Politika

Kryesia e PS thërret Asamblenë Kombëtare, një nivel tjetër për organizimin e partisë

“Kryesia e Partisë Socialiste thërret Asamblenë Kombëtare për ta çuar në një nivel tjetër organizimin e partisë”.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “kemi parë me kujdes rezultatet në çdo bashki, kemi diskutuar për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ku do të flasim për çka është bërë dhe për çka do të bëjmë më pas”.

“Gjëja më e rëndësishme është që kemi diskutuar për ta çuar në një nivel tjetër organizimin e partisë, por edhe në funksion të një qëndrimi të qartë në çdo bashki që është qeverisur nga e djathta, për të ndërtuar një proces solid në raport me administratën dhe për të mos shfaqur asnjë mllef tradicional në këto bashki por për të respektuar të gjithë ata që sot punojnë në bashki; për të mos prekur asnjë grua apo vajzë në radhë të parë që figuron në administratën bashkiake dhe për të pasur transparencë maksimale për të gjitha lëvizjet që mund të jenë të nevojshme, jo në funksion të diskriminimit politik apo spastrimit politik, por në funksion të meritës në çdo bashki”, tha Rama.

I pyetur nëse do të ketë ndryshime në qeveri, Rama tha se “nuk ka ndryshime në qeveri, janë fantazi që bëhen edhe nga temperaturat e larta”. “Nuk kam deklaruar që do të ketë ndryshime, kam thënë se janë një sërë detyrash që duhen bërë dhe nëse janë bërë nuk ka ndryshime”, tha Rama.

Sa i takon opozitës, Kryeministri tha se “ata do të ndëshkohen nga vetëpërjashtimi dhe në procesin e vetëvrasjes do të bërtasin fitore. “Siç e shikoni po bërtasin fitore. Fitore të tilla paçin gjithmonë, por ajo që mbetet është rezultati i vullnetit sovran të popullit shqiptar. Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë nuk ka nevojë për plane për të eliminuar opozitën sepse opozita është në kapacitet të plota për t’u vetëeliminuar. Procesi i degradimit vazhdon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë qorrazi dhe ku çdo ditë hedhin vetë qorrazi nga një hap”, tha Rama.

Sipas tij, “e rëndësishme për ne është që t’i qëndrojmë besnik të gjithëve, edhe atyre që na votuan edhe atyre që nuk na votuan”. “Historitë me 7 herë 7 bëjnë 42 ia kemi lënë opozitës. PS dhe kandidatët tanë kanë marrë një mbështetje përtej çdo pritshmërie mbi kushtet ku janë zhvilluar këto zgjedhje. Mbi këtë bazë kemi filluar punën”, tha Rama.

Sa i takon organizimit të PS-së, Rama tha se “ne do të hyjmë në proces zgjedhor dhe do të flasim më tutje për këtë, duke filluar nga Asambleja Parlamentare”.

Përsa i përket rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit, Rama tha se “nuk kemi pasur prioritet rezultatin, por procesin dhe besoj që ia kemi dalë dhe besoj që ia kemi dalë të ndërtojmë një proces që i ka mbijetuar të gjithë lëvizjes së dhunshme anti shtet. Tani kemi të dhëna të bollshme për të vijuar më tutje. Kemi shumë rezerva dhe shumë gjëra për të përmirësuar në organizimin dhe funksionimin e partisë dhe qeverisjes vendore dhe qendrore”.

I pyetur lidhur me me faktin se 11 gjyqtarë dhe prokuror që nuk e kanë kaluar vetingun e kanë çuar çështjen në gjykatën e Strasburgut, Rama u shpreh se “”s’kam asnjë shqetësim, është e drejta e tyre. Reforma në Drejtësi është kali i betejës, së kësaj shumice qeverisëse dhe për sa kohë ajo vazhdon të zbatohet në harmoni të plotë me objektivat e bashkëvendosura, me partnerët tanë, SHBA dhe BE të tjerat janë aspekte dytësore të një procesi që ecën dhe që nuk ndalet më”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button