Kushtetuesja i la Kuvendit 34 ditë kohë, Albin Kurti vihet në lëvizje për të zgjidhur ngërçin politik në Kosovë…
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar nisjen e një serie takimesh me liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai bëri të ditur se deri më tani nuk ka pasur kohë për konsultime të brendshme për shkak të një vizite në Paris, por theksoi se ftesat për takime do të dërgohen së shpejti.
“Do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare që të shohim se cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, u shpreh Kurti.
Sipas kreut të qeverisë, për të garantuar një proces të sigurt të zgjedhjes së presidentit, nuk mjafton vetëm shumica minimale. Ai theksoi nevojën për një mbështetje edhe më të gjerë në Kuvend. “Duhet të jemi rreth 85 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvilloj edhe takime”, deklaroi Kurti.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një moment kyç, kur procesi i zgjedhjes së presidentit është futur në një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Më 25 mars, kjo gjykatë vendosi që deputetët kanë edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin e ri, konkretisht deri më 28 prill. Në rast se ky afat nuk respektohet, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.
Kriza institucionale dhe roli i Osmanit
Përpjekjet për dialog mes qeverisë dhe opozitës nuk janë të reja. Takime të tilla ishin paralajmëruar edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit. Madje, Kurti kishte dërguar ftesa për takim edhe gjatë kohës kur çështja ishte në shqyrtim nga Kushtetuesja, por liderët opozitarë refuzuan të ulen në tryezë, duke kërkuar më parë një vendim të qartë nga gjykata.
Kriza institucionale u thellua më tej kur presidentja, Vjosa Osmani, dekretoi shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të votimit. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik, duke rikthyer procesin në pikën e mëparshme dhe duke shtuar paqartësitë politike. Ndërkohë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka deklaruar se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur dhe mund të vijojë sapo të krijohen kushtet për votim.
Sfida e mazhorancës
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk disponon votat e mjaftueshme për të zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces kërkohen të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë nevojiten 61 vota. Partitë opozitare kanë theksuar se barra kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet dhe kanë kërkuar një marrëveshje të mirëfilltë politike për tejkalimin e krizës.
Skenarët e mundshëm
Zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, e cila mbyll mandatin më 5 prill. Vetë Osmani kishte synuar një mandat të dytë, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme politike. Për mazhorancën, ajo nuk kishte votat e duhura, ndërsa për opozitën nuk përfaqësonte unitetin e kërkuar për këtë post. Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje brenda afatit të caktuar, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh, vetëm pak kohë pas përfundimit të atyre të fundit, duke thelluar edhe më tej pasigurinë politike në vend.
Gjykata Kushtetuese “rrëzon” Osmanin
Ndërkohë nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur dje të papranueshme kërkesën e Vjosa Osmanit lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke argumentuar se nuk bëhet fjalë për konflikt kompetencash kushtetuese. Sipas Gjykatës, kompetenca për emërimin e anëtarëve buron nga ligji dhe jo nga Kushtetuta, ndaj nuk plotësohen kushtet për shqyrtim.
“Në vlerësimin e Gjykatës në rrethanat e rastit konkret, presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të saj dhe Kuvendit, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të ‘kompetencave kushtetuese’, si dhe për pasojë, Gjykata shpall kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme”, u tha në vendim.
Pas vendimit, u kërkua që presidentja të përmbyllë sa më shpejt kompletimin e KQZ-së me anëtarin e mbetur, ndërsa çështja kishte lindur pas përplasjeve mes partive për numrin e përfaqësuesve në këtë institucion.
The post Kushtetuesja i la Kuvendit 34 ditë kohë, Albin Kurti vihet në lëvizje për të zgjidhur ngërçin politik në Kosovë… appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.