Politika

“Kryetari i ri i KQZ do jetë konsensus informal midis PS e PD”

Nga Afrim Krasniqi

Kryetari i ri i KQZ do jetë konsensus informal midis PS e PD. Kjo e fundit, në listën me katër kandidatë ka preferuar të zgjedhë dy emrat më afër PS, njëri prej të cilëve, sekretar elektoral i saj vetëm pak vite më parë. Premtimi për ecje drejt heqjes së monopolit dhe kontrollit partiak të administrimit zgjedhor nuk u mbajt. Bisedimet e fshehta do sjellin një kryetar në KQZ nga PS dhe një zv/kryetar nga PD.

Ky nuk është lajm i ri, kështu është vepruar për 26 vjet me zgjedhjet. Partitë politike kanë ndryshuar disa herë legjislacionin mbi KQZ, e kanë futur dhe hequr nga Kushtetuta, por në fund, tabela tregon se mbështetja politike është përcaktuese për karrierë, dhe se bisedimet informale kanë dhënë produkte bi-partiake në tërësinë e tyre.

Kur gjerat shkojnë keq për shumicën në Shqipëri, për pakicën shkojnë mirë dhe pakica është ajo që na ka drejtuar dhe na drejton. E tillë ishte edhe kurba e karrierës në KQZ. Shqipëria nuk ka bërë zgjedhje ende me standardet e larta të kërkuara megjithatë shefat e KQZ-ve kanë pasur karrierë të lavdishme politike. Lexoni emrat dhe do kuptoni se prej tyre dolën President, ministra, deputetë, kryetarë të Gjykatës Kushtetuese, rektorë, ambasadorë, drejtues të rëndësishëm në parti politike.

Konsensusi i fundit PS-PD për KQZ i dha përgjigje edhe atyre që më kot presin të ketë reformë të thellë në Kodin Zgjedhor apo sistemin e zgjedhjeve, tregoi se edhe në kulmet e bi-polaritetit ata e gjejnë gjuhën e përbashkët në ndarjen e tortës zgjedhore dhe se në asnjë nga këto raste të tabelës, drejtuesit nuk janë vlerësuar mbi bazën e rezultateve profesionale dhe bilancin e drejtimit, por për besnikërinë e tyre. Si këtu, tek Avokati i Popullit, Komisionerët dhe zyrtarët e tjerë drejtues produkt i parlamentit, ashtu si edhe në institucione të tjera në nivele publike premtimi për meritën, aftësinë, zgjedhjen e më të mirëve, promovimin e ekselentëve, kalimin nga shteti i partive tek shteti i së drejtës, etj, – është dhe mbetet një ëndërr vere.

Sistemi nuk ka ndryshuar, mbetet i njëjtë, kanë ndryshuar vetëm disa nga individët drejtues e përfitues të tij, – dhe kjo në Shqipëri, ende quhet rotacion politik dhe reformë historike!
Ky është dhe mbetet një lajm i keq, për KQZ, por sidomos për zgjedhjet, për institucionet e tjera kushtetuese e publike që janë në proces zgjedhor apo reformimi, si dhe për vetë natyrën e demokracisë funksionale, e cila në Shqipëri, ndryshe nga sa përcakton Kushtetuta, sovran nuk ka qytetarin por shefat e partive!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button