Krimi në Lazarat nuk është histori Lazarati
Nga Aleksandër Çipa
Në Lazarat qenka e thënë të mos shterë historia e kriminalitetit. Dje është vrarë një efektiv i forcave elitë të Policisë së Shtetit. Ngjarja është e dhimbshme dhe krimi është bërë më sfidant. Dëshmori i Atdheut (ndonëse zyrtarisht nuk është kryer ky formalitet), efektivi Ibrahim Basha, ka qenë një ndër oficerët shqiptarë që ka kryer shumë misione të vështira, mes të cilave edhe shërbimin me trupat shqiptare në Afganistan. Jeta e ndërprerë e këtij djali të policisë shqiptare, ka lidhje jo thjesht me qitjen e pabesë të një krimineli, të gjendur apo fshehur, në një ndër banesat e Lazaratit! Plagosja e dy efektivëve të tjerë, ortakë në të njëjtin mision shtetëror dhe antikrim të dëshmorit Ibrahim Basha, është një ngjarje, e cila ka alarmuar si kurrë ndonjëherë, opinionin publik. Natyrisht është një vrasje me shumë kuptime e ndoshta po me më shumë se një qëllim.
Politika dje si një tinëzare e pandreqshme, në raport me historinë kriminale në Lazarat, reagoi keq. Madje jo keq, por djallëzisht në mënyrën më të pahijshme përballë dhimbjes së pashoqe të familjarëve të dëshmorit dhe aq të sinqertë, të publikut dhe qytetarëve të këtij vendi.
Historia e krimit në Lazarat nuk është një histori Lazarati. Ndanë rrugës kombëtare, ku gjendet ky fshat, në një kohë të largët, kam provuar si reporter, gjakosjen dhe çastin fatal të të qenët në prehër të vdekjes. Të njëjtën gjë kanë provuar më vonë edhe kolegë të mi, madje i fundit reporter i kronikës Gerti Xhaja u detyrua të ekzilojë jashtë atdheut. Kjo histori kriminale ka plagosur dhe uzurpuar, ka terrorizuar dhe ndëshkuar keq vetë Lazaratin dhe masën e gjerë të qytetarëve të thjeshtë. Ky fshat tashmë nuk është thjesht një fshat. Në Lazarat, politika kriminale e periudhës së tranzicionit ka lënë prova dhe gjurmë të lidhjes së eksponentëve të saj majtas dhe djathtas, duke qenë ortakë të pashpallur në përfitimet e zeza dhe financimet kriminale. Në kohë dhe periudha elektorale, kjo lidhje diabolike dhe gjithë era e ndyrë e punëve të ndyra që kanë realizuar ortakërisht ose në dijeni me politikanët në Tiranë, “djemtë e armatosur kolumbianë të Lazaratit”, shpesh dekonspirohej.
Në momente të ndryshme të tranzicionit 24-vjeçar, nga territori i pakontrolluar brenda fshatit gjeneroheshin episode sfidante kundër ligjit, shtetit, administratës dhe sidomos drejtësisë ligjore. Administrata e komunës së këtij fshati ishte një “robinjë” e pashpallur dhe pa kurajë denoncimi, sikundër qeveritë e ndërruara faleshin para këtij imponimi duke arritur në periudha të suksesit të tyre një marrëveshje të ndyrë: Ne nuk do t’ju trazojmë, ju do mbillni krim dhe do na shpërbleni me hise dhe do na shërbeni kur të na duheni, pa u dukur edhe ne! Kjo përvojë e hidhur marrëveshjeje kriminale, prodhoi dhe gjeneroi jo vetëm historinë e gjelbërimit me hashash të viseve të këtij vendi sidomos përgjatë 15 vjetëve të fundit. Prej saj buruan e vijojnë të shfaqen vrasje si kjo e Ibrahim Bashës dhe shumë e shumë histori, tregime për financa të paligjshme, trafiqe dhe trafikime të ndryshme, ndërtime godinash dhe uzurpime kriminale të territorit, si dhe një histori tjetër. Ky kolumbianizim i fshatit me rreth pesë mijë banorë ka shkaktuar edhe një subjekt kryekëput të pavlerësuar e të pandriçuar edhe mediatikisht: Atë të emigracionit valë-valë të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.
Historia e krimit dhe kriminalitetit në vendin që quhet Lazarat e ka të evidentuar zanafillën dhe mund të zbardhet shumë, shumë lehtë, nëse ka vullnet.
