Kryeministri i Kosovës në rolin e një përçarësi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, në pamje të parë personazh i qetë dhe madje i tërhequr, reagoi sot ashpër ndaj “politikës shqiptare”, institucioneve dhe intelektualëve të Tiranës, për deklaratat “ndërhyrëse” mbi krizën aktuale politike në Kosovë.
“Unë uroj që në Shqipëri të mos ndodhë gazi lotsjellës në Parlamentin Shqiptar, as në rrugë, sepse të gjithë ne i dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla të vitit 1997. Dhe po ashtu, konstatoj se eksponentët e asaj dhune nuk mund ta moralizojnë askënd, nuk mund të moralizojnë për demokraci as në Shqipëri dhe as në Kosovë”, tha Mustafa.
Kreu aktual i një qeverie koalicioni, i thirrur për aleancë qeverisëse nga partia e parë fituese e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, Hashim Thaçi, bëri një paralelizëm Tiranë-Prishtinë që nuk i hyn në punë askujt, në rradhë të parë i prish punë atij vetë.
Ish funksionari i lartë i organizimeve qeverisëse të Millosheviçit, deri ministër, menaxhues i fondeve të 3 përqindshit të diasporës shqiptare të Kosovës, mund të ketë idenë e tij mbi vitin 1997, shkaktarët dhe fajtorët në Shqipëri. Ndoshta z.kryeministër i është drejtuar politikës “në përgjithësi” pa dashur të vërë gishtin kund.
Vetë Mustafa nuk sqaron se cilët janë “eksponentët e asaj dhune”. Por ai duhet ta dijë se pse u shkaktua dhe si erdhi ai vit i zi. Ishte një lidhje shkak-pasojë, ku shkaku qe grabitja fenomenale dhe famëkeqe e kursimeve të një populli të tërë. Ishte, pastaj, edhe hapja e përllogaritur e depove të armëve nga mjeshtrat e kaosit dhe kryemjeshtri. Sa për pasojat, nuk ka vend në këto rreshta për detaje e hollësira makabre.
Ajo për të cilën z.Mustafa nuk jep përgjigje, është akuza e opozitës dhe popullit në Kosovë, se kasta qeverisëse po asfikson të gjitha aspiratat dhe mundësitë, politike, ekonomike, shoqërore në vend; po mbledh të gjitha burimet financiare në pak duar, po çedon lirshëm (gjeo)politikisht për gjithçka, mjafton të ruajë pushtetin… dhe në total, a nuk po krijon me duart e veta premisat e një zemërimi mbarëpopullor, të ngjashëm me 97-ën “e Tiranës”?
Ironia shkon e thellohet, kur akuzës së Mustafës për ndërhyrjen dhe tutelimin e Tiranës, nuk i pëgjigjet realiteti. Sepse e kundërta është e vërtetë; përgjithësisht politika e këtushme është treguar indiferente ndaj zhvillimeve në Kosovë. Me përjashtim të festave dhe qokave…