Bosnja-Hercegovina është e gatshme të bashkëpunojë për të gjitha projektet që do t’i shërbejnë lidhjes mes vendeve të rajonit. Kjo u deklarua nga kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdiç gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Vjenës që po mbahet të enjten në Tiranë.
Zvizdiç tha se vendet e Ballkanit kanë treguar vullnet për të bashkëpunuar jo vetëm sa i takon zhvillimit të infrastrukturës. “Bashkëpunimi duhet të jetë parakusht jo vetëm për pjesën ekonomike por ehe për zhvillimin social” tha Zvizdiç.
Këto takime, vijoi kryeministri i Bosnjës, duke iu referuar Forumit të sotëm, po tejkalojnë ato steriotipe të cilat i kemi prodhuar prej vitesh, që tregojnë se nuk jemi në gjendje apo të gatshëm për të bashkëpunuar. “Takimi i sotëm e takimet e mëtejshme që do të zhvillojmë vërtetojnë se jemi të hapur e kemi vullnet të bashkëpunojmë në të gjitha fushat. Edhe në kuptimin ekonomik e politik, po bashkojmë forcat e po krijojmë një treg të vetëm, i cili të jetë tërheqës për investimet e huaja”, tha kryeministri boshnjak.
Kreu i qeverisë së Bosnje-Hercegovinës, foli edhe për projektet e zhvillimit të Bosnjës , të cilat tha ai do të n’a integrojnë fillimisht së brendshmi në rajon e më pas në Bashkimin Europian.
“Ne jemi të gatshëm të mbështesim të gjitha ato projekte që sjellin një konektivitet më të madh. Doja të theksoja kërkesën për të marrë në konsideratë autostradën adriatiko-joniane, që ka avantazhe shumë të mëdha e duhet të përshkrojë edhe Bosjnë-Hercegovinën për një sërë arsyesh”, deklaroi kryeministri Zvizdiç.