Opinion

Kriza për bashkësinë e të kulturuarve

Nga Aleksandër Çipa

Në realitetin e sotëm të shoqërisë shqiptare mbishquan kriza e pakulturimit. Është prezente në shumëçka, por më tepër shfaqet në debatin publik, në polemikat publike, në komunikimin dhe ligjërimin publik dhe në mënyrën më tronditëse e të turpshme, në jetën politike dhe sidomos atë parlamentare të vendit. Rrjetet sociale, aty ku gjejnë mundësinë të vetëshprehen në lirinë e dëshiruar gjithë soditësit e mençur të kësaj shoqërie, vëren se sa refuzim masiv ka për këtë sundim të të pakulturuarve në jetën publike të shoqërisë sonë.

Është brengosëse kritika e shpërndarë e disa qindra ndoshta edhe mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, por që mbajnë në shqisat dhe ndjenjat e tyre përditshmërinë e vendit. Është një kritikë e ashpër dhe e drejtë për nivelin lumpenik të debatit dhe reagimit shoqëror e publik në skenën shqiptare. Kurrë ndonjëherë më parë, nuk ka pasur përfaqësimi parlamentar i vendit një notë kaq të ulët vlerësimi dhe gjykimi sa aktualisht prej këtij opinioni dhe publiku të kulturuar e sidomos të ditur e përvojëfituar. Por, fatkeqësisht, është ajo masë e publikut që ka zgjedhur ose i është imponuar distanca dhe refuzimi i përfshirjes.

Ka qindra e ndoshta mijëra shqiptarë të ditur e të kulturuar që janë kritikët më objektivë për atë që po ngjet e shfaqet në skenën publike të Shqipërisë së sotme. Nuk janë pasionantë palësh, nuk janë militantë të larguar e as të pakënaqur të përhershëm. Nuk janë “gjuetarë gabimesh” dhe as empirikët kriticistë, por thjesht të ditur e të arsimuar pa skema informale që ia kanë dalë me mund e sakrifica si shumica e rinisë dhe elitës së sotme globale të fitojnë kualitetin e dijeve dhe standardin e të menduarit e punuarit në shoqëritë e vendeve të BE-së apo të SHBA-së. Kritikat e tyre nuk mbartin asnjë konflikt interesi dhe nuk përfaqësojnë asnjë shërbesë të papaguar propagandistike nga palët apo paria e Shqipërisë tranzicioniste.

Të gjithë të pakënaqurit e kulturuar, ata që janë jashtë atdheut, por që e ndjekin orë më orë realitetin e tij, si dhe të heshturit e mençur brenda tij, kanë një fajësi: Nuk ia kanë dalë dhe nuk po ia nisin të organizojnë dhe formojnë një bashkësi të kulturuarish.

Ndryshe nga shumë shoqëri të vendeve të Europës Juglindore, ndryshe nga dy prej fqinjëve më ndikues në jetën dhe mendësinë tonë, pra Italia dhe Greqia, ne nuk po e fitojmë qoftë edhe rishtarshëm provën e formimit të një bashkësie të kulturuarish, realizimin e një fryme bashkësie që të mund të krijojë sadopak tjetër frymë, prirje dhe ndryshim. Se mungon kjo bashkësi, prandaj nuk po ia dalim të krijojmë kontrastin me këtë realitet të ndenjur, ku sundon kaosi dhe injoranca krenare.

Jemi një vend ku jehona e akademizmit të sotëm nuk e tejkalon mitin e akademikëve të diktaturës. Pse? Sepse të sotmit nuk e kanë një bashkësi të tyre dhe si të tillë, një përfaqësim të organizuar edhe pse e kemi një Akademi. Dy ditët e fundit Parlamenti, por sidomos Kryeministri Edi Rama, po replikon ashpër me akademikun Artan Fuga, për shkak të refuzimit që profesori i bën projektligjit që tashmë po merr forcën e të qenët ligj i ri për arsimin e lartë në vend. Një përballje të cilën nuk na nderon që e sodisim si shoqëri, media dhe aq më tepër profesorat shqiptar. Mungoi edhe në këtë rast evidentimi i bashkësisë së profesoratit dhe akademizmit shqiptar. A thua se jemi në fillesë apo periudhë foshnjarake të tij? Përkrah akademikut Artan Fuga do të duhej të ngriheshin me oratorinë dhe dijeninë e tyre profesionale dhjetëra akademikë e profesorë të tjerë të vendit, si ata që janë të gjendur në universitetet publike, ashtu edhe ata në ato private. Do të ishte një rast i shkëlqyer që kjo kastë e heshtur e dijes dhe kulturës arsimore të vendit të shfaqej. Është fatlume një shoqëri që e mban vijimësisht të ngritur e të zhurmshme foltoren e oratorisë akademike, në mënyrë të veçantë për aspekte të reformave arsimore dhe atyre administrative. Kjo mungesë përkrah profesor Fugës është një turp që ka për të na i dhënë skuqjen në të ardhmen e afërt. Ndërkohë që kjo mungesë është e turpshme edhe në rastin kur akademikut Fuga nuk i kundërpërgjigjet qoftë edhe një profesor i universiteteve private kur ai shkeleshkon etikën duke kaluar në delir në statusin e vet në FB, kur shton si drejtues i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në UT, se sa për konkurrencën me privatët “i ha me gjithë lecka”. Bashkësia e profesorëve të vendit në rastin e këtij debati, por më së shumti për ligjin e ri, duhej të ishte më aktive dhe më e zëshme në jetën publike dhe hapësirën mediatike.

Faik Konica e themeloi “Albania”-n duke ia dalë të bëjë një medium që mblodhi të kulturuarit si në debat, në polemikë dhe në vizione. Sot ne na ka vënë për këmbësh kaosi dhe anarkia. Jemi nën diktaturën e kaosit dhe anarkisë, të cilat kanë për thelb të tyre, mungesën e hierarkisë së dijes, vlerave, aftësive dhe kurajës.

Kriza jonë ka vetëm një emër: Është krizë e antisistemistëve që ia kanë dalë të vendosin regjimin e anarkisë dhe kaosit. Për ta, ligjet dhe ndryshimet ligjore janë thjesht një alibi. Dalja nga kriza jonë nis kur do t’ia dalim të organizojmë dhe strukturojmë bashkësitë tona të të kulturuarve dhe të të kualifikuarve. Në këto bashkësi nevojitet të rreshtohen matanë diferencave apo rekrutimeve partiake pikërisht të heshturit dhe refuzuesit e heshtur të kësaj shoqërie. Në të kundërt, nëse koha e mungesës dhe e vonesës së daljes nga kriza e krijimit të këtyre bashkësive do të vazhdojë, atëherë Shqipëria e sotme është arsyeja e “Shqipërisë së pabërë” edhe për dekadat e ardhme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button