Kriza që ka mbërthyer rrugën detare më të rrezikshme në botë
Donald Trump nuk tregon asnjë shenjë, që është një student I historisë. Le të themi që përmendja prej tij kohët e fundit, e kapjes së “porteve ajrore” nga Ushtria Kontinentale gjatë Luftës Revolucionare Amerikane ndaj Britanisë, në fund të shekullit 18, ishte një shkarje goje.
Më serioze është politika e tij e pamatur kundrejt Iranit, që tregon se ai nuk di asgjë për “luftën e tankerave”, që ndodhi në Gjirin Persik mes viteve 1984 dhe 1987.
Në të vërtetë, duke parë kaosin e mirëdokumentuar në administratën e tij, të vjen të pyesësh nëse ndokush në Shtëpinë e Bardhë, i ka parasysh precedentët e të shkuarës, kur harton strategjinë aktuale. Kjo ka rëndësi, sepse përsëritja e një beteje me shënjestër anijet tregtare, do të shkaktonte dëme shumë të mëdha, njerëzore dhe ekonomike.
Industria e anijeve të transportit është sistemi qarkullues, por tejet i pavënë re, i botës sonë të globalizuar. Siç përshkruhet në librin e Rose George mbi këtë temë, “Det i Thellë dhe Tregti e Jashtme”, afro 100 mijë anijet – disa me përmasa sa një fushë futbolli – e flotës tregtare ndërkombëtare transportojnë pothuaj 90 përqind të gjithçkaje që ne kemi nevojë të konsumojmë. Kjo përfshin “rrobat që kemi veshur, karburantin në makinë dhe ushqimin në pjatë”. Ndale industrinë e anijeve dhe ke ndalur botën.
Edhe një ndërprerje e pjesshme e kësaj industrie, mund të shkaktojë probleme të konsiderueshme. Dhe shtimi i tensioneve mes SHBA dhe Iranit po rrezikon të shkaktojë pikërisht këtë gjë.
Një seri prej gjashtë sulmesh kundër anijeve tregtare në Gjirin Persik, ka ndodhur në muajt maj dhe qershor. Janë përdorur pajisje shpërthyese të kontrolluara kundër anijeve. Nuk ka patur humbje jetësh apo mallrash. Pavarësisht protestave të Iranit, se këto sulme kanë qenë të organizuara nga armiqtë e vet, për ta diskredituar, pjesa më e madhe e vëzhguesve ndërkombëtare i konsiderojnë si goditje paralajmëruese nga ana e Teheranit. Në këndvështrimin e tyre, qëllimi i tyre ka qenë të demonstrohet dëmi që Irani mund të shkaktojë ndaj rrjetit të anijeve globale, në përgjigje të nisje nga SHBA, të një konflikti të mundshëm ushtarak.
Përmasa e mundshme e dëmit që do të shkaktonte Irani, është shumë e madhe.
Gjiri i Hormuzit është një arterie e ngushtë e transportit detar mes Iranit dhe Omanit. Afro një e treta e eksporteve të naftës brut të të gjithë botës kalon nga ky gji – vetëm 39 km i gjerë në pikën e vet më të ngushtë – rrugës nga Gjiri Persik, për tek blerësit në Azi, Afrikë, Evropë dhe Amerika.
Ashtu si dhe vetë Irani dhe Iraku, këto furnizime shumë të rëndësishme vijnë prej aleatëve të SHBA dhe armiqve të Iranit, si Arabia Saudite, Kuvaiti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nuk ekzistojnë rrugë të rëndësishme alternative.
Gjeografia e Gjirit të Hormuzit detyron transportin ujor të kalojë pranë ujërave territoriale të Iranit, dhe i jep Iranit goxha mundësi për ta ndërprerë. Shpejtësia dhe lehtësia e qasjes nga portet iraniane që ndodhen aty pranë, u bëjnë të mundur forcave speciale dhe flotës së varkave të shpejta të patrullimit, që të angazhohen shumë shpejt në trafik ujor.
Irani gjithashtu mund të përshkallëzojë më tej luftën ndaj anijeve tregtare. Kjo u demonstrua qartë gjatë fazës së Luftërave të Tankerave në vitet 1980-1988 mes Iranit dhe Irakut, një konflikt i përgjakshëm që shkaktoi më shumë se 500 mijë të vdekur.
