Kthimi i Kurtit nga arratia!
Si u humb veriu dhe si e rikthyen amerikanët për 48 orët kritike?
Nga Halil Matoshi
Lideri i komunistëve shqiptar. Enver Hoxha, i pati thënë jo tërë botës, por vendi të cilit i priu u rreknye në humnerë. Sëkëndejmi parimësia në diplomaci qysh iu ka pikë Kurtit, është kryeneqësi…
Kryeministri kosovar Albin Kurti gjithnjë prodhon kriza që vet nuk mund t’i menagjojë duke u nxjerrë nga to në “dymbëdhjetë pa pesë”, me ndihmën e amerikanëve.
Ai u çmistu me folë për krizat, ku hyn vet me eufori kryeneqe, për mediat perëndimore duke i shpërfillë me arrogancë mediat kosovare.
Kurti pranoi diçka të tmerrshme, si pasojë e “parimeve” të tij: Veriu i Kosovës ishte humbur.
Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, zbuloi se kryeministri Kurti ka bërë kompromis për çështjen e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier se situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.
E kur u pyet Kryeministri kosovar përse nuk e kishte përfillur kërkesën e ShBA-së për shtyrje të çështjes së targave, ai tha se “nuk besonte” (???) por kur ai thirri ambasadorin amerikan Hovenier në ndihmë, për të dalë nga zalli i gjallë ku ishte kurthuar tha se Ambasadori “ka më shumë informacione se unë për situatën në veri.”
Po ku mbeti parimi sovranist i tij, me cilin i ka ngashënjyer militantët e tij “pro-izolacionist”?
Kosova i shpëtoi kurthit rus të përplasjes me NATO-n, duke e ekspozuar “lëkurën e policëve kosovarë”, por a mblodhi mend njeriu që ishte kundër Marrëveshjes së Rambouillet dhe Procesit të Vjenës, Kurti?
Vështirë të thuhet!?
Ai ka prodhuar “krizën e targave”, atë “krizën e teneqeve” (që ambasadori gjerman Rohde e cilësoi absurde), pa u konsultuar me aleatët e Kosovës, duke dëshmuar sy bote mungesë përgjegjësie e lidershipi, sepse Kurti i manipuluar me gjasë nga ministri i tij i brendshëm Sfeqla dhe ndonjë azgan i sigurisë me trurin muskul, pandehte se serbët në veri do të kryengriteshin, për t’i dhënë Kurtit atë që e deshironte, bllokadë e dhunë, që do t’i shërbente për ta qitë keq Serbinë dhe Aleksadar Vučić-in para fuqive të mëdha, e për ta justifikuar intervenimin në veri me forca speciale, që për fatalitetin e tij do të shërbente si pretekst për t’u mbledhur Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për t’ia marrë të drejtën Qeverisë së Kosovës me e qeverisë veriun, për arsye “të duskriminimit” e për t’ia rikthyer OKB-së me Rezolutë të re, ose ndonjë arbitrazhi ndërkombëtar të modelit të Brćko-s në Bosnjë e Hercegovinë.
Derisa amerikanët kishin informatat e tilla, e parandalonin Kurtin për këtë me mjete diplomatike (soft power) duke i kërkuar shtyrje të gjobave për targat për dhjetë muaj, për t’i blerë kohë deri në mbrëmjen kritike, kur Kurtit i erdh ultimatumi që të ndalej. “Armëpushimi” prej 48 orëve ishte shpëtim për Kurtin, i cili ashiqare u bind se po e humbte kauzën e tij të shpifur!
Kurtit iu tha në sy nga Josep Borrell se ishte pala dekonstruktive, e për pasojë iu tha se Kosova nuk do të ftohej në Samitin e Tiranës në mes BE dhe gjashtëshes ballkanike. Kryesia çeke e BE-së de facto pezulloi edhe vizat.
Ishte hyje me dyja këmbët në izolim ndërkombëtar.
Dhe Kurti e pranoi versionin amerikan, pezulloi masat për targa e më këtë edhe sagën e Asociacionit, me zotimin se do të zbatohen të gjitha Marrëveshjet.
Kurti, Sfeqla dhe njerëzit e tyre të besuar në sistemin e sigurisë nuk kishin Plan B, sepse nuk e kishin konsideruar fare padëgjueshmëninë qytetare si reagim civil të serbëve, që do t’i nxirrte ata si viktima, sëkëndejmi të fituar, në të drejtën e tyre tashmë të arrirë, para faktorit ndërkombëtar.
Serbët kosovarë në kandarin e Këshillit të Sigurimit, do të ishin shqiptarët e vitit 1999, e Prishtina do ta humbte të drejtën legale të shtetit, për ta mbajtur veriun nën juridiksionin e saj.
Ku do të ishte fundi i tregimit.
Po pse është kaq e rëndësishme për Kosovën kjo copë tokë kushtetuese në veri të vendit?
Arbitrazhi ose ndarja e Veriut e anulon Paketën Ahtisaari nga e cila derivon Kushtetuta e Kosovës, pra e mbytë arsyen e ekzistimit të një Kosove shtet sovran, duke e rikthyër në tavolinë zgjidhjen territoriale.
Kjo do ta rikthente poashtu tezën e vjetër serbiane për “ripërkufizim në mes serbëve dhe shqiptarëve”, e ër “zgjidhje historike”, që do ta nxirrte nga historia entitetin juridik-politik shtetin kosovar, për çka pajtohen edhe qarçe integriste shqiptare, me mësymje zgjerimin territorial të Shqipërisë Londineze.
E krejt kjo bëhet në përpjekje Donkishoteske të Kurtit për ta shmangur obligimin ndërkombëtar për zbatimin e Marrëveshjës së 2013 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse “Zajednica” do t’ia rrëmihte legjitimitetin e ardhjes në pushtet.
Prandaj Kurti shpreson që duke e vendosur atë në Kornizat e Marrëveshjes finale, mund ta rinegociojë, për ta rimodeluar përmbajtjen si entitet juridik ose sëpaku, t’ia ndërrojë emërtimin!?
Duke qenë se Asociacioni buron nga Pakoja Ahtisaari dhe është ratifikuar në Kuvend si Marrëveshje Ndërkombëtare, që i siguron adoptim në sistemin e brendshëm ligjor, është zgjidhje kushtetuese.
Porse Kushtetuta nuk është prej llastiku, për ta zgjatur e rrudhur, për t’ia përshtatur ego-s dhe ieologjisë megalomane të Kurtit.
Në këtë rast, duhet rikujtuar Kurtit atë që e thotë titani i diplomacisë amerikane Henry Kissinger se “veprimet Ilegale që bëhen menjëherë, (pra tashti) përkthehen në veprime afatgjate antikushtetuese (që marrin shumë kohë.)”
Ashiqare, Kosovës iu dha dora amerikane për ta nxjerrë nga humnera ku e katandisi Kuriti i parimeve!
Po të sundonin parimet morale dhe drejtësia në marrdhëniet e ndërlikuara ndërmjet kombeve, bota nuk do të kishte nevojë për artin e të mundshmës, politikën & diplomacinë.
Kurti tahmina po kthehet në realpoltikë nga arratia nacionalromantike e egocentriste.