Ku mbet’ shpirti i La République Française?
MONIKA SHOSHORI STAFA
Masakra në një supermarket në Paris pasditen e së premtes, pikërisht ditën e shenjtë të fesë islame, përforcoi edhe më frikën dhe terrorin që po vinte pas sulmit vdekjeprurës të gazetarëve të “Charlie Hebdo”. Pas kësaj kontinenti lëshoi një piskamë që s’ish dëgjuar që 75 vjet më parë. Frekuenca e valëve shqetësuese nga shumë njerëz ndaj një komuniteti të hekurt si dëshmohen prej kohësh të jenë, afërsisht rreth gjysmë milion, hebrenjtë e Francës, po rritej me orë. Dhuna islamike është caku konkret i ndjesisë që të lindte, për t’i detyruar këta njerëz të mendojnë se duhet të largohen sërish. Nga kërkimet e fundit në media dhe raporte ndërkombëtare vihet re se disa mijëra prej tyre janë larguar gjatë viteve të fundit. Kërkues shkencorë shpjegojnë se kjo nuk ka të bëjë thjesht me sigurinë fizike të këtij komuniteti në Francë që vihet herë pas here në rrezik nga dhuna antisemite. Sipas tyre, është pikërisht ajo që kryeministri francez, Manuel Valls, e ka theksuar në një bashkëbisedim të ngushtë njerëzish, “është pikërisht vetë botëkuptimi i ri që po merr nocioni la République française që nga momenti i parë i shqiptimit të saj, që i detyron hebrenjtë francezë t’i largohen Francës. Në një intervistë të tij dhënë për një të përditshme para se të ndodhte masakra, në “Charlie Hebdo” dhe e dyta në supermarketin që frekuentohej nga hebrenjtë më së shumti, Valls paralajmëron se, në qoftë se hebrenjtë francezë do të vazhdonin të largoheshin me këto ritme që raportet shënojnë, shpirti i la République française do të vihej tërësisht në rrezik. Zgjedhja e formës dhe e përmbajtjes së asaj çka përmbante shpirti i la République française u bë gjatë Revolucionit Francez në vitin 1789, duke i njohur hebrenjtë si qytetarë me të drejta të plota. Në fakt për të kuptuar se përse kryeministri francez, i frikësohej shpirtit të la République française duhet të kthehemi pas në kohë e të kujtojmë Hygonë me Les Miserables e tij, jo vetëm barrikadat me gavroshë stisur mbi to, por dhe rolin qendror të disa figurave joparësore të kryeveprës së tij, ata që shënjuan në historinë e Francës por dhe të botës, emancipimin e një komuniteti gjithmonë në ekzil, emancipimin e hebrenjve. Dhe ky i fundit, konsiderohet si një nga parimet themeluese të saj. Gjatë kësaj interviste, kryeministri francez Valls, nuk iu shmang pyetjes nëse vendi kërcënohej nga një erë e re antisemitizmi, përkundrazi ai e pohoi atë. Valls është një politikan i krahut të majtë dhe vjen me këto bindje si bir i dy prindërve, emigrantë spanjollë. Ai e përshkruan kështu kërcënimin e një eksodi të ri të hebrenjve nga Franca: Në qoftë se 100,000 francezë me origjinë spanjolle do të largoheshin nga Franca, unë kurrë nuk do të thosha që Franca nuk është më ajo Francë që unë njoh. Por nëse 100,000 hebrenj vendosin të largohen nga ky vend, atëherë do të pohoja me zërin plot se Franca vërtet nuk do të jetë ajo Francë, që unë njoh. La République française do të ishte dhe do të gjykohej më në fund si një dështim”. Franca vetë, duhet të kujtojmë se jo shumë larg është qeverisur vetë nga një kryeministër hebre, thuajse tre herë në historinë e saj të të qeverisurit, nga një hebre me bindje të majta, thellësisht i moderuar, Leon Blum, i njohur ndryshe dhe si Dreyfusard. Studimet historike tregojnë se hebrenjtë janë marxhinalizuar në Francë disa herë dhe ky është një fakt i pashmangshëm, por sidoqoftë përndjekja e tyre nuk ka rezultuar si ajo në Spanjë apo të tjera vende, sepse ata kurrë nuk u dëbuan nga ky vend, përkundrazi luajtën një rol qendror në jetën e gjithfarëllojshme të saj. Autoritetet shtetërore, si Presidenti François Hollande dhe Kryeministri Vall, deklaruan të shtunën se Franca ishte tani në luftë me Islamin radikal, duke u kthyer në heronj të hebrenjve francezë ose më saktë të atyre që kanë mbetur deri tani aty, në një dalje publike duke folur troç për një kërcënim antisemit që vinte nga islami, një subjekt shpeshherë i diskutuar në terma eufemere nga elita politike dhe intelektuale e vendit. Po të lexosh