Ashtu si vetë konflikti kryesor, Lufta e Tankerave në fakt u nis nga Iraku i Sadam Huseinit. Në vitin 1984, ai nisi bombardimin nga ajri të tankerave të dhe instalacioneve iraniane të naftës, duke përfshirë edhe anije të shteteve të tjera që transportonin naftë prej porteve të Iranit. Objektivi i Sadamit – ashtu si ai i Trumpit sot – ishte që të dëmtonte ekonominë e kundërshtarëve iranianë.
Irani fillimisht kërcënoi se do të mbyllte Gjirin e Hormuzit. Pak ekspertë vunë në dyshim se mund ta bënte. Por në fund, Irani u tregua më i përmbajtur, duke vendosur që të kufizonte sulmet vetëm mbi anijet. Irakiane.
Edhe kështu, qindra civilë gjetën vdekjen gjatë sulmeve. Faza e parë e Luftës së Tankerave shkaktoi një rënie me 25% të transportit ujor tregtar si dhe një rritje të madhe të çmimit të naftës. Edhe kostot e tjera, si premiumet e sigurimeve për anijet, pësuan rritje të madhe.
Dallimi me konfliktin që kanoset sot, ishte se Lufta e Tankerave qe një nënprodukt i luftës së madhe të Iranit me Irakun. Sulmet e sotme ndaj anijeve mund të jenë një faktor qendror, për të shkaktuar një luftë totale mes Iranit dhe SHBA, dhe mund të bëhen arma kryesore e Iranit në këtë luftë.
Forcat e armatosura iraniane janë të përgatitura, por as nuk krahasohen me ushtrinë amerikane, në një betejë konvencionale. Irani gjithashtu nuk ka ndërmend të përgjigjet me të njëjtën monedhë, dukedëmtuar ekonominë e SHBA përmes sanksioneve. Këto realitete mund ta shtyjnë Iranin që të marrë maksimumin prej avantazheve strategjike që ka – bllokimin e Gjirit të Hormuzit dhe shfrytëzimin e dobësisë së transportit ujor tregtar.
Tragjikisht, përshkallëzimi i tensioneve në Gjirin Persik mund të shmangej. Ato janë pasojë direkte e vendimit të Trumpit për të grisur marrëveshjen bërthamore me Iranin, dhe të impononte politikën e tij të presionit maksimal mbi Iranin. Trumpi pretendon se sanksionet e tij të forta do e detyrojnë Iranin që të pranojë një tjetër ujdi, me kushte më të pafavorshme, dhe që përfshijnë një sërë çështjesh përtej programit bërthamor.
Irani ka një histori të gjatë të rezistencës ndaj një presioni të tillë. Në një farë mase, këtë herë Teherani do të ndihmohet prej izolimit të SHBA, si i vetmi vend që është i gatshëm të vendosë sanksione të reja.
Po kështu, është bërë tashmë e qartë gjatë negociatave një dekadëshe për marrëveshjen bërthamore, se përpjekjet për të përfshirë çështje të tjera në të, si për shembull ndërhyrjet e Iranit në shtetet e tjera të Lindjes së Mesme, nuk të çojnë askund. Në vend të kësaj, negociatorëtparashikuan se besimi i krijuar përmes implementimit të suksesshëm të marrëveshjes bërthamore, do tëpërgatiste terrenin për diskutime në tema të tjera.
Vëzhguesit e pavarur ndërkombëtarë që monitoronin zbatimin e marrëveshjes vazhdimisht konfirmuan se Irani po u përmbahej termave të saj. Marrëveshja po e arrinte synimin e vet, të kontrollit të programit bërthamor të Iranit. Eshtë e vështirë të mendosh që grisja prej Trumpit të një marrëveshjeje që po funksiononte, duke zeruar kështu besimin e brishtë të Iranit tek Perëndimi, do të sjellë rezultate më të mira.
Dobësia më e qartë në qasjen e Trumpit, është se ajo nuk përbën fare një strategji. Siç raportonte ish ambasadori britanik, Kim Darroch, në telegramet e tij të famshme, “akti i vandalizmit diplomatik” që bëri Trumpi duke u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore, u bë për “arsye personaliteti”. Marrëveshja ishte një sukses i presidentit Obama. Kështu që, në mendjen e Trumpit, ajo duhej grisur.
