Opinion

Krijimi i Kalifatit Islamik me 7 hapa të lehtë

DRITAN GOXHAJ

isis-i-sulmon-baz-euml-n-amerikane-n-euml-irak_hdU bënë më shumë se tre vjet e gjysmë që nga fillimi i konfliktit në Siri, një konflikt të cilin që në fillimet e tij të gjithë e panë si një luftë midis së mirës dhe së keqes. Gjithçka nisi në fund të së ashtuquajturës “Pranvera arabe”, e cila u duk se nuk e preku fare Sirinë. Gjatë kohës në të cilën në vendet e tjera arabe zhvillohej një lloj revolucioni i pakontrolluar i ashtuquajtur “Pranverë arabe”, Siria ishte një shtet policor e ushtarak ndër më të egrit në rajon, një shtet i mbytur nga klientelizmi e lidhjet familjare, por që përbënte një lloj garanti stabiliteti në rajon përballë destabilizimit që solli pranvera arabe, përballë frenezizë nukleare iraniane dhe paranojave izraelite. Gjatë kohës që në vende si Tunizia, Egjipti, Jemeni, Libia dhe Emiratet ndeshej e diskutohej ashpërsisht me opozitën, në Siri mbretëronte një heshtje. Aq e heshtur qe Siria sa u mbiquajt “mbretëria e heshtjes”. Pikërisht ishte kjo heshtje që i bëri të dukeshin keq Amerikën, Francën e Britaninë, si dhe disa regjime totalitare e sektare të rajonit si Arabinë Saudite e Katarin, të cilat vendosën të hakmerreshin e ta shndërronin Sirinë në një kavie të përshtatshme për eksperimente të tipit libian.

Sidoqoftë, kjo që po ndodh sot në Siri e Irak nuk është diçka e panjohur për shtetet perëndimore, në veçanti për amerikanët. I gjithë ky eksperiment solli lindjen e një ekstremizmi fetar me orientim islamik. Por pse themi që kjo nuk është e panjohur? Madje as shpallja e shtetit islamik nuk është diçka që Perëndimi nuk e priste, por kur kjo ndodhi, të gjithë bënë të çuditurin, në veçanti shërbimet sekrete perëndimore.

Në vitin 2007, Xhorxh Bushi, atëkohë presidenti amerikan, pati deklaruar: “Para se të fillonte tërheqja e trupave ushtarake nga Iraku, komandantët tanë na thanë se kjo përbën një rrezik për Irakun dhe për vetë SHBA-në. Kjo do të thotë t’ia dorëzojmë të ardhmen e Irakut Al Kaedës. Kjo do të thotë se ne do të rrezikojmë vrasjet masive në një shkallë të tmerrshme”.

Këto parashikime dolën të vërteta, kjo jo sepse Bushi është një profet, por thjesht sepse shërbimet amerikane e njihnin gjendjen në Irak më së miri.

Gjithë kësaj çka ndodhi e çka po ndodh në Irak e Siri i ka paraprirë me një libër të botuar në vitin 2005 një gazetar jordanez, i quajtur Fouad Hussein, me lidhje me Al Kaedën. Libri mban titullin “Al Zarkaui; Gjenerata e dytë e Al Kaedës”.

Në këtë libër ky autor e shpjegon këtë që po ndodh tani në këtë rajon të Lindjes së Mesme si një strategji të Al Kaedës, një strategji kjo e cila zhvillohet në 7 faza të ndryshme dhe që quhet: Një Kalifat Islamik në 7 hapa të lehtë. Ato janë:

Faza e parë: Kjo fazë, sipas autorit, njihet si faza e zgjimit dhe ka nisur me ngjarjet e 11 shtatorit 2001 dhe ka vazhduar deri në 2003.

Faza e dytë: Kjo fazë quhet “Hapja e syve” dhe fillon në 2003 e zgjat deri në 2006, fazë në të cilën, sipas autorit, Al Kaeda shndërrohet nga një organizatë në një lëvizje, lëvizje kjo që e ka bazën e saj në Irak dhe që në këtë periudhë merret me rekrutime dhe trajnime.

Faza e tretë: Kjo fazë konsiderohet si faza e “Daljes dhe e qëndresës”, fazë kjo që për autorin do të shtrihet në periudhën nga 2007 deri në 2010 dhe do të fokusohet në Siri.

Siç duket, këtu autori ka gabuar parashikimin e tij. Lëvizja e grupeve të armatosura në Siri filloi në 2011.

Faza e katërt: Kjo fazë do të zgjasë nga 2010 deri në 2013. Në këtë fazë, sipas autorit, Al Kaeda do të sjellë rrëzimin e qeverive arabe në rajon. Kjo fazë përkon me të ashtuquajturën “Pranverë arabe” dhe me rrëzimin e disa qeverive, veçanërisht asaj egjiptiane.

Faza e pestë: Kjo fazë do të shtrihet në periudhën kohore nga 2013 deri në 2016, e gjithnjë sipas autorit, në këtë fazë do të vijë edhe shpallja e shtetit islamik ose kalifatit. Edhe këtu autori ka qenë i saktë në parashikimin e tij, pasi Kalifati u shpall në vitin 2014.

Faza e gjashtë: Kjo fazë do të vijë në periudhën 2016 e më pas. Sipas autorit, kjo fazë është edhe faza e konfrontimit të madh midis besimtarëve dhe mosbesimtarëve.

Në realitet, tani kalifati u ka shpallur luftë myslimanëve, jo të gjithëve, por atyre që ai i konsideron si bashkëpunëtorë më të pafetë që janë perëndimorët dhe joislamikët si dhe atyre myslimanëve të cilët nuk e pranojnë ose e luftojnë autoritetin e shtetit islamik.

