Kryekomunari i Lazaratit paditet në prokurori: Ndikoi në mbjelljen e hashashit
Policia e Gjirokastrës: Prova se Aliko ka qenë pjesë e grupit
160 çështje – Ka në dorë prokuroria, kryesisht e Gjirokastrës, për banorët e Lazaratit që akuzohen për kultivim hashashi e armëmbajtje
32 lazaratas – Janë arrestuar nga policia për vepra të ndryshme penale. Personi që konsiderohet si më kryesori është Gate Mahmutaj
43 të tjerë – Po hetohen në gjendje të lirë, të cilët janë kryesisht persona që akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike
85 procedime – Janë ende të hapura në Prokurorinë e Gjirokastrës apo policinë, të cilat nuk kanë autorë apo emra konkretë personash
Nga Sokol Çobo
Kreu i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, ka ndikuar për mbjelljen e hashashit. Kështu pretendon Policia e Gjirokastrës, e cila ka denoncuar Alikon në prokurori me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa pretendon se ai ka “bashkëpunuar” me dy kryepleqtë e kësaj “ish-republike” kanabisi. Provat për këta zyrtarë vendorë kanë shkuar në prokurori, e cila po verifikon provat për të vendosur nëse do të fillojë apo jo një procedim penal. Ky kallëzim ndaj Alikos është i dyti, pasi pak javë më parë, Policia e Shtetit e akuzoi kryekomunarin për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasje e mbetur në tentativë, moskallëzim krimi, e akuza të tjera. Por, Prokuroria e Krimeve të Rënda po e heton në gjendje të lirë, pasi deri më tani nuk ka gjetur prova fajësie.
Kallëzimi i dytë
Ditët e fundit, në Prokurorinë e Gjirokastrës ka mbërritur një tjetër kallëzim penal ndaj Dasho Alikos, kësaj here me akuzat e shpërdorimit të detyrës. Së bashku më të, nën akuzë, janë vënë dhe dy kryepleqtë e fshatit, pasi këta persona, me veprimet e tyre, kanë ndikuar në mbjelljen dhe kultivimin e kanabisit në fshat. Nga policia është kërkuar që të verifikohet nëse pronat e fshatit rebel janë shfrytëzuar për t’u mbjellë me drogë. Policia thotë se ka gjetur prova për këtë zyrtar vendor, ndërsa dosja e tij do të hetohet paralelisht me dhjetëra persona të tjerë, që janë akuzuar për mbjellje apo mbajtje të lëndëve narkotike. Prokuroria e Gjirokastrës po heton rreth 160 persona, ndërkohë që numri pritet të rritet, pasi aksioni vazhdon ende në terren. Sipas burimeve, deri më tani janë arrestuar 32 persona nga policia, 43 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa pjesa tjetër e procedimeve deri tani nuk ka autor. Shumica e dosjeve penale regjistruar në Gjirokastër janë me akuzën e prodhimit, kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ndërkohë, persona të tjerë po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese mbetur në tentativë, pasi kanë qëlluar ndaj efektivëve të policisë që u angazhuan në aksionin pesëditor për marrjen e Lazaratit.
Kallëzimi i parë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur që të hetojë në gjendje të lirë Dasho Alikon, kreun e Komunës së Lazaratit, i cili është denoncuar nga Policia e Shtetit, për akuzat e organizimit dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale, vrasje në rrethanë cilësuese në dëm të policëve, moskallëzim krimi dhe përkrahje e autorit të krimit. Policia dyshon se të gjitha këto akuza qëndrojnë, madje në një dalje publike, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, deklaroi se “prova e gjallë është vetë fshati i Lazaratit, personat që ishin atje, armët dhe droga”. Kallëzimi i Policisë së Shtetit po verifikohet nga prokurorët që kanë në duar edhe disa çështje me banorë të fshatit të Lazaratit, të cilët akuzohen për të njëjtat vepra penale, por ndryshe nga Aliko, ata hetohen me masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”. Burimet nga akuza shprehen se ende nuk e kanë vërtetuar nëse Aliko ka qenë apo jo në këtë organizatë kriminale që vepronte në territorin ku dhe ishte kryetar komune, ndërsa shpjegon se gjatë aksionit disaditor në Lazarat, ai ka qenë mjaft aktiv, teksa është takuar edhe me disa persona, të cilëve u ishte përmendur emri nga policia që kishin qëlluar forcat speciale. Ditët e aksionit, Aliko u sulmua edhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i vuri një ultimatum: ose me policinë, ose do të konsiderohesh si kriminel! Në fakt, pas mbarimit të aksionit, policia e konsideroi Alikon si një kriminel, të cilin e akuzoi për një sërë veprash penale, por që deri më tani nuk janë faktuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet nga akuza shprehen se nuk kanë prova të mëparshme se Aliko ka qenë pjesë e bandës apo të paktën të ketë sulmuar forcat e rendit, ndërsa i ka kërkuar Policisë së Shtetit të sjellë të tjera fakte.