Kur çdo kritikë e LSI-së, shihet si krisje me PS-në…
Debati i fundit për përgjimet, është komentuar edhe nga deputeti i LSI-së, Luan Rama.
Ai thotë se nëse ka ndodhur një përgjim i paligjshëm, do të ishte një skandal.
“Unë nuk kam më shumë informacion nga sa cituat ju dhe jam i prirur të pres se çfarë do të rezultojë nga hetimet që po kryen Prokuroria. Personalisht, dua të besoj që të mos jetë e vërtetë, pasi Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese nuk kanë arsye të ndjekin apo zbatojnë praktika antiligjore.
Ndërkaq, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe ata të Policisë së Shtetit janë njerëz me integritet dhe të përgjegjshëm për përgjegjësitë që ushtrojnë e nuk do ta lejonin veten të futeshin në aventura të tilla të rrezikshme e me pasoja jo vetëm për ata vetë. Por nëse realisht gjendet një pajisje e tillë e instaluar dhe e paregjistruar, qoftë edhe vetëm për trajnim siç thuhet, jemi përpara një skandali të madh shtetëror. Prokurori i Përgjithshëm, por unë gjykoj që edhe instrumentet e kontrollit parlamentar duhet të investohen maksimalisht, për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore cilindo person përgjegjës. Për praktikat ligjore të përgjimit dhe pajisjet e përgjimit, ka akte e norma ligjore të përgatitura me shumë seriozitet dhe kujdes maksimal, ndaj çdo devijim prej rrugës ligjore duhet ndëshkuar.
Nuk e di se sa i vërtetë është lajmi që pajisja nuk qenka e Policisë së Shtetit, por e Interforcës, misionit italian që asiston Policinë e Shtetit, por di që Interforca, e cila ka qenë prezente në Shqipëri edhe kur unë drejtoja Ministrinë e Brendshme, nuk vepron jashtë kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë marrëveshjes që normon bashkëpunimin mes saj dhe Policisë së Shtetit. Pastaj, ajo pajisje nuk është një telefon celular apo një çakmak që dikush e ka fshehur në xhep dhe e paska futur pa dijeni në mjediset e Policisë!
Për çdo pajisje që vjen dhe hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë ka norma ligjore të përcaktuara; ku është marrë apo ku është blerë, kush e ka sjellë në Shqipëri, në cilën pikë doganore është futur, në emër të kujt është futur, kush e ka bërë praktikën në doganë e një mori e tërë pyetjesh, të cilat me siguri duhet t’i zgjidhë Prokuroria”, thotë Rama në një intervistë për Panorama.
Është një deklaratë normale politike, por që nga mediat pranë PD-së është konsideruar si një tjetër krisje mes PS-së dhe LSI-së.
Tashmë çdo mendim dhe qendrim ndryshe të dy aleatëve të koalicionit qeveritar, në PD e shohin si një krisje, me shpresën pastaj që të bashkohen me LSI-në.