Opinion

Kulti i mjekut nuk ka rënë

Nga Ndue Dedaj

Emri i doktor Frederik Shirokës, mjekut të shquar shkodran, emblemë e mjekësisë shqiptare, kishte mbërritur deri në shkrepat e lartë, jo aq nga gazetat e Tiranës, se sa nga ata që ai kishte shëruar dhe nuk do të shuhej ajo jehonë dhe shumë vite pasi ai të mos ishte më. Aq e vërtetë është kjo sa duke e dëgjuar pandërprerë emrin e tij nëpër biseda, fëmijët e viteve ’70 e dinin të gjallë e jo se ishte shuar ende pa ardhur ata në jetë. Ai vazhdonte të shtegtonte si një legjendë, edhe pse nuk ishte më kohë legjendash. Ylli Xhaxhikën, mbas mbarimit të studimeve të larta për mjekësi në Bashkimin Sovjetik, e priste një karrierë e suksesshme, si kandidat i shkencave ndër të parët, por në vitin 1963 me ekzekutimin politik të të vëllait ushtarak e poet, Trifonit, historia e tij do të ndryshonte fund e krye, i dënuar politikisht dhe doktori e më pas i degdisur në fshatrat e Mirditës. Prishja e biografisë kishte ndaluar tek ai karrierën akademike dhe spitalore, por jo profesionalizmin e lartë, duke u shërbyer njerëzve me plot dije e përkushtim. Nuk e ke takuar nga afër ndonjëherë mjeken Rushen Golemi, kirurgen e mirënjohur të kryeqytetit, por nderimi për të është i hershëm te çdo shqiptar. Ashtu si për Shefqet Ndroqin, emri i të cilit gjithashtu ka shëtitur si një legjendë e gjallë për vite e vite, si kryemjeku shërues i mushkërive, e deri te Arqile Boti “mistik” që nuk na ikën nga kujtesa si një njeri bohem shuar para pak vitesh. Por sa e sa figura të tjera profesorësh të mjekësisë të kalojnë parasysh si në revistë. Secili prej nesh mund të rreshtojë historitë e veta me mjekët, asosh që ata mbase nuk i kanë në shënimet e tyre autobiografike. Brenda mjekut rri zgjuar alarmi, që e ngre atë në këmbë si në një luftë ku numërohen dhe sekondat. Ndaj dhe adhurimi shekullor për mjekët është i përligjur, gjer puthja e dorës së tyre nga njerëzit. Por a ka rënë kulti i mjekut në ditët e sotme? Parë thellë, jo. Vetëm se shpesh nderimin ua japin ata që nuk kanë tagër për “certifikata” mirënjohje, ndërsa institucionet që e kanë për detyrë ndihen pak. Madje zyrtarët nuk përtojnë t’i fusin doktorët dhe në “test” ministror për t’iu kontrolluar njohuritë! Apo, i keni vënë re reklamat? Zakonisht ato lajmërojnë se kjo apo ajo klinikë bën vizita me mjekë amerikanë, gjermanë, rusë, turq etj., duke lënë thuajse në hije mjekët shqiptarë, tashmë të specializuar në universitetet më të njohur perëndimorë, le pastaj të reklamohet me krenari se mjekët tanë bëjnë operacione në spitale të Francës, Vjenës etj. Ne mund të mos kemi politikanë që prodhojnë politikë për t’u marrë shembull nga Perëndimi, por fatmirësisht kemi profesionistë të mjekësisë që lënë gjurmët e tyre atje, në klinika e spitale, e jo vetëm artistë e sportistë, çka dihet.

