Kritika të ashpra në Kosovë për pajisjen e Ramush Haradinajt me pasaportë të Shqipërisë
Në një kohë kur qytetarët e Kosovës janë më të izoluarit në Evropë – si pasojë e mosliberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian, që ka kushtëzuar një gjë të tillë me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës – dhe ndër më të izoluarit në mbarë botën – teksa pasaporta e Kosovës është renditur e 96’ta në një listë të pasaportave më të fuqishme në botë, nga gjithsej 104 – shefi i ekzekutivit të vendit, Ramush Haradinaj, sot është pajisur me pasaportë të Shqipërisë.
Kryeministri Haradinaj, i cili nuk ka arritur të pajisjet me vizë amerikane, për të realizuar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, se është bërë shtetas i Shqipërisë, bashkë me gruan e tij, Anitën.
“Vitin e kaluar, gjatë periudhës së qëndrimit tim në Strasburg, me dekret të posaçëm nga ish-presidenti i Republikës së Shqiperisë, Bujar Nishani, me është dhënë shtetësia shqiptare, mua dhe bashkëshortës sime, Anitës”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social.
“E falënderoj shtetin shqiptar dhe e kam për nder të jashtëzakonshëm, që sot u pajisa me pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Kryeministri kosovar.
Lajmi se i pari i Qeverisë ka marrë pasaportë të Shqipërisë ka bërë që Haradinaj të marrë kritika të ashpra në Kosovë.
Gazetarë, analistë e politikanë kanë qortuar të shefin e ekzekutivit për pajisje me pasaportë të Shqipërisë, në një kohë kur vendi që ai udhëheq është fort i izoluar – në Evropë e në botë. Kosovarët, sipas një liste të pasaportave më të fuqishme në botë (të cilën e kryeson Gjermania), mund të udhëtojnë pa viza vetëm në 38 shtete.
Gazetari i njohur, Adriatik Kelmendi, ka thënë se pajisja e Haradinajt me pasaportë të Shqipërisë mund të interpretohet si një mesazh i tij për qytetarët e vendit se ai tash mund të udhëtojë pa viza, në kohën kur ata e kanë të pamundur.
“Haradinaj: Sot u pajisa me pasaportë të Shqipërisë. Që i bjen: Unë tash udhëtoj pa viza! Qytetarëve: Ju rrini në kafez! Edhe ashtu s’keni pare për pushime dimërore. Ose, nëse doni borë e mal – ngjituni deri n’Çakorr! ???? (Këshillë: Më mirë bile mos kallëzo hiç – se marre.)”, ka shkruar Kelmendi, në llogarinë e tij në Facebook.
As Ismet Kryeziu, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, nuk e ka parë aspak si veprim të mirë pajisjen e Haradinajt me pasaportë të Shqipërisë.
Kritika në adresë të Kryeministrit ka drejtuar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.
Ish-kryetarja e Gjakovës e ka cilësuar më shumë se skandaloz marrjen e pasaportës shqiptare nga Haradinaj.
“Sikur lajmi të ipej me 1 Prill edhe do të kishte një marifet. Sot ky lajm shkon përtej skandalit”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Vetëm mund të paramendojmë si do të dukej sikur një Kryeministër i një vendi tjetër në Evropë të aplikonte për pasaportë të vendit fqinj?!”, ka komentuar Kusari-Lila.
“Përgjegjësinë për izolim të Kosovë e mban në masë Kryeministri aktual i Kosovës, i cili për të shpërthy izolimin e vet personal, tash nga posti i vet aplikon për pasaportë të Republikës së Shqipërisë. E marrtë dreqi Kryeministër, pse nuk e morret më herët këtë pasaportë, por tash si Kryeministër?! Apo nuk ka kufinj të poshtëm të nënçmimit që ju ia bëni çdo ditë qytetarit të Kosovës”, ka shkruar deputetja.
“Sot kur duhet të bëni zgjidhje për izolimin e Kosovës, ju bëni zgjidhje për veten tuaj. Sot kur duhet të mendoni për mirëqenien e Kosovarëve, ju punoni ekskluzivisht për mirëqenien tuaj”, ka thënë Kusari-Lila.
“Rri Kryeministër në Shqipëri, le të japin pozitë nderi atje. Kosova meriton shumë më mirë se qeverisjen tuaj”, ka shkruar ajo në Facebook.