Merrni tabulatet e telefonave të politikanëve lokalë e atyre qeverisës në këta 20 vjet! Merrni tabulatet e trafikantëve dhe kriminelëve të identifikuar e klasifikuar në këtë fshat, por merrni edhe tabulatet me të cilët janë telefonuar apo kanë telefonuar ata! Merrni listat e pagesave dhe shkëmbimeve financiare që ata kanë bërë brenda sistemit bankar të vendit dhe mbi të gjitha, studioni ortakëritë që kjo skotë ka pasur me kriminelë rajonalë dhe pse jo edhe me individë e segmente të krimit, terrorizmit dhe shërbime inteligjente fqinje! Pas kësaj, keni për të parë se sa e thjeshtë është skema dhe çfarë dëshmon skanimi. Kjo gjë duhet bërë, pikërisht tani, kur deviza e opozitës politike për dekriminalizimin pasi e mbylli kapakun me rastin e zgjedhjeve të dy ditëve më parë, të dëshmojë sado pak sinqeritet, duke e imponuar shumicën e majtë për një kapitull të ri që shtrihet në të shkuarën dhe i vlen, oh sa i vlen, së ardhmes së këtij vendi pa krim dhe network politikë-krim!
Në Lazarat ka një komunitet që e ka peng të gjatë në disa breza këtë realitet të postkomunizmit. Pa lejen dhe me ndjesën, që po e sjell në vëmendje të lexuesit të “Shqip”, po përfshij statusin e hedhur dje në Facebook të një miku të shtrenjtë timit nga Lazarati. Nuk jam i autorizuar ta bëj këtë, por besoj në mirëkuptimin dhe drejtleximin e përhershëm të mikut tim të shtrenjtë Gëzim Basha. Është një koleg i imi, ish-korrespodent i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, ish-kryetar i PD-së së Gjirokastrës tashmë në emigracion, lektor universiteti në SHBA, poet dhe përkthyes konician. Gëzimi shkroi dje për këtë ngjarje: “Ibrahim Basha, oficeri i RENEA-s që u vra sot në Lazarat, kishte shërbyer disa herë në Irak dhe Afganistan si ushtar i koalicionit antiterror. Shpëtoi nga plumbat e talebanëve por ra në një pritë në atdheun e tij… Sot 1900 votat e Lazaratit duken si një gardh izolimi nga pjesa tjetër e atdheut, dhe çdo Lazaratas duhet të ndiejë plagën e turpit.”
Ky pasazh dhe disa dhjetëra komunikime që shoh prej miqve të mi nga Lazarati në rrjetet sociale, janë për mua një provë e bollshme të rishikohet seriozisht marrëdhënia e shtetit me komunitetin e këtij vendi. Nuk e kam fjalën në përputhje me hartën e re territoriale, por për një klimë dhe marrëdhënie të re mes administratës, shtetit, ligjit dhe shoqërisë shqiptare me këtë vend e komunitetin inteligjent të tij.
Në Lazarat bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, i cili nuk u krijua as në vitin 2014, nuk u arratis për t’u rikthyer sërish në 2015, por që u ngjiz, me ndërhyrje dhe ortakëri të shumta, në kohën e tranzicionit dhe prej interesave kriminale që shtrihen e kanë burim në Tiranë dhe gjetkë. Së fundi, këtij grupi mund t’i jetë bashkuar si radhë dhe mundësi edhe fryma e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar. Të gjitha këto konstatime, të ardhura në raportimet e mediave tona orët e fundit, me kohë duhej të ishin bërë publike dhe të kishin vënë në alarm shërbimet tona inteligjente, ato të sigurisë dhe sidomos strukturën antiterror.
Në Lazarat nuk është ndërtuar një strofull e tillë brenda pesë apo gjashtë muajsh, aty ka pasur një dorë me qëllim dhe shërbim kohëgjatë. Madje politikanët e këtij vendi, kur Policia e Shtetit ndërmori aksionin e bujshëm dhe më të guximshëm në historinë e 20 viteve të fundit, nisën akuza me njëri-tjetrin, duke përmendur akuzueshëm se “një shteg u hap për ikjen e kriminelëve të armatosur”. Politikanët akuzues nuk këmbëngulën për të vërtetuar e për të zbardhur të vërtetën e kësaj arratie, sikundër dhe pala e akuzuar, nuk e vuri me shpatulla për muri akuzuesin për t’i kërkuar provën.
Në Lazarat, aty ku ortakëria mes krimit dhe politikës ka gjeneruar dhe sjellë së fundi edhe vrasje djemsh të Policisë së Shtetit, ka nevojë për një moment të ri.
Kjo shoqëri dhe institucionet ndërkombëtare duhet të ngrihen në këmbë për shtrirjen e dekriminalizimit në dimensione të reja, pa i lënë asnjë mundësi politikës të ketë protagonizëm e t’i besohet si detyrë. Politika e ka humbur këtë besueshmëri, ajo ka nevojë vetëm për alibi dhe hipokrizi. Drejtësia, jo e jo, nuk mund ta bëjë kurrë. Një tjetër reagim e përpjekje nevojitet. Një tjetër nismë ligjore duhet nga aktorë dhe organizma, të cilët nuk i ka ndotur krimi dhe nuk i kap dot politika, aq më tepër mitëmarrja dhe mitëdhënia e vjetër e korrupto-politikës dhe krim-politikës. Nëse nuk ngjet sa më parë kjo, atëherë në këtë vend, bij të tjerë nënash të Policisë së Shtetit mund të vriten dhe strofulla të tjera terroristësh e kriminelësh do të gatiten.