Kthehu nga je nisur! Një reality show që po ngjall shumë reagime
Në formatin më të ri të një show televiziv ndërkombëtar nën emrin “Go Back To Where You Came From”, me origjinë nga Australia, kandidatët dërgohen në vatrat e krizës. Në një seri ata madje mezi i shpëtuan plumbave të IS-it. Me gjithë kundërshtitë, formati duket se ka pasur sukses në disa vende
Në serinë e re të reality show “Go Back To Where You Came From” një luftëtar kurd urdhëron “aktorët” të ulin kokën. Përkundrazi mund t’i kapë ndonjë plumb i militantëve të IS-it e t’u marrë jetën. Dëgjohen ndërkohë ca zhurma të thata. Fundamentalistët po kthehen në shkollën e braktisur diku në Siri, ku vetëm ca aleatë kanë refuzuar të tërhiqen – një grusht me milicë të armatosur me mortajahedhëse dhe një ekip TV australian me kandidatët e tyre të show-t.
Parë në pamje të parë, kjo është çmenduri, por edhe jo. Në fakt emisioni tashmë po njeh serinë e tretë të tij. Autorët apo shpikësit australianë të këtij formati TV, e kanë shitur atë tashmë në mbarë botën, e një seri e këtij formati është parë tashmë të realizohet edhe në Danimarkë, një në Suedi, një në Izrael e një tjetër edhe në Gjermani.
Në pranverë të këtij viti, ajo u transmetua në kanalin publik gjerman “ZDFneo”, çka bëri që jo shumë spektatorë ta ndiqnin, pasi ky kanal është një kanal i dedikuar, brenda frekuencave të kanalit të dytë publik gjerman, ZDF.
Një blogere, një i ri që kishte braktisur skenën neonaziste dhe anëtari i grupit të famshëm gjerman “Böhse Onkel”, Stephan Weidner, kanë kaluar nga Greqia drejt Irakut, direkt e në zonat e luftimit.
Nuk ka rëndësi se ku shihen, as kritikët, e as spektatorët e madje as realizuesit e emisionit në fjalë, nuk mund të vendosin ata se ku duhet të jenë ato: një TV përbuzëse ndaj vlerave njerëzore, një zgjatim i formateve të “Big Brother”, apo “Biggest Loser” (më shumë rënie në peshë se sa në një kamp refugjatësh në Liban, arrihet në fakt vetëm po të hash ndonjë plumb kokës) apo një shkollë që të ngjall empatinë, etj., etj.
Këto ishin disa nga komentet kundërthënëse ndaj këtij emisioni të ardhura në rrjetet sociale, të cilat vinin gjithashtu në dukje se qëllimi final i këtij emisioni ishte rraskapitja e njeriut që shndërrohet në kavie, e që mbush në fund xhepat e realizuesve.
“Unë nuk mund të imagjinoj dot të jetosh në këtë situatë”, thotë kundërshtarja e emigrantëve Jodi, 33-vjeçare nga Adelaide, që mban mbi kokë një kokore bejsbolli. Ajo fshin lotët dhe sheh me dëshpërim nga xhungla. Një 16-vjeçar, Rohingya – anëtar i një pakice myslimane në Burma, që fatkeqësisht nuk renditet te 135 grupimet zyrtare lokale të popullsisë në vendin ku jeton, e që për këtë arsye përndiqet brutalisht – sapo ka treguar përdhunimin dhe vrasjen e grave e vajzave nëpërmjet trafikantëve.
Ka dhe një videomaterial, që e shohin pjesëmarrësit në show. “Unë nuk mund të imagjinoj dot të jesh në këtë situatë”, thotë Jodi, ndërsa shton se: “Po të isha unë, do përpiqesha të arratisesha. Madje nëse do të duhej, do të merrja dhe një varkë. Është thjesht e tmerrshme”.
Me varkat e anijet përfaqësuesit e vijës së ashpër të politikave anti-azil në Australi kanë një marrëdhënie shumë të keqe. Tej tyre pra, ka realitete të ndryshme që mund t’u vinim emra të ndryshëm. Ndoshta janë realitete që përplasen. Pasi çdo gjë tashmë po futet në TV. Në 1987 ia nisi me “Running Man” në kinematë e SHBA, ku Arnold Schwarzenegger shpërthen nga një dystopi (një vend imagjinar, ku çdo gjë është e degraduar, e degjeneruar) kaliforniane, ku organizohen masakra me sharra elektrike të masave të skllavëruara, duke sjellë në skenë gladiatorë që janë të detyruar të luftojnë për mbijetesë.
Në fund ka edhe një revolucion. Jennifer Lawrence lufton me shigjetë dhe hark në një cirk, e vëzhguar nga qindra kamera, kundër një regjimi, fuqia e të cilit formësohet nga një Reality-TV.
Por më pas ka dhe formate “të mirëfillta” Reality-TV, siç është për shembull “Dschungelcamp” (Lufta në xhungël), ku pjesëmarrësit duhet t’u nënshtrohen një psikoterrori.
E në fund, me shumë gjasa paskësh edhe një Reality-TV të vërtetë – thotë dikush në komentet – pa thonjëza, pa inskenime e mashtrime. “Go Back To Where You Came From” pra i përket kësaj prerjeje.
Pas transmetimit të serisë me goditje plumbash të IS-it, një ekspert i sigurisë u njoftua dhe qortoi realizuesit e shfaqjes. Ishte situata në të cilën me ç’shihet, pjesëmarrësit dhe ekipi TV realizues, më në fund i shpëtojnë një kamionçine, në të cilin ishte montuar një mitraloz, që kishte dalë jashtë kontrollit.
“Vetëm atëherë m’u bë e qartë se sa e rrezikshme është kjo punë”, tha kandidatja Nicole Judge, e cila shprehet e aktivizohet në krah të refugjatëve. “Kjo për njerëz të tjerë duket paksa si budallallëk, por ata nuk ishin aty dhe nuk i kuptojnë dot ndjenjat që ne përjetuam. Ne jemi njerëz normal. Normalisht ne nuk shkojmë në luftë”.
Kjo qëndron. Normalisht vetëm me një buton ne kemi muzikën që duam, më të mirën të regjistruar ndonjëherë. Ne prenotojmë pushime përrallore në internet dhe vërdallosemi nëpër plazhe të rrethuara për turistët, jashtë të cilave buçasin si pa të keq mitralozat e vriten masa njerëzish. Në hotelin tonë të klimatizuar “Tunezia”, transmetohen programe edhe në gjermanisht.
E gjetkë nuk mund të thuash se njëra është fantazi e tjetra realitet. Kondicionerët e klimatizatorët nuk janë më të pavërtetë se sa përdhunimet. Dhe edhe Jordi, 33-vjeçarja e tronditur, e ka parë përdhunimin e Rohingya-s vetëm nga TV dhe po qan para vendit, ku është kamera, pamjet e së cilës po i shqyrtojmë sërish.
Në këtë kaos të shenjave të kopjuara, origjinalet e të cilave kanë ardhur dorazi, një show si “Go Back To Where You Came From”, ngjall shumë reagime. E megjithatë, është vetëm një show.