Kukan dhe Fleckenstein: Harrojeni BE-në pa reformën në drejtësi
Reforma në drejtësi është kryefjala e sezonit politik 2016, një reformë që është në pritje të kthimit nga Venecia të draftit të ekspertëve, të quajtur në gjuhën e përgjithshme si ekspertë të Qeverisë dhe bashkë me këtë draft janë edhe dy blloqe me vërejtje, një nga LSI dhe tjetra nga PD. Kjo reformë është njëri prej 5 prioriteteve të vendosura për hapjen e negociatave dhe rëndësinë e saj e riktheksuan edhe këtë të enjte në dy intervista të dhëna për Top Story me Sokol Ballën dy përfaqësuesit më të zëshëm të Parlamentit Europian sa i takon rrugës së integrimit të Shqipërisë. Fillimisht ishte eurodeputeti Fleckenstein ai që theksoi rëndësinë e kësaj reforme, e më pas kolegu i tij, Eduard Kukan.
Intervista me Knut Fleckenstein
Zoti Fleckenstein, ju do të vizitoni Shqipërinë së shpejti dhe supozoj se kjo ka lidhje me reformën e drejtësisë?
Është e sigurtë që ka lidhje me të. Kjo është një vizitë e shkurtër. Do të vi së bashku me kolegun Eduard Kukan, për të folur me homologët tanë në Partinë Socialiste dhe atë Demokratike, sigurisht, edhe me zotin Meta, mbi reformën e drejtësisë.
A ka lidhje me shqetësimin tuaj se kjo reformë e nisur si rezultat i ekspertëve, po mbyllet si një marrëveshje e negociuar politikisht?
Varet. Gjithmonë bëhet fjalë për një çështje politike në një reformë të tillë. Por, në fund, e rëndësishme është që të kemi terrenin për një sërë reformash të domosdoshme. Nëse doni të luftoni korrupsionin e krimin e organizuar, nëse doni që në vendin tuaj të ketë një klimë më të mirë për kompanitë, atëherë ju duhet të keni reformën e gjyqësorit. Kjo është pjesa më e rëndësishme dhe unë mendoj se ka një propozim mjaft të mirë. Tashmë duhet të presim për rekomandimet e Komisionit të Venecias, në përfundim të punës së tyre. Më pas, do të ecim hap pas hapi për ta zbatuar atë. Por, së pari duhet të kalojë nga Parlamenti.
Ju thatë se kush është i interesuar për reformën në drejtësi, është i interesuar për të luftuar korrupsionin në gjithë sistemin politik. Por, shfaqen dy pozicione për momentin. Nga njëra anë qeveria, apo Partia Socialiste më mirë, që i qëndron draftit që ju e quani të mirë. Pastaj, një pjesë e koalicionit, partia e Ilir Metës mban një pozicion tjetër. A do të thotë kjo se qëndrimet e tyre janë të ndryshme dhe mbi korrupsionin?
Unë nuk e di.. shpresoj të jetë kështu. Ajo çfarë ngrihet nga dy partitë, apo grupimet politike, është se si të arrihen rezultatet më të mira për ta luftuar këtë (korrupsionin). Ne do të shkojmë atje dhe do të dëgjojmë propozimet e të gjitha palëve. Unë shpresoj që ata të pajtohen sëbashku, brenda një periudhe kohore të arsyeshme, në mënyrë që të nis zbatimi. Unë do t’i rekomandoja Komisionit, që të hap sa më parë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, pasi të miratoheshin ndryshimet e nevojshme në ligj dhe në kushtetutë.
E di që politikanët nuk pëlqejnë pyetjet me “nëse”, por çfarë ndodh nëse kjo reformë ngec, apo dështon?
Nëse dështon, harrojeni anëtarësimin për në Bashkimin Europian gjatë viteve të ardhshme.
Vitet e ardhshme janë 5, 10. .?
Unë nuk mund t’jua them. Do të duhen po aq vite, sa kohë do të marrë zbatimi i saj në vendin tuaj. Pa reformën në drejtësi, është e sigurtë që nuk bëhesh anëtar i BE-së.
Një nga pikat më të nxehta politike është përzgjedhja e anëtarëve për gjykatën e supreme dhe atë kushtetuese. Sipas formatit aktual, ne i zgjedhim ata në parlament, edhe vetëm me 36 deputetë. Drafti, që ju e vlerësoni të mirë, propozon që nga 36, të bëhet me 84. Por, zoti Meta dhe PD thotë se ne duhet ta bëjmë këtë me 93 deputetë, çfarë përbën dhe një prej sugjerimeve tê Komisionit të Venecias me rekomandimet e para. Si mund të arrihet kompromisi mbi këtë, sipas jush? Cili është versioni më i përshtatshëm?
Nuk dua të jem arbitri, tani, për secilin paragraf. Është diçka mbi të cilën duhet të diskutojnë partitë politike në Shqipëri, që të gjejnë zgjidhje, sepse kjo është një çështje e shqiptarëve. Ata nuk duhet të na bëjnë neve një favor, por duhet të punojnë në Parlament për njerëzit e tyre. Unë nuk mund t’ju them tani se kush është numri më i mirë, por nuk mendoj se kjo duhet të jetë arsye për shtyrje të vazhdueshme. Duhet të ketë një zgjidhje të mundshme, së shpejti.
Intervista me eurodeputetin Kukan
Z. Kukan faleminderit që jeni me ne në TCH, e di se jeni mjaft i zënë me agjendën e ngjeshur të Parlamentit Europian, si Siria apo kriza e refugjatëve. Le t’ia nisim pak me ngjarjet e 21 Janarit. Ju keni qenë, pak a shumë i përfshirë. Kanë kaluar 5 vjetë nga ato ngjarje tragjike, kur 4 njerëz u vranë dhe të tjera zhvillime pasuan, ku kryesisht, personat e gjetur fajtor, në të vërtetë deklaroheshin të lirë nga gjykatat – cili është mesazhi për shqipëtarët, në këtë ditë të trishtë?
Para së gjithash, më lejoni t’ju falenderoj që më ftoni në këtë debat. Po. Në ngjarjet e 21 Janarit kam qenë i përfshirë dhe ende jam i përfshirë, sepse besoj me të vërtetë se ne duhet të jemi konsistent dhe se, nëse dikush gjendet fajtor, apo përgjegjës, ai duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Ende marr emaile nga familjarët e atyre viktimave, por të jem i sinqertë, unë nuk e di për çfarë masash të flas, apo presioni, sepse pati një presion të madh ndaj qeverisë së mëparshme, përfshirë dhe nga opozita e atëhershme, që është në qeveri tani, por asgjë s’ka ndryshuar, praktikisht. Prandaj, faleminderit, që ma kujtoni këtë, publikisht. Unë do të mbetem i angazhuar, derisa kjo situatë të zgjidhet, pasi mendoj, se është tepër e rëndësishme për popullin e atij vendi , që të shoh, se ata, që bëjnë gjëra të këqija, mbahen përgjegjës dhe kjo s’ka ndodhur ende.
Kryeministri Rama më ka treguar gjatë një interviste se, nëse nuk do të ishte për ngjarjet e 21 Janarit dhe faktit se personat e kapur fajtor në kamera, liroheshin nga gjykatat, ai nuk do të ishte kaq i vendosur për të shtyrë përpara reformën në drejtësi. Sa qëndron kapja pas reformës në drejtësi, veçanërisht kur sheh pas, se çfarë ndodhi me gjykimet mbi 21 Janarin?
Unë mendoj se reforma në drejtësi është një ushtrim shumë më i gjerë. Ne jemi qënie njerëzore. Ne influencohemi nga ngjarjet, në varësi të gjëndjeve individuale. Por, vlerësoj se reforma në drejtësi është një çështje mjaft komplekse dhe është e domosdoshme të zbatohet tani . E di se kjo është e komplikuar dhe e vështirë. Ka për të qenë kështu, por politikanët tuaj kanë dëshmuar tashmë, se ata mund të gjejnë zgjidhje, edhe për gjëra të ndryshme. Këtu, kam parasysh dekriminalizimin e parlamentit.
Z. Kukan, duket sikur ky draft që tashmë është në duart e Komisionit të Venecias, ka qenë pak a shumë i sponsorizuar dhe mbështetur nga diplomatët europian, ekspertët e BEsë, vetë Komisioni i Venecias, si dhe konstitucionalistët shqipëtarë dhe ekspertët mê të mirë ligjor. Por, me kalimin e ditëve, është rritur presioni politik i partive mbi atë reformë. Tashmë partitë kanë kaluar debatin nga niveli teknik, në atë politik. Të jem i sinqertë, marrëveshjet politike mund të ngjajnë të mira në Bruksel, apo Strasburg, por në Shqipëri kanë rezultuar thuajse të pafrytshme për jetët e përditshme të qytetarëve.
Më lejoni t’ju tregoj se si e shoh unë këtë diskutim, apo proces, që është në dy nivele të ndryshme. Së pari, siç e thatë ju, është niveli i ekspertëve ligjor, i mbështetjes së organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit diplomatik në Tiranë. Pashë se ambasadori amerikan bëri thirrje se kjo ishte çështja mê e rëndësishme, pas rënies së komunizmit, apo ngjashëm, diçka të tillë.
A pajtohesh me të?
Po, pajtohem për këtë. Ne e shohim nga perspektiva europiane, ku kjo është një çështje kaq shumë e rëndësishme, e cila, po të zbatohet me sukses, do të shkaktojë një zhvillim të madh për Shqipërinë në skenën europiane. Kjo do ta ndihmonte shumë vendin, jo vetëm për të marrë një imazh të mirë, por edhe për të nisur negociatat e anëtarësimit. Do të ishte një shembull i mirë për vendet e tjera të rajonit. Do të ndihmonte mjaft në përmirësimin e imazhit të shqipëtarëve jashtë saj. Kjo është faza e parë, apo niveli i parë i bisedës mbi ekspertët dhe profesionistët. Por, ju nuk mund të evitoni tërësisht politizimin e kësaj çështjeje, sepse, kur mbarojnë punë ekspertët, i shkon parlamentit dhe parlamenti është një organ politik dhe ka parti politike. Parlamenti duhet ta votojë e miratojê atë, ndaj duhet të prisni njëlloj politizimi mbi këtë çështje. Kam diçka që dua ta theksoj. Konsesusi është i nevojshëm për këtë, pavarësisht se sa i vështirë mund të jetë për t’u arritur, sepse kjo refomë nuk është për një periudhë aftshkurtër kohore, nuk bëhet vetëm për qeverinë e radhës, por do të jetoni me të dhe duhet të përgatitet në një mënyrë të tillë, që të rezistojë i pandryshuar për 20 a 25 vitet e ardhshme. Pra të ketë njê perspektivë afatgjate dhe për të qenë i tillë, nevojitet përfshirje dhe marrëveshje prej të gjithë aktorëve politikë.
Në të njëjtën kohë, klasa politike ka dy qëndrime kryesore për momentin dhe kjo ndan disi dhe mazhorancën aktuale në pushtet. Në njërën anë, kemi Partinê Demokratike në opozitë, që thotë se nevojitet konsensus dhe duhet të shkojmë nga 3/5 tek 2/3tat e anëtarëve të parlamentit për zgjedhjet në gjykatën e lartë dhe kushtetuese. Përkrah qëndimit të zotit Basha e zotit Berisha, kemi dhe zotin Meta, partnerin e koalicionit, i cili po zhvillohet, zgjerohet e freskohet dhe po deklarohet më pranë demokratëve se sa ndaj partnerit të tij politik. Në krahun tjetër, kemi kryeministrin Edi Rama, që kërkon të shtyjë përpara draftin aktual. Ashtu si dhe ambasadori amerikan Lu, ju thoni se kjo është me rëndësi madhore, që pas rënies së komunizmit, por çfarë ndodh nëse dështon?
Nuk i pëlqej pyetjet me “nëse”, por ..
E di, ju jeni politikanë, por ne jemi gazetarë dhe mundohemi të kuptojmë skenare të ndryshme.
E kuptoj. Kjo nuk mund të dështojë. Nuk mund të dështojë. Zakonisht, ne dëgjojmë në Bruksel, një çështje shumë interesante. “Nuk kemi plan B”. E tha dhe Barroso, ish kreu i Komisionit. “Nuk ka plan B”.Por, shpesh herë në fakt, neve na nevojitej një plan B. Mendoj se ata duhet të kenë përqasje në këtë proces, jo duke punuar mbi një plan B, por ata duhet të shterojnë të gjitha energjitë e tyre për të arritur njê marrëveshje. E nênvizoj sërish, nuk ka vetëm një dimension ndërkombëtar, por kjo do të ndihmonte shumë Shqipërinë. Është njësoj e rëndësishme, nëse ata bien dakord, edhe për mesazhin kryesor që japin ndaj Shqipëtarëve brenda vendit, të cilët, pa dashur ta egzagjeroj, nuk kanë shumê besim në drejtësi. Nëse kjo është e mundur për t’u arritur dhe nëse kjo do të funksionojë në mënyrë të rregulltë, mendoj se do të njê mesazh i madh moral për të rritur besimin qytetar të popullit mbi gjyqtarët, gjykatat e gjithçka me radhë. Në pikpamjen time, egziston ende vendi për gjëra tê mira, nëse kjo zbatohet, pas pajtimit. E përsëris gjithmonë si mesazh kryesor, se Shqipëria ka nevojë për politikanë të përgjegjshëm, të cilët duhet t’u shërbejnë njerëzve, duhet t’i shërbejnë popullit dhekëtu ka një shembull mjaft të mirë, se duke vepruar kështu, politikanët e partive të ndryshme në qeveri, apo në opozitë,përmes arritjes së marrëveshjes, do të tregojnë se janë me të vërtetë në shërbim të njerëzve nê Shqipëri.
u thatë se nuk ka një plan B, apo se nuk duhet të ketë njê plan B për këtë reformë.Atëherë pse planifikoni ta vizitoni Shqipërinë mjaft shpejt me zotin Flakenshtajn, për ta shtyrë këtë përpara? Nëse nuk ka nevojë, përse vini?
Është gjithmonë mirë që, të mos e lësh në harresë, mekanizmin, edhe po funksionoi shumë mirë. I bën mirë, kur i hedh pak vaj. Me zotin Flakenshtajn jemi disi të përfshirë në çështjet e Shqipërisë dhe duam të tregojmê se nuk shkuam në Tiranë veç për një vizitë krishtlindjesh, kur ia dolëm të pajtonim marrëveshjen mes palëve. Prandaj, ne po vijojmë me shtegun tonë dhe mendoj se në të ardhmen,do kemi fatin që të vazhdojmë t’i hedhim mirë një sy, në mënyrë pozitive, Shqipërisë, për të siguruar se gjithçka po shkon mirë.
Meqënëse përmendët vajin, po ju bëj dhe njê pyetje simbolike në fund. Ju do të vini në Shqipëri, për t’i hedhur më shumë vaj makinës së qeverisë, apo më shumë alkol frenave të opozitës?
Ne do të fusim më shumë vaj të mirëfunksionimit në të gjitha institucionet e vendit.