Pjesa më e madhe e botës është e bashkuar në horror, kur sheh hedhjen poshtë të marrëveshjes bërthamore nga Trumpi. Një sërë fuqish nga Evropa në Indi, Japoni dhe Kinë do të largoheshin edhe më shumë prej SHBA, nëse vazhdimi i konfliktit me Iranin do të shkaktonte fikjen e dritave dhe vuajtje prej mangësive në furnizimin me energji, apo rritje të çmimit të naftës.
Po kështu, nevoja e tyre për të mbrojtur transportin e vet detar dhe furnizimet, do ua bëjë më të vështirë aleatëve të SHBA dhe të tjerëve, që të shmangin përfshirjen në konflikt.
Në të vërtetë, fërkimet mes SHBA dhe Iranit kanë nisur të eksportohen në shtete të tjera, duke përfshirë Britaninë. Në fillim të këtij muaji, Marinsat Mbretërorë Britanikë ndaluan një supertanker me flamur panamez, Grace 1, pranë brigjeve të Gjibraltarit. Anija dyshohej se po shkelte sanksionet evropiane, duke transportuar naftë iraniane për tek regjimi i Asadit në Siri.
Irani reagoi me tërbim, ndaj atij që e quajti sekuestrim i paligjshëm i anijes. Ambasadori britanik në Teheran u thirr prej iranianëve, të cilët akuzuan Mbretërinë e Bashkuar se po bënte sipas porosive të SHBA, në fushatën e saj të presionit kundër tyre.
Pavarësisht protestave të britanikëve se sekuestrimi ishte në kuadër të zbatimit të embargos ndaj Sirisë dhe nuk kish fare të bënte me burimin e ngarkesës, një përgjigje me të njëjtën monedhë nga ana e iranianëve, erdhi një javë më vonë. Tre luftanije iraniane. U përpoqën të bllokojnë një tanker britanik, “British Heritage”, që të hynte në Gji përmes Ngushticës së Hormuzit. Kalimi i sigurt i tankerit erdhi vetëm pas një përballjeje plot tension ku u përfshi një fregatë e Marinës Mbretërore, HMS Montrose, e cila u fut mes anijes tregtare dhe lufttanijeve iraniane.
Ka shqetësime të qarta dhe legjitime se një Britani e dobësuar prej Brexit, nën udhëheqjen e Boris Johnsonit, mund të detyrohet nga Donald Trump që të përfshihet më thellë në konfliktin me Iranin.
Vetë SHBA ka një vetëmjaftueshmëri gjithnjë e më të lartë sa i përket furnizimit me naftë. Por një ndërprerje e madhe në industrinë globale të transportit detar, do të shkaktonte rritje të çmimeve të naftës globale, dhe si pasojë atyre amerikane – një çështje tejet sensitive kjo në një vend me varësi të lartë nga makinat.
Shumë amerikanë duken se nuk janë të vetëdijshëm se sa shumë vendi i tyre përfiton prej ekonomisë së globalizuar. Rritja e kostove të energjisë dhe transportit detar do të shkaktonte një ngadalësim të tregtisë botërore. Një kolaps, për shembull, në eksportet e produkteve bujqësore të Amerikës së mesme do të shkaktonte një tronditje të madhe, dhe votuesit mund të mos e falënderojnë Trumpin, që e shkaktoi atë.
Ata do të jenë edhe më të zemëruar, nëse dëshira fëmijërore e Trumpit për të shkatërruar trashëgiminë e paraardhësit të tij, do të shtynte amerikanët në zhyteshin në një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme, në vend se Trumpi të përmbushte premtimin për tërheqjen e trupave.
Fraza “ata që nuk mësojnë nga historia, janë të dënuar ta përsërisin atë”, i atribuohet filozofit George Santayana. Ajo përmendet aq shpesh, saqë është shndërruar në klishe. Por përmendet shpesh, sepse shpesh është e vërtetë. Kur të mendojë mbi hapat e ardhshëm ndaj Iranit, presidenti Trump do të bënte mirë ta kujtonte këtë maksimë, si dhe impaktin e mundshëm që veprimet e tij do të kishin në industrinë globale të transportit detar.
The New European