Kryeministri Rama: Klima e biznesit ka problematikat e veta

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga dhomat e tregtisë që të jenë të përgjegjshme kur përgatisin raportet lidhur me klimën e biznesit në vend.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me dhomat e biznesit mbi rekomandimet e tyre për përmirësimin e klimës dhe forcimin e dialogut për të rritur reciprokisht kontributin në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit.

“Kërkojmë nga dhomat e biznesit që të jenë të përgjegjshme se si përgatisin raportet. E pamundur që Shqipëria në raporte të dalë njësoj si kur kishte radha kilometrike në sportele, kontrolle arbitrare ditë-natë në dyert e bizneseve, prita të njëpasnjëshme në dogana, porte e pika kufitare, siç kur kishte rimbursime TVSH-je arbitrare. Sot që të gjitha këto nuk ekzistojnë pasi janë kthyer në ndërveprime pa prani fizike, janë elektronike. Atëherë si qenka njësoj?”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se këto raporte dalin njësoj vetëm nga arbitrariteti dhe brutaliteti i atyre që flasin pa lidhje dhe bëjnë anketime joprofesionale.

“Kjo kërkesë e imja nuk ka të bëjë me një nevojë të qeverisë në vetvete, por me një raport përgjegjshmërie me vendin dhe me gjithë bashkësinë e biznesit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se fakti që klima e biznesit ka problematikat e veta kjo as që diskutohet por mjafton t’i hedhësh një sy gjithë hapave që janë bërë për të përshpejtuar, lehtësuar, transformuar procese nga deri dje të lodhshme e zvarritëse, në procese sot elektronike pa kontakt fizik”.

“E pamundur që kjo të mos reflektohet në raportet që bëjnë vetë dhomat e tregtisë. E pamundur që ne të vazhdojmë të jemi pre e raporteve të bëra në mënyrë joprofesionale, që faktikisht cenojnë punën tonë të përbashkët, imazhin e këtij vendi dhe vetë klimën e biznesit vetvetiu. E pamundur kjo”, tha Rama.

Kryeministri tha se “nuk mund të jemi pre e opinioneve të mbledhura rrugëve, të marra e të përpunuara në mënyrë krejtësisht kaotike, e kanaleve që përpunojnë në mënyrë të vazhdueshme opinione që nuk përputhen me realitetin. Nuk ka asnjë gjë të ngjyrosur me rozë në realitet por që sot janë si dita me natën me shumë nga ndërveprimet mes biznesit dhe institucioneve dhe jeta e një një importuesi, eksportuesi, sipërmarrësi që i ka shumë më të pakta hallet që kishte dje për shkak të këtyre ndërveprimeve. Është e pajustifikueshme që kjo të mos pasqyrohet”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “ne kemi bërë të gjitha përpjekjet dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë për të krijuar një ndërveprim sa më dinamik e transparent me biznesin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *