Ekonomia

Kufizohet importi i cigares, sa të hyjë në fuqi akciza e re

cigaret-1-320x213Vendoset kufiri 15% për shtesën mujore të importit. Gjobat, hiqet dyshemeja 1 milion lekë   

Nga Zamir Alushi

Do të bllokohen importet e tepërta të mallrave të akcizës në periudhën mes dekretimit të ligjit për rritjen e taksës dhe datës së hyrjes së në fuqi. E vendosur të mbledhë akcizën e planifikuar, qeveria ka përgatitur një projektligj që propozon shtrëngimin e masave ligjore për dekurajimin e operatorëve ekonomikë në rritjen e importeve të produkteve të akcizës, nga hyrja në fuqi e një ndryshimi ligjor për rritje ose ulje të niveleve tarifore. Aktualisht, ligji në fuqi, ka të përcaktuar se: “Në rast të iniciativave për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 20 për qind më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës”. Mirëpo, ky përcaktim nuk ka arritur efektin e duhur të parandalimit të rritjes së importeve para hyrjes në fuqi të ligjit që përcakton rritjen e akcizës, për arsye se masa e caktuar në ligj prej 20% është e lartë. Tregtarët e duhanit i bënë një gropë të madhe doganave për muajt e parë të këtij viti, sepse rritën importet gjatë tremujorit të fundit të vitit 2013, përpara hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës së cigareve më 1 janar 2014. Kështu, ata paguan akcizë më të ulët, ndërkohë që shitën me çmim më të lartë te konsumatori. Për këto arsye, propozohet ulja e sasive që u lejohet importuesve, nga 20% në 15% më shumë se mesatarja mujore e vitit pasardhës.

Hiqet dyshemeja për gjobat

Pas 2 vitesh nga zbatimi i ligjit të akcizës nga administrata doganore kanë dalë çështje praktike që kanë sjellë nevojën e rishikimit të masave administrative. Kështu, nenet 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të projektligjit synojnë rregullimin e masave administrative që ushtron administrata doganore në rast të shkeljeve doganore në fushën e akcizës. Në të gjitha këto nene propozohet heqja e minimumit të gjobës, përkatësisht, prej 1 000 000 milionë lekësh ose 200 000 lekësh. Nga administrata doganore, gjatë zbatimit të ligjit, është vënë re se masa e gjobës shpesh nuk është në përputhje me llojin e shkeljes apo të shmangies së kryer nga operatorët e akcizës. Në bazë të nenit 84 “Sanksionet” të ligjit të akcizës, është përcaktuar se penalitetet duhet të jenë efektive dhe proporcionale. Nga zbatimi në praktikë i minimumit ligjor të përcaktuar për shkeljet doganore në masën 1 milion lekë ka rezultuar se këto parime të penaliteteve nuk kanë qenë as efektive dhe as proporcionale. Për shembull, vendosja e një minimumi gjobe në masën 1 milion lekë kur shkelja mund të përbëjë 30 mijë lekë nuk është as efektive dhe as proporcionale. Ndërkaq, heqja e këtij minimumi sjell në të njëjtën linjë këtë ligj me përcaktimet e kodit të ri doganor, të sapomiratuar, që ka hyrë në fuqi pjesërisht në shtator 2014. Kjo masë e lehtëson pozitën e tatimpaguesit, duke bërë të mundur kështu që gjoba të përkojë me shkeljen e konstatuar nga administrata doganore, si dhe në këtë mënyrë të mundësojë unifikimin e sanksioneve midis mallrave të akcizës në import dhe atyre të prodhimit vendas.

Rritja e akcizës

Paketa

Nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë/paketë), akciza bëhet 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë).

I dredhur

Akciza e duhanit të dredhur rritet me 1400 lekë/ kg dhe me 700 lekë/kg për 2 vitet në vijim

cigaretProjektligji

Do të shtohen rreth 5 miliardë lekë në arkën e shtetit

Akciza e cigareve rritet në 110 lekë/paketë, hiqet për bitumin, për biodizelin s’ka më rimbursim

Detaje mbi ndryshimet e akcizës së duhanit, bitumit dhe biokarburanteve. Burime nga Ministria e Financave shpjegojnë se rritja e akcizës së cigareve është pjesë e një pakete që përfshin tre vite rresht. Drafti propozon ngritje të akcizës së cigareve nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë/paketë), që është aktualisht, në 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë), si dhe 6000 lekë/1000 copë (120 lekë/paketë) duke filluar nga 1 janari 2016; 6500 lekë/1000 copë (130 lekë/paketë) duke filluar nga 1 janari 2017. Në linjë me rritjen e akcizës së cigareve propozohet rritja e akcizës së duhanit të dredhur me 1400 lekë/kg deri në fund të vitit 2015 dhe me një rritje prej 700 lekë/kg për 2 vitet në vijim. Efekti në të ardhura është 200 milionë lekë për vitin 2015 dhe 100 milionë lekë për 2 vitet në vijim.

Të ardhurat

Qeveria paraqet si arsye kryesore për rritjen e taksës mbrojtjen e shëndetit dhe uljen e numrit të duhanpirësve, por projektligji ka një faturë që llogaritet të mbushë arkën e shtetit me të paktën 4 miliardë lekë për vitin 2015. Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja dhe 1,7 miliardë lekë nga akciza dhe 300 milionë lekë nga TVSH-ja, në dy vitet në vijim, nga rritja me 10 lekë/paketa. Si bazë për llogaritjen e efekteve është marrë konsumi vjetor prej 3600 tonë cigare.

Akciza e cigares, kërkesë e BE-së

Rritje progresive e akcizës së duhanit, sipas burimeve të Ministrisë së Financave, bëhet edhe për t’u përafruar me nivelin minimal të BE-së. Sipas direktivës së BE-së, niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit të shitjes me pakicë. Nisur nga çmimi mesatar 225 lekë/paketa, niveli aktual i akcizës që ne aplikojmë përbën 40% të çmimit të shitjes me pakicë.

Si reflektohet në çmim

Rritja e akcizës në vendin tonë ka qenë graduale ndër vite. Kështu, nga 40 lekë/paketa u kalua në 50 lekë/paketë (viti 2006) dhe nga 50 lekë/paketa u kalua në 70 lekë/paketë (viti 2010). Ndërkohë, në vitin 2014 u bë rritja e akcizës nga 70 lekë/paketa në 90 lekë/paketa. Si përqindje ndaj çmimit, duke marrë si çmim mesatar në llogaritje 225 lekë/paketa (duke supozuar se rritja e akcizës do të reflektohet në rritje të çmimit të cigareve), në vitin 2015, akciza do të jetë 44.2% e çmimit, në vitin 2016, 46.0%, në vitin 2017 do të jetë 48.0% e çmimit.

Hiqet akciza e asfaltit

Projektligji propozon heqjen e akcizës për bitumin dhe asfaltin natyral, asfaltet dhe gurët asfaltikë.

Me heqjen e akcizës së bitumit synohet përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së dhe plotësohet kërkesa e operatorëve ekonomikë me qëllim uljen e kostove të kësaj industrie dhe zhvillimin e përpunimit. Mbi produktin bitum aktualisht aplikohet si akcizë ashtu edhe rentë minerale. Bitumi dhe asfalti natyral taksohen për përmbajtjen e bitumit, 5 lekë për kg. Për sa i përket rentës minerare për bitumin, në ligjin aktual masa e rentës është 5% e çmimit të shitjes. Sipas të dhënave të Doganave, të ardhurat nga akciza mbi bitumin natyror të importuar dhe të prodhuar në vend për vitin 2011 janë 17,631,400 lekë, për vitin 2012, 396,925 lekë, ndërsa për vitin 2013, 19,200 lekë. Ndërsa të ardhurat nga akciza mbi bitumin e prodhuar në vend, nga data 1 tetor 2012 deri në datën 21 janar 2014, janë 1,35 milionë lekë. Për sa i përket zbatimit të akcizës mbi bitumin dhe asfaltin natyral, vendet e Bashkimit Europian dhe vendet anëtare të EFTA-s nuk zbatojnë akcizë mbi këtë produkt. Po kështu, edhe vendet në rajon si Serbia, Maqedonia dhe Mali i zi nuk zbatojnë akcizë.

Biokarburantet

Drafti propozon shfuqizimin e dispozitës për rimbursimin e akcizës për produktin “Bio” që gjendet në karburantet finale që hidhen për konsum. Në këtë mënyrë, këto produkte favorizoheshin duke mos paguar akcizën. Kjo është në vijim të paketës fiskale 2014, e cila hoqi të gjitha lehtësitë fiskale në sektorin hidrokarbur (të shoqërive naftënxjerrëse). Tashmë, pas një analize të kujdesshme të tërësisë së këtij sektori, propozohet heqja e lehtësisë fiskale edhe në sektorin e biokarburanteve. Ministria e Energjisë dhe Industrisë argumenton se periudha 7-vjeçare e marrjes së kësaj lehtësie ka qenë më se e mjaftueshme në përfundimin e të gjitha investimeve në këtë sektor. Kjo lehtësi fiskale e akorduar nga viti 2008 për stimulimin e biokarburanteve në vend ka qenë më se e mjaftueshme për përfundimin e investimeve në vend. Vetëm për vitin 2013, kjo lehtësi ka qenë në masën 1.2 miliardë lekë akcizë të rimbursuar për biokarburantet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button