Mirënjohje pa “certifikatë” për kardiologun

E shembujt e mjekëve me “m” të madhe nuk janë vetëm në Tiranë e qytetet e mëdha. Çdo rreth apo rajon ka disa emra mjekësh që shtegtojnë me kohën dhe brezat. Nga shënimet e mbajtura në vite veçojmë një fletë të shkruar përgjysmë, ku flitet për kardiologun e Mirditës, dr. Zef Prenga. Kishte mësuar për katër vite në shkollën e mesme mjekësore të Vlorës dhe ishte kthyer ndihmësmjek në vendlindje, në ekspeditën gjeologjike Kaçinar (Qafë-Vorrëz), në një shpat mali të pjerrët me lisa të mëdhenj, baraka pupuliti e gjallëri sondistësh. Ishte fillimi i viteve ’70 dhe atij po i vonohej shkolla e lartë, ndaj një dashamir i familjes së tij, kuadër nga ajo zonë në Rrëshen, do të ndërhynte në Komitet, por burokracia do të bënte që kandidati për doktor të përfundonte ushtar për dy vjet!… Pas kësaj Zefi mbaron Fakultetin e Mjekësisë shkëlqyeshëm (diploma e tij është me të gjitha notat dhjeta!) dhe bëhet mjek, kryen specializimin pasuniversitar për kardiologji dhe shfrytëzon literaturë mjekësore në frëngjisht. Për ironi të fatit, njeriu që kishte trokitur në zyrat e pushtetit për shkollimin e tij shpejt do të bëhej një pacient kronik i kardiologut të ri. Në fillimet e tij, mes gjeologëve, Zefi kishte punuar me një mjek të elitës, dr. Mëhill Lleshin (më pas mjek në spitalin e Durrësit), që si një pedagog “pedant” do ta edukonte të merrte përsipër përgjegjësitë e një profesioni delikat në një vend pa traditë mjekësie, për më tepër që te minatorët po shfaqej sëmundja e rëndë e silikozës. Më vonë në spitalin e qytetit do të pasonte mjekun e përmendur, dr. Paulin Shqalshin e kjo për të ishte edhe fat, edhe sfidë. Pjesëmarrës në disa konferenca kombëtare e ndërkombëtare të kardiologjisë, nga Anglia në Algjeri, kardiologu i Mirditës, që ka punuar dhe në Tiranë e Laç, i vlerësuar nga profesorët e fushës si një ndër specialistët më të mirë të zemrës në shkallë vendi, mbetet përherë i njëjti profil mjeku, edhe kur sistemet politike-shoqërore ndërrojnë, pasi ai beson se asgjë s’ka ndryshuar në mjekësi që nga koha e baba Hipokratit. Pacientët tashmë e kanë kuptuar natyrën e doktorit që nuk i ka dhe aq qejf fjalët e tepërta, sidomos gjatë vizitës, por cilësia e ekzaminimit dhe kurimit të tij është ajo çka ai është në të vërtetë. Duke medituar mbi profilin e këtij mjeku “sui gerneris” dhe kolegëve të tij gjithandej nëpër Shqipëri, herët e vonë, na vjen të themi se në punën e mjekëve ka diçka të pashpjegueshme me fjalë, është ai ritmi e pulsimi i brendshëm i njeriut që vetëm ata e ndiejnë, e prekin, e kuptojnë nëse është në parametrat e duhur apo jo, thënë ndryshe, e lexojnë dhe nga sytë të sëmurin. Kjo është e vërteta e tyre pa metaforë. Njësoj enigme që lidhet me natyrën e profesionit, çka mbase ka krijuar dhe kultin e figurës së mjekut. Rastësia na kishte bërë bashkë me doktorin në një ceremoni në Gjegjan, ku kishte dhe shumë njerëz nga Gojani e fshatra të tjerë të zonës. Vura re se e ngjatjetonin të gjithë, dhe pse ata shkonim me Pukën, si të thuash ishin jashtë juridiksionit të tij. Por, dihet, për mjekun e kërkuar nuk ka “juridiksion” apo koordinata gjeografike, pos atyre të humanizmit që nuk njeh caqe. Dhe tani një episod jetësor, nga një ish-pacient, si për ta bërë më të prekshëm profilin e tij. “Kisha shkuar shumë vite më parë për t’u vizituar, por doktor Zefi nuk kishte pranuar as të më vinte stetoskopin, jo më aparatin e EKG-së, po më kishte përcjellë me një humor të këndshëm; si duket nga pamja dhe fjalët e mia e kishte kuptuar se nuk kisha gjë, e shumta, sipas tij, mund të kishte qenë diçka emocionale. Por dhjetë vite më vonë do të ndodhte krejt ndryshe, vijon ish-pacienti rrëfimin. Isha afruar te hyrja e spitalit të Rrëshenit për të takuar një të afërm, që ishte i shtruar aty për ftohje, kur rastësisht hasa doktor Zefin ulur në verandën e njërit nga lokalet aty pranë. Nxitoja paksa, por kardiologu për çudi nuk e kishte ashtu si unë me “nxitim” atë mesditë, madje e kishte marrë shtruar-shtruar si një lojë. Me një takt për t’u pasur zili, më priu te dhoma e tij e vizitave dhe pas fare pak verifikimesh, pa i dhënë ndonjë rëndësi në dukje, më ndaloi që të kthehesha në shtëpi atë ditë dhe disa javë më pas!…” Fjalën e kishim te leximi në fytyrë i sëmundjes së pacientit, dhe atëherë kur ai nuk e di se është buzë greminës. Por nuk do të zgjatemi me detaje kësodore, pasi doktorë të tillë modestë “idhnohen” nga lavdet, aq më tepër që qëllimi ynë nuk është ndonjë portret i kardiologut, qoftë dhe i paautorizuar, ama ia vlen të kujtohemi për njerëzit me bluza të bardha dhe kur jemi mirë me shëndet e jo vetëm kur kemi nevojë për ta. Ndaj mirënjohje për të gjithë mjekët, pa kombësi, nënshtetësi e kufij!

***

Kur bie fjala për mjekët, në këto vite të tranzicionit, e para gjë që nuk ia përtojmë është përfolja e tyre, duke përgjithësuar me pa të drejtë ndonjë dukuri negative, jo se përfitimi material nuk është i pranishëm ndër ta e ndokund i theksuar. Por ia vlen të thuhet pikë së pari ajo që është thelbësore, shërbesa deri në kufijtë e sakrificës e mjekëve, misioni që nuk është zverdhur tek ata, pavarësisht problematikave të shërbimit spitalor. Po forcohen spitalet rajonale, dhe kjo është e mirëpritur, por pa zbehur shërbimin në spitalet e rretheve. Është për t’u çmuar fakti që në këto spitale u krijuan ekipe mjekësh të specializuar në tridhjetë – dyzet vitet e fundit, ku me gjithë rrudhjen e reparteve, është fat që ende mjekë të tillë të zot qëndrojnë në spitalet e vogla. Shumë gjëra kanë ndryshuar, mjekësia në modernizim të shpejtë po aplikon gjer konsultat online të QSUT-së me spitalet rajonale, por kujtesa gjithnjë do të trokasë dhe atje te fillimet e saj, te kirurgu simbol Frederik Shiroka dhe aradha e tij e ndritur, me pararendës një dorë mjekësh themelues të viteve tridhjetë, shkolluar në Itali, Austri, Francë etj., një shëmbëlltyrë ideale të të cilëve e kemi në personazhin e mjekut të ri te romani “Doktor Gjilpëra” i Faik Konicës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button