Kryebashkiaku Çipa pret në Sarandë Ambasadorin Austriak
Ambasadori i Austrisë ne Tiranë Thomas Schnöll, është pritur pasditen e 12 nëntorit nga Kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa në bashki. Në pritje merrte pjesë edhe nënprefekti i Sarandës, Ilir Hysi.
Pas prezantimit të profilit të Sarandës, si qyteti më turistik në jug të vendit, Kryetari i Bashkisë Stefan Çipa ka folur për marrëdhëniet Shqiperi-Austri, të para në optiken e 100 viteve histori. Marrëdhëniet tona me Austrinë kanë një histori të paktën njëshekullore, u shpreh Kryebashkiaku Stefan Çipa. Ai ka veçuar faktin qe austriakët janë ndërtues të rrugës automobilisike Vlorë-Sarandë dhe se kjo është përjetësuar edhe në kujtesën e njerëzve tanë, si edhe në memorialin që ngrihet në fshatin Shënvasil të Sarandës..
Kryetari i Bashkise, Stefan Çipa e ka çuar kujtesën 10 vite më parë, kur donatorë austriakë nga Graci i Austrisë, janë gjendur pranë institucionit të Shtëpisë së Fëmijëve të Sarandës, me një paketë ndihme me objekte hotelerie për kete institucion, për të vijuar me 2005, kur është zyrtarizuar binjakëzimi i Bashkisë Sarandë, me qytetin e Waitz në Austri. Ai tha se Saranda në veçanti, ka qenë një destinacion tërheqës për investime serioze nga qeveria austriake dhe ka përmendur ndihmesën e madhe që ka dhënë qeveria austriake për shkollën e mesme profesionale Hoteleri-Turizëm, si dhe grantin e qeverisë austriake për ndërtimin e ujësjellësit të Sarandës, me vlerë mbi 4 milionë euro.
Nga ana e vet ambasadori Schnoll tha se Saranda është qyteti i parë që është duke vizituar në jugun shqiptar. Ai ka vlerësuar përpjekjet që bëhen për zgjerimin e kufijve të sezonit turistik nga Bashkia e Sarandës dhe bëri të ditur vizitën e Presidentit të shoqatës së të moshuarve austriakë në Shqipëri më 26 nëntor në Tirane. Ai ka selektuar Sarandën si një ndër vendet alternative për t’u vizituar jashtë sezonit turistik veror.
Nënprefekti i Sarandës, Ilir Hysi, i pranishëm në këtë takim, tha se Saranda është një ndër tri pikat kryesore të hyrjes së të huajve në tokën dhe në ujërat shqiptare dhe ne e mbajmë mirë parasysh këtë.
Kryebashkiaku Çipa tha se kushdo që zgjedh Sarandën, për të vizituar në verë apo në vjeshtë, bën zgjedhjen e duhur dhe se ajo është po kaq tërheqëse si në verë, edhe në vjeshtë e në pranverë.
Në fund të takimit kryabashkiaku Stefan Çipa i dhuroi ambasadorit austriak Schnoll simbolin e anijes-shqiponjë, që ankoron në brigjet e saj, ndërkohë që ai la një mbishkrim në Librin e Artë të Bashkisë së Sarandës.