Kurti: Kosova, ripozicionim në funksion të subjektivitetit e shtetndërtimit
Kosova duhet ripozicionuar në funksion të subjektivitetit e shtetndërtimit, deklaroi lideri Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit sot në zyrat e këtij subjekti politik me liderët e Bllokut Opozitar, LDK-AAK-Nisma.
“Kemi diskutuar për çështjet e zhvillimit të vendit me 17 të këtij muaji sipas vendimit të presidentes, pastaj biseduam edhe për çështjen që lidhen me fazën e dytë të bisedimeve tona mbi atë se çka nuk duhet të bëjë qeveria, dhe ky takim që u zhvillua në Lëvizjen Vetëvendosje kaloi në një atmosferë konstruktive e pozitive. Po vazhdojmë me përafrimin e qëndrimeve tona, me ç’rast u dakorduam që takimet të jenë edhe më të shumta, edhe më të shpeshta, duke përfshirë ekspertë e profesonistë nga subjektet tona, drejt dakordimeve të ardhshme që duhet të ndodhin para se të fillojë mandai i ri i Kuvendit me 17 korrik”, u shpreh Kurti.
Ne, vijoi ai, po i diskutojmë në hollësi çështjet të cilat tashmë janë propozuar sa i përket dialogut.
“Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por gjithsesi jemi kundër dialogut pa parime. Çdo dialog ka kushte, edhe dialogu që e ka zhvilluar Kryeministri në ikje dhe zëvendëskryeministrja në ikje, ka qenë dialog me kushte, por me kushte të Serbisë.
Kosova duhet ta ripozicionojë veten e saj në funksion të subjektivitetit, të shtetndërtimit, të dinjitetit të qytetarëve dhe Republikës së vet. Ka përafrime të mëtutjeshme, por tash ka ardhur koha që t’i diskutojmë hollësitë, dhe prandaj do t’i përfshijmë edhe ekspertë e profesionistë të ndryshëm që do të marrin pjesë në takimet tona të ardhshme”, tha lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas përfundimit të takimit me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe të Nismës, Fatmir Limaj.
Në zhvillimet e deritashme pas zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të 8 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë mbështetje të deklaruar, por të kushtëzuar, koalicionit paszgjedhor të tre subjekteve LDK-AAK-Nisma, të cilat synojnë të tre postet kryesore shtetërore – kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin. Në deklarata, Lëvizja Vetëvendosje e ka lënë të hapur edhe mundësinë që të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës, të koalicionit paszgjedhor