Kur Qeveria ul biznesin në tavolinë…
Nesër, dy qeveri, ajo e Shqipërië dhe e Kosovës, do të ulen sërish përballë njëra-tjetrës, jo thjesht për të bërë një analizë të hapave që kanë hedhur në një vit të aksionit të tyre politik. Nuk janë bërë publike shumë detaje dhe as vendimet e përbashkëta që do të merren në tavolinën e përbashkët. Por, ka qënë e njohur klima e bashkëpunimit, vizitat e ndërsjellta të zyrtarëve publikë dhe trajtesat e bëra në këto takime.
Mua më duhet të ndalem në një risi, të sjellë në këtë bashkëpunim; atë të uljes së sipërmarrësve në tavolinën e qeverisë, të komunikimit të drejpërdrejtë- jomediatik – të ministrave, të marrëveshjeve dhe memorandumeve të hartuara, të akteve ligjore të iniciuara nga këto takime, që presin, pra, nënshkrimin nesër.
Ku e kam fjalën? A ka çështje të “mprehta” në bashkëpunimin me Kosovën, në shkëmbimet tregtare të ndërsjellta, në “stërkëmbëshat”, që, herë pas here, thuhet se u vihen bizneseve në të dy anët e kufirit nga administratorët publikë? Askush nuk thotë jo!
A ka çështje që, me vullnet të përbashkët, me legjislacionin përkatës, duke e respektuar atë, sipas standardeve të të dy shteteve, mund e duhet të zgjidhen për të krijuar një klimë të shëndoshë biznesi, pa diskretitim e pa njëanshmëri?
Cilat janë problemet tona me Kosovën?
Në një takim të gjatë me sipërmarrësit që ushtrojnë veprimtari të njëkohëshme, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, Ministria e Financave duket se sjell një risi që, përpara se sa të hartojë e të diskutojë çështje që lidhen me marrëveshjet e përbashkëta, apo me “axhustimin” e atyre ekzistuese, të ulet në një debat konstruktiv e të dobishëm me bizneset.
Çfarë iu kërkua sipërmarrjeve në këtë tryezë joformale? Të flisnin hapur: Ku pengoheshin nga administratorët e të dy shteteve në tregtinë ndërkufitare, ku legjislacioni i paunifikuar iu ofronte kosto shtesë në biznes, ku pabarazia në trajtimin doganor linte gjurmë ne kostot e biznesit e të tjera?
Në fakt, problemet janë aty. Sipërmarrja shqiptare flet hapur për shfaqjen e problemit të pabarazisë në trajtimin doganor në pikat e saj të kalimit të kufirit me Kosovën. Kështu, mallrat dhe shërbimet e ofruara nga territori i Republikës së Serbisë trajtohen në mënyrë preferenciale, nuk paguajnë detyrimet e sakta doganore, duke konkurruar padrejtësisht produktet dhe shërbimet shqiptare. Në fushën e materialeve të ricikluara, psh, produktet serbe janë 16-25% më të lira, pikërisht për këtë arsye. Dhe sipërmarrësit shqiptarë e thonë këtë me “gojën plot” dhe janë gati ta faktojnë.
Ka edhe shifra, që e argumentojnë këtë: Në fushën e materialeve ricikluese, për shkak të konkurrencës së pandershme nga ky trajtim doganor (dhe kostot që shoqërojnë produktet), eksportet shqiptare, nga rreth 10 milionë euro të realizuara para dy-tre vitesh, aktualisht janë vetëm rreth 1,5-2 milionë euro. (Kujtojmë që në Shqipëri ushtrojnë këtë veprimtari 10 kompani të plastikës, 1 kompani e përpunimit të letrës, 5 kompani të riciklimit të metaleve me ngjyra. Investimet e tyre shkojnë rreth 100 milionë euro, rreth 30-35 e prodhimit te tyre shkon në Kosovë, por, edhe pse me koston më të ulët në treg, nuk konkurrojnë dot produktet pa doganë që vijnë nga Serbia)
Probleme ka. Të tilla janë ato në pikat e kalimit të kufirit Shqipëri-Kosovë, ku realizohen dy kontrolle doganore, në ndryshim nga Veriu i Kosovës, psh, ku nuk ka kontroll doganor dhe mallrat hyjnë pa doganë.
