokratëve duke pranuar inaktivitetin e pjesës më të madhe të departamenteve të krijuara në nëntor të 2014 (18 departamente) dhe mars 2015 (5 departamente).
Në analizën e siguruar nga “BalkanWeb” që kryetari Çobaj ka lexuar përpara kryesisë ndër të tjera thuhet se:
“Nisur nga numri i departamenteve që kap shifrën 23, pjesa aktive e departamenteve ishin dhe mbeten në minorancë në krahasim me departamentet inaktive. Kjo mbetet njs shqetësim i madh jo vetëm për mua si Kryetar, por besoj edhe për të gjithë Kryesinë e PD-së. Inaktiviteti i Departamenteve ka dëmtuar në radhë të parë mënyrën e të bërit opozitë të vetë Degës së PD-së Shkodër”,- ka deklaruar Çobaj duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij për pjesën më të madhe të departamenteve.
E më tej kryetari Çobaj ka gjetur edhe fajtorin. Indirekt ai ka goditur bashkinë Shkodër dhe kryetaren Voltana Ademi duke thënë se është i vetëdijshëm se një pjesë e demokratëve ndjehen të zhgënjyer, të parespektuar dhe të pavlerësuar.
“Është vlerësim të jesh drejtues departamenti por njëkohësisht është edhe përgjegjësi. Të marrim përsipër secili prej nesh përgjegjësitë e veta politike dhe të dalim nga pasiviteti ku kemi rënë. Unë e kuptoj se shumë prej jush presin që të thonë se jemi të zhgënjyer, se nuk na është vlerësuar puna, se nuk ndjehemi të respektuar, se si drejtues departamenti apo anëtar kryesie nuk jam pyetur dhe nuk më është marrë mendimi për asgjë. Nuk marr përsipër t’ju them se kjo gjë nuk ka ndodhur ose të bej hipokritin se shumë shpejt gjithçka ka për të ndryshuar. Jo! Unë ju them pavarësisht zhgënjimeve, pavarësisht mungesës së dashamirësisë apo shfaqjes së respektit minimal ndaj jush, ne, të gjithë bashkë, kundërshtarët i kemi përballë dhe ata kanë emër PS dhe LSI ose Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata duhet të ndëshkohen nepërmjet punës tonë. Ata duhet të ndëshkohen nga votat e jo vetëm të demokratëve por edhe të lëkundurve dhe biles duhet të synojmë edhe për më shumë, edhe tek të majtët e zhgënjyer. Çdo pretendim i kundërt do ishte shumë i dëmshëm për ne, do të na penalizonte me një opozitë tjetër 4-vjeçare”, – u shpreh Çobaj.
Teksa kryetari lokal i PD-së flet për bashkim të demokratëve nga ana tjetër është selia e PD që vërteton ndasinë me demokratët e bashkisë duke mos bërë asnjë deklaratë në mbështetje të kryebashkiakes sa herë që kryeministri Rama sipas PD-së sulmon Shkodrën.