Kuptim-moskuptimi i precedentit “Dajti”
Nga: KIÇO BLUSHI
Prej disa ditësh po flitet e po kërkohet me këmbëngulje nga ndërkombëtarët një reformë e thellë dhe qenësore në Drejtësi. E theksoj që në krye të herës këtë: “nga ndërkombëtarët”, jo pse nuk është kërkuar dhe ndjerë nevoja e një Drejtësie përsëmbari së brendshmi, nga opinioni ynë publik e mediatik, ngaqë na ka vajtur thika deri në kockë prej padrejtësive që jep Drejtësia, por se, sipas traditës së kahershme, gjërat e rëndësishme e jetike, dmth., gurët e mëdhenj mund të lëvizin ndër ne vetëm po të na vënë nën ultimatum, dmth., po të na i fusin këmbët në një këpucë ndërkombëtarët. Kështu ka qenë e kështu ka mbetur. Gjykatësi filan nuk mund të ndëshkojë gjykatësin fistek, kur ky e shkel ligjin, kur bën korrupsion e jep padrejtësi, si u provua në rastin e Gjin Gjonit. Ashtu si një mjek nuk mund të thotë se kolegu e vdiq pacientin nga pakujdesia apo nga paaftësia, pasi nesër mund t’i vijë radha atij vetë. E pra, kush e kontrollon pushtetin e gjyqësorit? KLD dhe Presidenti i Republikës? Deri tani kjo skemë ka dështuar.
Ndaj foli kancelarja Merkel, ndaj këmbënguli edhe Presidenti i BE-së, Barroso për Drejtësinë e cunguar/munguar/shfytyruar në kët’ far’ feje…! Pas kërkesave të tyre, duket sikur nuk na ka mbetet tjetër zgjidhje, veç të presim të ndodhë mrekullia: të jetojmë edhe ne, më në fund, në/me shtetin e së drejtës. Se, përndryshe, me mirëkuptim e marrëveshje, me arsye dhe pragmatizëm, me politikbërje dhe pluralizëm ne nuk dimë të dalim dot vetë nga këneta. Aq më e pamundur duket që një pushtet i pavarur, si është Drejtësia, të vetëndreqet, dmth., të reformohet nga ata që e kanë deformuar/ korruptuar/ shfytyruar deri më tash.
Ndaj mosbesimi na ka shtyrë në drejtim të kundërt e po na detyron të zhysim njëri-tjetrin thellë e më thellë, nga konflikti në konflikt, gjë që na detyron të biem e të mbetemi në humbellën e padrejtësive, në qorrsokak, në ngërç. Sa herë e kemi provuar këtë gjëmë në përditshmëri, pse jo edhe në histori?
Ngaqë në shoqërinë tonë nuk është dhënë e nuk jepet drejtësi, është bjerrur e shkërmoqur besimi te komuniteti, te bashkëjetesa, te njëri-tjetri, te vendi, te ligjet, te mjedisi, te shteti dhe sidomos te të zgjedhurit, te qeveritarët. Pse jo edhe te sistemi demokratik, përderisa për shkak të mungesës së drejtësisë ka njerëz të dëshpëruar që psherëtijnë me nostalgji: Mos vallë ishim më mirë kur ishim më keq? Përse ne zëmë vend të parë në Ballkan për emigracion? Përse Drejtësia na shtyn për ditë drejt vetëgjyqësisë, si në kohën e Kanunit?
Kjo mendësi është ngulitur nga sundimi tejet i gjatë i vetëgjyqësisë, i padrejtësive që kanë buruar më së tepri nga lart, nga politika, nga krerët, më konkretisht, nga organet e Drejtësisë. Fakt është që Drejtësia nga viti në vit ka ardhur duke u përkequr, pavarësisht se deklaratat, ankesat, skandalet, bëmat dhe akuzat për organet e Drejtësisë kanë qenë të jashtëzakonshme. “Maliqi” ka qenë dhe ka mbetur mik-armiku ynë i domosdoshëm, ai që na jep zgjidhje, ai që na ka hasmosur e tëhuajtësuar jo vetëm me shoqërinë dhe me ligjet që e administrojnë atë, po edhe me veten.