Faza e shtatë dhe e fundit: Këtë fazë, e cila parashikohet të jetë në vitin 2020, autori e ka quajtur faza e “fitores”. Autori pretendon se shteti islamik, kalifati, do të fitojë mbi pjesën tjetër të botës.

Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë.

Për momentin, ne ndodhemi në fazën e gjashtë. Për këtë arsye grupet e dala nga Al Kaeda që po luftojnë në Siri dhe Irak kanë nevojë të rekrutojnë sa më shumë besimtarë myslimanë që jetojnë në botën perëndimore. Por Al Kaeda nuk është e vetmja që po rekruton luftëtarë të huaj. Një gjë të tillë po e bën edhe regjimi sirian.

Luftëtarët e huaj në Siri që luftojnë përkrah regjimit

Që nga fillimi i konfliktit në 2012, regjimi sirian është munduar të krijojë një forcë me luftëtarë të huaj. Prezenca e tyre aktualisht është një faktor kryesor për regjimin sirian dhe për mbarëvajtjen e luftës. Ashtu si dikur Roma ftonte fiset barbare për të mbrojtur muret e saj, edhe Asadi e ka varur shpresën te këto forca, largimi i të cilave do të ndryshonte kursin e luftës. Aktualisht, ushtria siriane po fiton ndaj rebelëve dhe grupeve të tjera që luftojnë kundër regjimit, por në të vërtetë janë legjionet me të huaj që ka krijuar ky regjim, të cilat po e bëjnë të mundur këtë fitore. Regjimi i ka varur shpresat te legjionarët iranianë, libanezët e Hezbullahut dhe shiitët e Irakut.

Për shkak të dinamikës së luftës dhe shpërndarjes së forcave në një territor të gjerë, regjimi kishte nevojë për një sasi më të madhe të trupave këmbësore. Sipas të dhënave të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, gjatë konfliktit 3-vjeçar, 37000 forca qeveritare kanë humbur jetën në luftime. Kjo është edhe një nga arsyet e forta të regjimit për t’i zëvendësuar këto trupa. Gjatë këtyre tre vjetëve, regjimi ka krijuar disa forca paraushtarake të ndryshme, të cilat më pas i ka bashkuar nën një komandë të njohur si Forcat Kombëtare të Mbrojtjes. Pjesë e këtyre forcave nën këtë komandë janë edhe luftëtarët e huaj të ardhur nga shiitët e Irakut, Hezbullahu, Irani dhe Palestina. Por këto nuk janë të vetmet vende që po kontribuojnë në mbajtjen e regjimit në këmbë. Luftëtarë të huaj ka edhe nga Rusia, Serbia dhe Çeçenia. Nuk mund të lëmë pa përmendur që çeçenët janë ndarë në dy grupe, në ata që luftojnë përkrah organizatave terroriste dhe grupi tjetër përkrah regjimit sirian.

Me kalimin e kohës këto grupe të të huajve janë bërë shumë të rëndësishme për fitimin e betejave të ndryshme dhe sidomos për mbajtjen e Damaskut.

Dy grupet më të mëdha që luftojnë përkrah forcave të regjimit janë Hezbullahu dhe Shiitët e Irakut. Forcat e Hezbullahut kanë një prezencë prej 4000 vetash në Siri gjatë gjithë kohës. Këto forca janë shumë të stërvitura e të pajisura më së miri. Ato nuk marrin pjesë vetëm në luftime, por edhe në këshillime dhe trajnime të ndryshme të forcave të tjera jo të rregullta dhe të rregullta. Forcat e Hezbullahut ishin faktori kryesor në fitoren që arriti regjimi ne qytetin e Qusairit. Shiitët e Irakut tani gjenden në disa fronte, nganjëherë duke luftuar edhe përkrah Hezbullahut. Gjithashtu, edhe palestinezët e Frontit Popullor të Çlirimit të Palestinës kanë luajtur një rol jo të vogël në luftimet rreth Damaskut në kampet e refugjatëve palestinez aty.

Gjithashtu përkrah forcave të regjimit luftojnë edhe grupe të tjera më të vogla në numër siç janë turqit, afganët, pakistanezët, jemenasit.

Rëndësia e këtyre forcave të huaja qëndron jo te numri që në total është i konsiderueshëm, por tek efekti që ato kanë në luftë. Forcat iraniane dhe ato të Hezbullahut merren me përcaktimin e drejtimit strategjik të luftimeve dhe me drejtimin e operacioneve luftarake. Iranianët merren edhe me trajnimin e forcave të rregullta qeveritare në teknika të luftimit antigueril.

Duke pasur një komandë të përbashkët është bërë e mundur që të gjitha këto forca të kenë një ndërveprim taktik dhe strategjik perfekt.

Këto forca motivohen nga mbështetja ekonomike e politike, nga ana e aktorëve të ndryshëm që kanë një axhendë të tyren në Siri, që nga qeveritë e vendeve të Gjirit e deri tek organizatat ekstremiste dhe nga individë të caktuar.

Në rast se nesër, të dyja këto grupe do të largoheshin atëherë do kishim ndryshim shumë të madh të luftës. Largimi i të huajve nga radhët e grupeve terroriste nuk do të sillte ndonjë dëmtim të rëndësishëm në terrenin e luftimeve për këto grupe. Ndërsa largimi i forcave që luftojnë në krahun e regjimit do të sillte ndryshime të mëdha në fushë betejë, gjë kjo që do të mund të përcaktonte edhe fatin e luftës dhe të vetë regjimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button