Kriza e çmimeve të karburanteve: Ballkani ul taksat, Shqipëria reagoi vonë dhe vetëm pesë ditë
Rritja e çmimeve të naftës si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme shkaktoi presione të forta inflacioniste në Ballkanin Perëndimor. Valë-shpërthimet në tregjet ndërkombëtare u përftuan në çmimet e karburanteve, faturat e transportit dhe çmimet e ushqimeve, duke detyruar qeveritë e rajonit të ndërhynin me masa fiskale të përkohshme si ulje taksash, reduktim akcizash dhe kufizime marzhesh për të zbutur rritjen e çmimeve.
Sipas monitor, një analizë e mbështetur nga GIZ dhe #SustainMedia, e përpiluar mbi raportimet e gjashtë gazetarëve ekonomikë të vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se shtetet si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia reaguan më shpejt dhe më efektivisht, duke mbajtur çmimin e naftës në nivel deri rreth 40 lekë për litër më të ulët se në Shqipëri dhe duke nxitur furnizime nga jashtë kufijve.
Në dallim, Shqipëria pati një reagim të vonuar dhe një ndërhyrje fiskale të kufizuar. Qeveria uli akcizën për karburantet me 20% vetëm në rast se çmimet me pakicë kalonin pragun e 220 lekëve për litër (200 lekë për benzinën), masë kjo që u aplikua për vetëm pesë ditë, nga 3 deri më 8 prill, kur çmimet arritën 224 lekë për litër. Më pas, Bordi i Transparencës mbajti tavanin e çmimit nën 220 lekë, ndërsa ndikimi i shkurtër i masës rezultoi i pamjaftueshëm për të ulur ndjeshëm çmimet ose kostot e transportit.
Vendimet e tjera në rajon morën forma të ndryshme: Mali i Zi në 20 mars uli akcizat (50% për naftën dhe 25% për benzinën); Maqedonia e Veriut reduktoi TVSH-në për karburantet në 10% më 22 mars dhe e la në fuqi deri në përfundim të krizës; Serbia aplikoi ulje akcizash 25%, kufizoi eksportet dhe hodhi në treg rezervat shtetërore; Kosova vendosi marzhe maksimale fitimi dhe çmim tavan (me 12 eurocent për litër fitim me pakicë dhe 2 eurocent me shumicë, dhe çmime tavan për disa karburante), ndërsa Bosnja e Hercegovina mbeti më e ngadalta për shkak të procedurave parlamentare. Ekspertët vërejnë se këto masa kanë zbutur efektet afatshkurtra, por presionet inflacioniste vazhdojnë dhe shumë sektorë vendas përballen me rritje kostosh të furnizimeve dhe ambalazheve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar gjithashtu parashikimet për Ballkanin, duke ulur pritjet e rritjes ekonomike dhe rritur parashikimet e inflacionit për disa vende. FMN parashikon për Shqipërinë një rritje rreth 3.4% dhe inflacion 3.7%; për Bosnjën rritje 2.2% dhe inflacion 3.6%; për Kosovën rritje 3.6% dhe inflacion 5.8%; për Malin e Zi rritje 2.8% dhe inflacion 3.4%; për Maqedoninë e Veriut rritje 3.1% dhe inflacion 5.4%; ndërsa Serbia pritet të ketë rritje 2.8% dhe inflacion 7.0%.
Ekonomistët rekomandojnë ndërhyrje më të synuara për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset: ulje taksash të karburanteve, reduktim të TVSH-së për produkte ushqimore dhe masa afatgjata për konsolidimin e prodhimit vendor – veçanërisht në perime, bulmet dhe industrinë përpunuese ushqimore. Për të shmangur pasojat më të rënda sociale dhe ekonomike, kërkohet një kombinim masash emergjente dhe investimesh afatgjata në prodhimtarinë vendore, raporton monitor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.