Një tjetër industri, që në tavolinën e bisedimeve të ministrit të Financave, ka qënë “agresive”, edhe për çështje që nuk lidheshin tërësisht me këtë Ministri, është industria e miellit. Fakt është që kjo industri ka një investim në total prej afër 150 milionë eurosh në Shqipëri, ka investuar miliona edhe në Kosovë, por vijon të mos të jetë konkurruese në Kosovë. Pse? “Nuk ka standarde të unifikuara mes të dy vendeve dhe as të njehsuara me ato të BE-së” – thonë sipërmarësit kryesorë në vend të kësaj industrie. Sikundër kërkohet që të fiksohen njëherë e mirë dhe “të mos luhet” me standardet e produkteve, përqindjen e proteinave në këto produkte etj.
Vërtet, çështje të mprehta që u adresuan në kohën dhe vendin e duhur. Në fushën e ofrimit të shërbimit shëndetësor privat, në Kosovë, kompanitë shqiptare kanë investuar rreth 19 milionë euro. Probleme identifikohen në eksportimin e produkteve shëndetësorë, të cilat duhet të regjistrohen në doganë me një procedurë të rënduar dhe të papërballueshme, ndërkohë që nga Serbia importohen pa doganë (?!)- Kështu thonë investitorët shqiptarë!
Në fushën e tregut të sigurimeve, kompanitë shqiptare kanë investuar rreth 15 milionë euro në Kosovë. Ka diversifikim në trajtimin fiskal të kompanive shqiptare me ato kosovare. Një taksë 7% mbi xhiron nuk është normale! Sikundër policat e sigurimit të automjeteve shqiptare nuk janë të vlefshme për të dy shtetet. Shtatë kompani kosovare nuk paguajnë dëmet për policat e sigurimit të lëshuara në Shqipëri.
E njëjtë është situata edhe në Shqipëri. Propozohet që policat e sigurimit të jenë të vlefshme për të dy shtetet, pavarësisht kush i lëshon ato.
Në fushën e materialeve të ndërtimit dhe të prodhimit të çimentos, problemet kryesore kanë të bëjnë me tarifat në transport (referencat), që janë 400 euro +TVSH. Kësaj kostoje i shtohen edhe kostot e agjencive doganore (2 x 15 euro).
Çdo ditë në Kosovë vetëm nga dy fabrika shqiptare (janë gjithsej 13 të tilla, me një xhiro të deklaruar 70-80 milionë euro)) kalojnë jo më pak se 50-80 kamionë. Kamionët shqiptarë paguajnë taksë për peshën për kamion; nuk lejohet kamion mbi 40 ton, ndërkohë që standardi europian e njeh këtë taksë si taksa peshë/aks.
Në fushën e materialeve të ndërtimit dhe çimentos, më shumë se 50% e përbëjnë eksportet nga Shqipëria. Qeveria e Kosovës dhe dogana e këtij shteti aplikojnë sistemin e tranzitit në terminale, që ka një kosto të konsiderueshme për këtë sektor. Janë tetë terminale, që shtojnë kostot dhe i bëjnë jokonkurruese produktet shqiptare. Importet nga Serbia nuk e përfitojnë këtë procedurë. (Kujtoj se tregu i çimentos në Kosovë, në 50 % të tij, i përket Serbisë).
Në fushën e produkteve ushqimore që eksportohen në Kosovë, të cilat janë origjinuese, pra me origjinë shqiptare, zhdoganimi në pjesën e doganës kosovare zgjat deri në katër ditë, duke dëmtuar produktet. Për këto eksporte kërkohet një dokument që e cilësojnë “çertifikatë shëndetësore”, që nuk ekziston, sepse legjislacioni shqiptar nuk e parashikon. Tranziti i produkteve ushqimore nga Italia, me tranzit Shqipërinë, nuk pranohet nga autoritetet doganore kosovare, në rastin kur këto produkte përdoren njëkohësisht në të dy tregjet, të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Çfarë kërkojnë sipërmarrjet shqiptare?