Në këtë klimë padrejtësish e paudhësish nën emrin e “shtetit ligjor” dhe “pavarësisë së pushteteve”, pakkush beson se mund të ndryshojë situata, edhe pse së fundi, pas alarmit të kryeministrit, edhe ministri i Drejtësisë, Naço deklaroi se problemi i mosfunksionimit, më saktë i keqfunksionimit të Drejtësisë, qenkësh KLD-ja. Prej këtij organi kushtetues nga varen gjykatat dhe gjyqtarët, sipas tij, kanë rrjedhur të gjitha zezonat e mbrapshtitë. Dolën të tjerë dhe shtuan: të shkarkohet KLD-ja bashkë me President Nishanin, si kryetar i KLD-së, për të prishur me themel celulën e allishverishit partiak e klanor në Drejtësi. Po a ka qytetar shqiptar që beson se Drejtësia do të përmirësohet përnjëmend po të shkrihet e po të ndërrohet trupa e KLD-së dhe, bashkë me të, të ikë “në drejtim të paditur” edhe i emëruari i Berishës, president Nishani?
Sigurisht jo. Reformë nuk do të thotë ndërrim i ca drejtuesve që nuk janë “tanët”, qoftë edhe duke emëruar disa të rinj në vend të ca të vjetërve. Tepër e vështirë të besohet kjo pandehmë. Fasada mund ta fshehë sëmundjen, por nuk e kuron. Sidomos në Drejtësi nuk janë njerëzit që e kanë deformuar sistemin, sepse kundër padrejtësisë nuk mund të luftojnë ata që e kanë bërë karrierën, emrin dhe pasurinë me allishverishe e padrejtësi. Është ngritur dhe ngjizur sistemi në atë mënyrë që t’i detyrojë gjyqtarët dhe prokurorët të denatyrohen, të korruptohen, të tjetërsohen, të shkatërrojnë me qetësi e vetëdije raportin e së drejtës me të padrejtën, të gënjeshtrës me të vërtetën, të interesit publik me atë vetjak. Mercenarë mund të ketë në ushtri, në polici, në administratë, po kurrsesi në organet e Drejtësisë. Sepse mercenari i organeve të Drejtësisë është më i rrezikshëm dhe më dëmsjellës se një kriminel ordiner; sepse këta vrasin pa iu dridhur qerpiku, besimin tek e nesërmja, te shoqëria, te demokracia. Një shoqëri që e pranon këtë “fat” dhe i nënshtrohet këtij “destini”, herët a vonë është e prirur të shkatërrohet.
Aq larg ka shkuar procesi i dekompozimit të moralit dhe përgjegjësisë para ligjit, sa sot, nëse ka mbetur ndonjë zyrtar i ndershëm dhe idealist në organet e Drejtësisë, ai me siguri do të quhet jo vetëm i paaftë, i leshtë, por i dëmshëm dhe i dyshimtë për kolegët dhe për shefat. Për shumë arsye, jo vetëm të trysnisë së korruptimit, sot është bërë tejet e vështirë të jesh e të mbetesh në këto organe i paanshëm, i drejtë dhe i ndershëm. Pse nuk guxon asnjë prokuror të thërresë publikisht Berishën për të dëshmuar, qoftë edhe për akuzat që ka hedhur ai vetë në publik, si po ndodh së fundi në Francë me Sarkozinë? Jo se nuk duan, jo se nuk janë të bindur, por se kanë frikë.
E pra, a mund të përfytyrohet ndonjë trupë gjyqësore që të guxojë ta dënojë/ndëshkojë atë, qoftë edhe moralisht, si u dënua Berluskoni, me punë korrektuese në azilin e pleqve?! Përkundrazi, atij, edhe kur i kërkohet të dorëzojë gardistët e akuzuar për vrasje, edhe kur e ndëshkon Kuvendi me përjashtim nga seancat, ai nuk druhet të thyejë rregullin dhe ligjet për të provuar e dëshmuar se është i paprekshëm, i ndryshëm jo vetëm nga qytetarët e zakontë, po edhe nga deputetët.