shtypin francez, lufta e Vall, si ministër i Brendshëm gjatë viteve 2012-2014, për të ndaluar shfaqjet e komedianit antisemit Dieudonné (një nga novatorët përshëndetës të nazistëve të përmbysur) shkaktoi një dashamirësi te lidershipi hebre i vendit, duke e konsideruar pothuajse të vetëm në të majtën europiane që thirrjet antizioniste i quante një formë të antisemitizmit. “Po ndihet një valë e re antisemitizmi në Francë”, u deklaroi ai gazetarëve në shtypin francez. “Kjo valë sigurisht nuk është e re te ne, është e vjetër mjaft në kohë dhe unë nuk po e minimizoj atë aspak. Ajo vjen kryesisht nga e djathta ekstreme, nga fqinjësitë e vështira tej kufijve, nga emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme apo dhe Afrika e Veriut, të cilët e kanë kthyer zemërimin për Gazën në diçka shumë të rrezikshme. Izraeli dhe Palestina janë vetëm një pretekst”, shtoi ai. “Diçka më e thellë po luhet diku”. Nëse kujtojmë shtypin francez gjatë kohës së verës kur sinagoga dhe shumë biznese në pronësi hebrenjsh u sulmuan, shumë prej tyre shkruan asokohe se politika e Izraelit duhet kritikuar. Dhe për hir të së vërtetës ka zëra të fortë sot kritikë në Izrael, intelektualë atje dhe jo vetëm që u përfshinë nga vala të ndryshme peticionesh për luftën që bëhej në Gaza. Por kjo s’ka të bëjë me atë që po ndodh në Francë sot. Në disa mediume të Francës, për çudi, vihet re se po dyshohet mbi ekzistencën e një kritike radikale që po atakon mbi qenien e vetë Izraelit, një kritikë krejtësisht antisemite dhe radikale njëkohësisht. Nëse i njohim themelet e sionizmit padyshim që duhet të pranojmë lidhjen e pakontestueshme mes antisionizmit dhe antisemitizmit. Bazuar në studimet e thelluara gjithmonë pas antisionizmit vjen antisemitizmi. Megjithëse qeveria franceze duket e shqetësuar ndaj frikës në rritje drejtuar emigrimit të hebrenjve, raportet flasin se ajo beson se mund të punojë me komunitetin hebre për ta bërë atë të ndihet më e sigurt në ekzistencën e shpirtit të la République française. Deklarata të tilla të sapodala nga zyrat e pazëshme të tyre si p.sh. “hebrenjtë e Francës janë thellësisht të lidhur me Francën, por ata vetëm se duhet të binden që janë të mirëpritur këtu, apo që ata janë të sigurt këtu”, nuk bindin ende hebrenjtë të mos duan të kthehen në tokën e shenjtë të tyre. Qeveria franceze, nën qeverisjen e Presidentit Francois Hollande dhe Valls, pohon se është përpjekur gjithmonë të sigurojë fonde të konsiderueshme çdo vit për të ndihmuar institucionet hebraike franceze të ndihen fizikisht të sigurta, por liderët hebrenj thonë se e vetme qeveria nuk mund t’i bëjë hebrenjtë francezë, të ndihen të qetë. Nga kjo elitë hebrenjsh, në fakt, Kryeministri francez duket se është vlerësuar, duke dalluar se ai ka ndërmarrë disa beteja të guximshme më tej. Sipas tyre, ai është i pari i cili ka folur aq qartë dhe pa asnjë mëdyshje, mbi realitetin e ri jo vetëm të Francës, por dhe të Europës së re që pritet të përballemi të gjithë. Edhe vlerësimi që, gjithashtu, Hollande dha menjëherë pas sulmit në supermarketin në pronësinë e një familje hebreje, duke e quajtur si një sulm antisemit, duket se Rendin e Ri të Botës, po e përfshin një tjetër ritëm antisemitizmi. Por çështja është se kjo deklaratë e tij apo dhe marshimi që bëri bashkë më të fortët e Europës, nuk është ajo që do ta çlirojë ndërgjegjen qytetare europiane pas sulmeve të së premtes së zezë, sepse qeveria e ka për detyrë të mbrojë jo vetëm çdo person hebre apo qoftë dhe çdo institucion të tillë ose jo. Por, ajo që thellë -thellë, ndërgjegjen qytetare të atij brezi që është mësuar të rritet me Simfoninë e 9 të Bethovenit, vazhdon ta shqetësojë është se pas këtyre ngjarjeve ka gjithmonë pak më shumë, për të bërë. Dhe ata (liderët europianë) nuk mund të bëjnë çdo gjë. Madje edhe nëse ata bënë gjithçka ishte e nevojshme, – si kundër-radikalizimi, arsimimi apo dhe të qenët të sigurt se të burgosurit të mos radikalizohen e kështu me radhë, – ka gjithmonë shumë e shumë gjëra përpara sepse duket që Europa po përjeton e gjitha, një problem shumë, e shumë më të thellë.