Sipërmarrjet kërkojnë unifikimin e dokumentacionit të import-eksportit me Kosovën. Propozohet heqja e doganave, mallrat shqiptare të zhdoganohen në pikat hyrëse dhe të ketë vetëm një kontroll për çdo mjet në hyrje dhe në dalje të Pikat e Kalimit të Kufirit. Shqipëria ka propozuar dhe pritet të miratohet së shpejti fillimi menjëherë i punës për realizimin në pikën kufitare të Morinës/Vermicës të Zyrës së Vetme të Përbashkët Doganore.
Me inagurimin e “korridorit të tranzitit të përbashkët” mes Shqipërisë dhe Kosvës, të gjitha tranzitet e çelura në Territorin Doganor Shqiptar do të mbyllen në doganat e destinacionit kosovar, duke evituar kështu ndalesat në kufi për ribërje procedurash, dhe anasjelltas, ato tranzite që hapen në Territorin Doganor të Kosovës, do të mbyllen në doganat e destinacionit shqiptar, njësoj sikur të kishim vetëm një doganë dhe jo dy. Tranzitimi i mallrave është një regjim pezullues doganor që mundëson kalimin e mallrave nga një pikë doganore hyrëse në një zyrë doganore destinacioni, duke pezulluar detyrimet e importit nën mbikqyrjen doganore.
Kjo ka qënë një procedurë që normalisht zgjaste deri në dy ditë, ose dhe më shumë, për shkak të garancive financiare, por nga sot në doganës e Morinës dhe Vërmicës do zgjasë jo më shumë se 5 minuta.
Kjo risi në fushën e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovën shpejton lëvizjen e mallrave, shkurton kohën e qëndrimin të tyre në doganë redukton kostot për biznesin dhe në pikëpamjen doganore e kthen kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi “virtual”.
Shqipëria dhe Kosova kanë dëshmuar vullnet për bashkëpunimin dypalësh. Shqipëria është vendi i parë që ka nënshkruar marrëveshjen për tregtinë e lirë me Kosovën që në vitin 2003, duke eliminuar taksat e dyfishta. Por qeveria e kaluar vetëm e kishte nënshkruar (?!) Ndërsa vetëm këtë vit pritet të vihet në zbatim marrëveshja “Për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal”.
Në muajin mars 2012 është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, i vlerësuar si dokumenti kryesor që do të nxiste bashkëpunimin në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Në tërësi, me Kosovën janë nënshkruar rreth 50 marrëveshje.
Shifrat ekonomikë janë në rritje, por mundësitë janë për një rritje të mëtejshme të tyre. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2014 volumi tregtar i shkëmbimeve me Kosovën ka qenë me një vlerë rreth 177 milionë euro.
Volumi i importeve nga Kosova për vitin 2014 ka qenë me një peshë specifike në masën 3.6% kundrejt totalit te importeve tona. Vërehet ulje e volumit të importeve të realizuar 25.6% më pak krahasuar me vitin 2013. Vlera e mallrave të importuara nga ky vend për vitin 2014 ka qenë 42.6 milionë euro. Në peshë specifike, 1.1% i takojnë vlerës së importeve nga Kosova, kundrejt totalit në vlerë ndaj të gjitha vendeve për këtë vit. Vërehet se për vitin 2014, krahasuar me vitin 2013, ka ulje të vlerës së importeve, me 42 milionë lekë me pak.
Volumi i mallrave të eksportuara drejt Kosovës gjatë vitit 2014 ka zënë një peshë specifike 21.7 % ndaj peshës totale të eksporteve tona drejt të gjitha vendeve. Vërehet një rritje e peshës me 10.7% krahasuar me një vit më parë.
Të tjerë tregues pritet të shënohen edhe pas mbledhjës së nesërme të qeverive të të dy vendeve, ku një numër i konsiderueshëm vendimesh dypalëshe i hapin rrugën e zgjidhjes edhe problemeve të mësipërme. Ja pse, kur ulja në tavolinën e qeverisë të sipërmarrjes korrekte dhe të ndershme bëhet pjesë e angazhimit të përditshëm të administratorëve publikë, nuk mungojnë as idetë dhe as rrugët për realizimin e tyre…
BARDHI SEJDARASI