Opinion

Kriptomonedhat, paratë e pista dhe Iluzioni i Investimit

Nga NEVRUS NAZARKO

Ashtu si shumë prej jush, edhe unë kam reflektuar prej kohësh mbi këtë fenomen investimi që nuk është edhe aq i ri: asetet kripto. Ajo që më shtyu të shkruaj për këtë temë, përveç arsyeve të dukshme, ishte edhe lajmi fatkeq mbi rrëmbimin e mundshëm të nënës së Savannah Guthrie dhe, sipas raportimeve, kërkesa që shpërblimi të paguhej në Bitcoin.

Prej disa vitesh tashmë, asetet kripto si Bitcoin, Ethereum, Litecoin etj., janë promovuar si risi revolucionare financiare, si “ari i ri”, e ardhmja e parasë dhe një mundësi investimi që vjen një herë në jetë. Por mendoj se ky pretendim kërkon shumë më tepër shqyrtim dhe reflektim. Bitcoin dhe shumica, në mos të gjitha, asetet kripto i ngjajnë më shumë skemave piramidale sesa investimeve legjitime, dhe rritja e tyre është nxitur më pak nga bazat ekonomike dhe më shumë nga spekulimi dhe paratë e errëta.

Një investim duhet të prodhojë diçka

Në “kohët e vjetra” dhe sipas mësimeve bazë të ekonomisë, një parim themelor i investimit është i thjeshtë:

a) Aksionet përfaqësojnë pronësi në kompani që prodhojnë mallra dhe shërbime;

b) Obligacionet financojnë aktivitet prodhues dhe gjenerojnë interes;

c) Pasuritë e paluajtshme ofrojnë të ardhura nga qiraja;

d) Bizneset krijojnë vende pune, fitime dhe vlerë.

E di që kjo listë nuk është shteruese, por Bitcoin nuk prodhon asnjërën prej këtyre. Ai nuk gjeneron fitime, dividentë, flukse monetare apo produktivitet real. Vlera e tij varet pothuajse tërësisht nga një faktor i vetëm: që dikush tjetër ta blejë nesër me një çmim më të lartë sesa ai që ke paguar sot. Kjo e bën atë thelbësisht spekulativ.

Mbështetësit e kriptomonedhave argumentojnë se Bitcoin është i rrallë, pasi pretendohet se do të ekzistojnë vetëm 21 milion njësi, se është i decentralizuar dhe se shërben si mbrojtje ndaj inflacionit. Le ta marrim këtë si të vërtetë. Por a krijon vlerë vetëm rrallësia? Tregu i Bitcoin-it varet fort nga një fluks i vazhdueshëm blerësish të rinj — njerëz që “hyjnë në lojë” me çmime më të larta për të shpërblyer mbajtësit e hershëm. Kjo strukturë i ngjan shqetësueshëm një piramide: adoptuesit e hershëm fitojnë kur hyjnë të rinjtë, çmimet rriten kur përhapet entuziazmi dhe shemben kur besimi zbehet (mjafton të shohim luhatjet e javëve të fundit në tregun e kriptove).

Roli i parave të pista

Një tjetër realitet i pakëndshëm është ky: kriptomonedhat janë shndërruar në një mjet të preferuar për lëvizjen e parave jashtë mbikëqyrjes tradicionale shtetërore dhe institucionale (prandaj edhe referenca në hyrje të këtij shkrimi). Për shkak të natyrës së tyre të pakontrolluar dhe anonime, kriptot mund të përdoren — dhe në disa raste përdoren gjerësisht — për veprimtari të paligjshme si: pagesa për ransomware, shmangie të sanksioneve, mashtrime dhe rrjete kriminale, korrupsion dhe transferime offshore.

Sigurisht, jo çdo përdorues i kriptomonedhave është kriminel, por natyra ndërkombëtare dhe mungesa e ndërhyrjes nga qeveritë (madje disa e mbështesin këtë) ka krijuar një terren pjellor për këto aktivitete. Dhe kur tregjet varen pjesërisht nga flukse parash të paidentifikueshme, duhet të pyesim nëse “kërkesa” është vërtet legjitime apo artificialisht e krijuar nga aktorë dhe aktivitete të tjera.

Një treg i ndërtuar mbi narrativë dhe kosto për shoqërinë

Forca më e madhe e Bitcoin-it nuk është teknologjia e tij, por historia që rrëfen. Por historitë nuk zëvendësojnë bazat ekonomike. Nëse arsyeja e vetme që një aset rritet është sepse njerëzit besojnë se dikush tjetër do ta blejë më vonë, atëherë nuk kemi të bëjmë me një revolucion financiar, por me një instrument spekulativ dhe, shumë gjasë, me një flluskë.

Bota e kriptomonedhave nuk ka krijuar vetëm milionerë në letër; ajo ka prodhuar edhe humbje për konsumatorët, mashtrime të maskuara si inovacion dhe, në disa raste, mosbesim ndaj institucioneve reale financiare (shembuj të skemave dhe platformave si Binance, FTX, Coinbase etj.). Por problemi më shqetësues është se ajo ka inkurajuar miliona njerëz të zakonshëm të blejnë dhe të “investojnë” (në fakt të luajnë bixhoz) në asete që nuk i kuptojnë, nga frika se mos mbeten jashtë loje.

Përfundim: Investimi kërkon krijim vlere

Si dikush që ka kaluar një karrierë në financë dhe kontabilitet në sektorin publik, mbetem thellësisht skeptik se Bitcoin dhe asetet e ngjashme kripto kanë kuptim si investime afatgjata. Bitcoin nuk ndërton fabrika, nuk gjeneron të ardhura, nuk punëson njerëz (të paktën jo në shkallë domethënëse) dhe nuk rrit produktivitetin.

Pikërisht për këtë arsye besoj se asetet kripto, ashtu siç ekzistojnë sot, nuk përbëjnë një investim të shëndoshë, por një skemë piramidale moderne, të shkëputur nga vlera reale ekonomike dhe nga realiteti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button