Kryetari i ri karizmatik i Londrës, myslimani që bëri betimin në Katedralen
“Unë quhem Sadiq Khan dhe jam kryetar i Londrës.”
Kështu e nisi fjalimin e tij kryetari i ri i Londrës, Sadiq Khan, gjatë ceremonisë së dhënies së betimit për pozitën e re, të mbajtur të shtunën në Katedralen Southwark, në qendër të Londrës.
Ai falenderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm në ceremoni, duke thënë se ende nuk po i besohet për të gjitha ato që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit.
“Jemi këtu, në Katedralen Southwark, sepse dua që ta filloj punën si kryetar i qytetit ashtu edhe siç e kam ndërmend ta vazhdoj. Jam i vendosur ta kem administratën më transparente dhe më të angazhuar që ka parë Londra ndonjëherë. Dua që ta përfaqësoj çdo komunitet dhe çdo pjesë të qytetit, si kryetar, për të gjithë londinezët”, ka thënë Khan gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve në Katedrale.
Ndërsa kryetari i trupit drejtues të Katedrales Southward, Andrew Nunn, tha se ndihet jashtëzakonisht mirë që kryetari i ri i Londrës po e mban ceremoninë e betimit aty.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që u kërkua nëse ne mund ta udhëhiqnim këtë ceremoni të inaugurimit të Sadiq Khan si kryetar i ri i Londrës, si kryetari i parë mysliman… dhe ne si komunitet i krishterë jemi shumë krenarë për këtë gjë”, ka thënë Nunn.
Nga ana tjetër, Khan ka treguar se ai është rritur në një pronë të këshillit lokal, dhe dikur as që i shkonte ndër mend se do të bëhej kryetar i Londrës.
Ai shtoi se ndodhet aty për shkak të ndihmës dhe mundësive që qyteti i ka dhënë atij dhe familjes së tij. Më tutje, Khan ka siguruar të gjithë londinezët se ai do të punojë që të gjithëve t’u ofohen mundësi, ashtu siç qyteti i ofroi vet atij.
“Dhe ju premtoj këtë gjë, se do të bëj gjithçka që kam në dorë për ta bërë qytetin tonë më të mirë. Unë do të jem kryetar për të gjithë londinezët”, ka premtuar Khan.
Sadiq Khan, kandidati për kryetar të Londrës i Partisë Laburiste në Britani të Madhe, është zgjedhur kryetar i këtij qyteti, duke e bërë atë liderin e parë mysliman të një kryeqyteti të Bashkimit Evropian.
Londra, kryeqytet i Britanisë së Madhe, ka rreth 8.2 milionë banorë, prej të cilëve, më shumë se 1 milion janë myslimanë.
Në zgjedhjet e 5 majit, Khan fitoi 57 për qind të votave, përderisa rivali i tij konservativ përfundoi me 43 për qind të votave.
“Urime Sadiq Khan. Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë një Londër që do të jetë e drejtë për të gjithë!”, ka thënë lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Khan, 45 vjeçar, është djali i një emigranti pakistanez (që nuk jeton më), që dikur punonte si vozitës autobusi. Ai fitoi kundër rivalit të tij Zac Goldsmith, 41 vjeçar, i cili është djalë i një manjati të pasur.
Goldsmith e kishte akuzuar Khan se po mbështeste ekstremistët myslimanë, në një fushatë që ishte kritikuar gjerësisht, përfshirë edhe kritikat nga vet anëtarët e Partisë Konservative të Goldsmithit.
Khan tani është pasardhës i Boris Johnson, i cili njihet si avokues i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, e i cili gjithashtu shihet si një nga favoritët për ta pasuar David Cameronin si kryeministër.
Kryetarë të tjerë nga kryeqytete të mëdha botërore, si ai i Nju Jorkut, Bill de Blasiodhe ajo e Parisit, Anne Hidalgo, menjëherë e uruan Khanin për pozitën e re.