Kryemadhi, Balla dhe Dade në mbështetje të kandidates së ASHE për Bashkinë e Përrenjasit, Miranda Rira
Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Përrenjasit, Miranda Rira, zhvilloi një takim me gratë e Bashkisë Përrenjas. Kandidatja Rira ishte e shoqëruar nga deputeti i zonën Taulant Balla, deputetja Monika Kryemadhi, si dhe deputetja Arta Dade.
Kandidatja Miranda Rira u bëri thirrje të gjitha grave të Përrenjasit, të majta dhe të djathta, që ta mbështesin atë me votë me 21 qershor. “Unë jam shumë mirënjohëse për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë gjatë gjithë kësaj kohe dhe jam e sigurt që dhe në ditët në vijim do të më mbështetni po kaq shumë. Ne kemi një program të qartë që lidhet vetëm me ju gratë se si do të fillojmë punësimin e grave dhe si do të ulim varfërinë e Përrenjasit. Ju jap fjalën sot publikisht që do të jem pranë jush në çdo moment dhe do të jem zëri juaj më i fortë”, tha kandidatja Rira në fjalën e saj.
Rira premtoi se pas 21 qershorit qyteti i Përrenjasit do të ketë tjetër fytyrë.
“Ne do të promovojmë fort bujqësinë, të gjithë ata që duan të mbjellin vreshtari, të investojnë në blegtori dhe të gjitha ata që duan të ndërtojnë një baxho do të kenë përkrahjen tonë. Ne do të hapim bizneset fasone dhe do të punësojmë 300 gra njëherësh dhe në fokusin tim do të jenë shtresat në nevojë. Do të jem avokatja juaj më e madhe për gratë që marrin iniciativa të para si në biznese dhe çdo lloj fushe tjetër. Na presin shumë sfida sociale dhe ekonomike dua ju garantoj se do të jem në krye të detyrës 24 orë. Prandaj do doja t’ju bëja thirrje që me 21 qershor ju si gra të zgjidhnit një grua për herë të parë në Bashkinë e Përrenjasit. Vota juaj do të përkthehet në më shumë punësim, më shumë shërbim dhe më shumë mirëqenie për ju”, përfundoi fjalën e saj kandidatja e ASHE-së, Miranda Rira.
Nga ana tjetër, deputetja Monika Kryemadhi tha se me kaq shumë gra, fitorja e Miranda Rirës në Përrenjas është e garantuar. “Dua t’ju them se vota për Mirandën është vota për më shumë shërbim më shumë punësim por mbi të gjitha është vota për gjitha gratë e Përrenjasit”, tha deputetja Kryemadhi në fjalën e saj. “Në fakt Miranda ishte shumë mirë deputete, ishte një nga ato më aktivet, ishte dhe një nënë e re, por me vullnetin e saj ajo i shtoi vetes dhe një avaz tjerët atë të halleve tuaja pasi ishte e vetmja kandidaturë dhe alternativë më e denjë dhe më profesionaliste për ta hapur këtë qytezë të vogël dhe jo për ta mbyllur. Prandaj nëna, vajza, gra, të gjitha bashkë më 21 qershor të votoni Mirandën dhe drejtimin e duhur për Përrenjasin që t’i kthejmë këtij qyteti atë që i ka munguar në vite”, përfundoi Kryemadhi.
Ne fjalën e tij, deputeti Taulant Balla theksoi mbështetjen që ai i jep kandidates së znj. Rira dhe njëkohësisht kërkoi dhe mbështetje e të gjitha grave të Bashkisë së madhe Përrenjas. “Miranda është një grua model, një politikane aktive, një administratore e zonja, por mbi të gjitha dhe një nënë e përkushtuar. Prandaj edhe një herë do ju ftoja që të majta dhe të djathta këtë herë gratë e Bashkisë Përrenjas të bëheshin të gjitha bashkë dhe në 21 qershor me votën e tyre të zgjidhin drejtimin e duhur duke ndryshuar kështu dhe rrotacionin historik për t’i dhënë Përrenjasit atë që meriton” u shpreh deputeti Balla.
Deputetja Arta Dade e tha se Miranda ishte një deputete shumë aktive dhe së bashku kemi lobuar fort dhe për përqindjen e Këshillit bashkiak që 50% të ishin gra.
“Miranda do ta ketë një detyrë të vështirë, por kjo do të thotë se ka më shumë përgjegjësi për të gjithë qytetarët e Përrenjasit. Të jesh kryetare bashkie do të thotë që të kesh një përgjegjësi shumë të madhe, por dhe aq të bukur pasi dëshira për të bërë gjëra të bukura e kemi të gjithë dhe unë jam e sigurt që në Përrenjas do të bëhen gjëra të mira dhe të bukura me kryetare Miranda Rirën. Miranda di të hartojë projekte që ta bëjnë Përrenjasin më të bukur, më të vizituar. E njoh shumë mirë këtë vajza për vullnetin dhe guximin. Prandaj më 21 qershor të gjitha gratë e Përrenjasit të mbështesin një grua, të mbështesin drejtimin e duhur”, përfundoi fjalën e saj, Arta Dade