Kryeministri kinez Li Keqiang filloi vizitën zyrtare në Gjermani
Me ftesën e kancelares gjermane Angela Merkel, të dielën pasdite kryeministri kinez Li Keqiang mbërriti në Berlin, duke filluar vizitën e tij zyrtare në Gjermani. Gjatë qëndrimit në Gjermani ai do të drejtojë gjithashtu bashkë me kancelaren Merkel raundin e 5-të të konsultimeve qeveritare kino-gjermane, sipas CRI-së.
Kryeministri Li Keqiang-u u shpreh se brenda gjysmë viti pas krijimit të qeverive të reja në Kinë e Gjermani, ai dhe kancelarja Merkel kanë shkëmbyer vizita, gjë që tregon marrëdhëniet e mira mes Kinës e Gjermanisë dhe dëshirën e përbashkët të të dy palëve për forcimin e bashkëpunimit.
Sistemi i konsultimeve qeveritare është platforma e dialogut dhe e shkëmbimeve me nivelin më të lartë e përmasat më të mëdha midis Kinës e Gjermanisë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve.
Numri një i qeverisë kineze shtoi se në situatën e sotme të ndërlikuar ndërkombëtare, departamentet e ndryshme qeveritare të të dy vendeve duhet të arrijnë konsesus, të thellojnë bashkëpunimin dhe të kërkojnë bashkërisht zhvillimin. Kina dhe Gjermania duhet të diskutojnë për planin e bashkëpunimit të gjithanshëm në të ardhmen nga një pikënisje e re, për t’u sjellë përfitime të dy vendeve e popujve, për të nxitur bashkëpunimin kino-europian dhe për të mbrojtur rendin ndërkombëtar me tregti të lirë, multilateralizëm e drejtësi.
Gjatë vizitës në Gjermani, Li Keqiang-u do të zhvillojë bisedime me Angela Merkel dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një numri marrëveshjesh të bashkëpunimit kino-gjerman. Ai po ashtu do të mbajë një fjalim në forumin e bashkëpunimit ekonomik e teknologjik kino-gjerman, do të vizitojë një ekspozitë të automjeteve autonome që janë bashkëprodhim kino-gjerman, si edhe do të takohet me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier.
Kryeministri Li Keqiang arriti në Berlin pas vizitës zyrtare në Bullgari e pjesëmarrjes në takimin e 7-të të udhëheqësve të Kinës e të vendeve të Europës Qendrore e Lindore.