Ky është problemi ynë më madhor: barazia e qytetarëve para ligjit, krijimi i besimit te Drejtësia. Nëse shembulli nuk jepet nga më të fortët, me më të pushtetshmit, me ata që janë në majë të shoqërisë, poshtë, në bazë, në periferi, në turmë, ligjin ka për ta bërë vetëgjyqësia. ***
Prova më e qartë për të pohuar sa më sipër është procesi i Dritan Dajtit. Ky i akuzuar nuk po bën gjë tjetër veçse po ndjek shembujt “juridikë”, më sak: precedentët që kanë dhënë/krijuar/imponuar krerët e lartë të politikës. Dajti e ka vënë mbi dyqind herë gjykatën përballë bllokimit “me procedura”, të njëjtën gjë që patën bërë para tij politikanët e lartë. Ndërkohë ka mbjellë frikë, duke kërcënuar hapur prokurorët dhe gjykatësit. Nëse politikanët këtë gjë e patën bërë me hijen e tyre të rëndë (me të drejtën e tyre ekskluzive të emërimit-shkarkim-ndëshkimit), me sekserë partiakë dhe celular, i akuzuari Dajti meqë nuk i ka këto mundësi, e bën këtë në seancë, hapur, duke kërcënuar me jetë gjykatësit, prokurorët, dëshmitarët dhe avokatët. Brehti ka shkruar një vjershë emblematike në të cilën thotë afërsisht kështu: Edhe para Galileut kishte dijetarë që e dinin se toka vërtitej rrotull diellit, po nuk guxonin ta thoshin se kishin familje, kishin fëmijë…
Prandaj ky proces gjyqësor ka zgjatur pambarimisht. Sigurisht jo vetëm “për procedura”, por më së shumti nga mbjellja e frikës dhe e panikut mbi ata që do të japin drejtësi e, rrjedhimisht, edhe mbi opinionin publik. Ja përse asnjë avokat nuk guxon të përfaqësojë e të mbrojë të pandehurin në fjalë. Prandaj nuk ka dëshmitarë. Në Shqipëri është tejet e vështirë të jesh dëshmitar. Madje e rrezikshme. Të thirresh si dëshmitar, je i detyruar/ i paguar/ shtrënguar të gënjesh, ose për të mbetur minimalisht i ndershëm, të thuash: nuk di gjë, nuk kam parë gjë… Po si mund të ketë dëshmitarë që do të thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe a mund të ketë procese të drejta, kur edhe zyrtarët e Drejtësisë jetojnë me frikë e në pasiguri, më keq se dëshmitarët?!
Ndikimi i terrorit psikologjik i më të fortit mbi organet e Drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe mbi të pambrojturit (dëshmitarët) ka shkuar aq larg, sa qytetarët e ndershëm kanë frikë e pasiguri të denoncojnë në polici keqbërësit e dhunuesit e tyre. Ka pasur raste të pafundme, kur familjarët e njohin vrasësin e të dashurit të tyre dhe kanë frikë të dëshmojnë e të denoncojnë. Ca më keq është situata kur dëshmitarët kërkohen për çështje që nuk kanë lidhje me interesin vetjak, po me atë publik. Nuk ka ndërgjegje qytetare, sepse nuk ka besim tek organet e Drejtësisë si në SHBA, në Zvicër e në çdo vend normal demokratik ku mund t’i telefonohet policisë për krimet dhe për keqbërësit e rrugës, qoftë edhe për një qese të hedhur në rrugë, sepse këtu, tek ne, të gjithë, madje edhe vetë punonjësit e Drejtësisë dyshojnë, jo pa të drejtë, se keqbërësi ka për ta marrë vesh kush e ka kallëzuar e mund të hakmerret. Prandaj interesi publik është jo vetëm i pambrojtur dhe i pagarantuar, po i dënuar me vdekje.
Nën këtë trysni është gjendur edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, që u detyrua të japë një zgjidhje të habitshme: katër dënime të përjetshme për të pandehurin Dajti, gjë kjo tepër e rrallë dhe e padëgjuar. E pra, po të ishte në fuqi dënimi me vdekje, mos vallë i pandehuri do të dënohej me katër pushkatime? Kjo psikozë kolektive e mosbesimit se mund të ndëshkohen më të fortët (nga politika, apo nga bota e krimit, në fakt, a nuk është e njëjta gjë?) më shumë se për drejtësi, dëshmon për frikë dhe panik: “Pse të rrezikoj unë kokën dhe familjen time?” Kërkesa për katër dënime të përjetshme për një të pandehur, tekefundit është si kënga e fëmijës në pyll për të trembur kafshët e egra…
Prandaj pa u çliruar nga frika, nga kërcënimet, nga pasiguria dhe paniku, së pari dëshmitarët dhe veçanërisht zyrtarët që janë të detyruar të japin drejtësi, nuk mund të ketë reformë të suksesshme e të qenësishme. Përndryshe vështirë të shpresohet që edhe tek ne do të krijohet, më në fund, shteti i së drejtës, tek i cili qytetarët të kenë besim, pavarësisht nga bindjet, kultura, përkatësitë partiake dhe ndikimi i liderëve partiakë. Vetëm në një klimë mirëbesimi të ndërsjellë, ku shteti të jetë aleat, garant dhe mbrojtës i palëkundur i qytetarit (që ky ta besojë përnjëmend këtë!) mund të thuhet se demokracia ka nisur të funksionojë përsëmbari edhe tek ne.