Kushtetuesja vendos në favor të PDK-së, anulon zgjedhjen e Mustafës kryeparlamentar
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sot mori vendimin për “kontestin” ndërmjet PDK-së dhe LAN-it. Në aktgjykimin e shpallur në faqen zyrtare të saj, Kushtetuesja ka vendosur në favor të PDK-së.
Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses publikuar në webfaqen e vet:
Të enjten, më 21 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe votoi në rastin KO119/14, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 05-V-001, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014.
Kërkesa u parashtrua në Gjykatë, më 18 korrik 2014, nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese vendosi si në vijim:
I. njëzëri, të DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. me shumicë votash, TË KONSTATOJË që:
a. mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstitutive, më 17 korrik 2014, nga Kryesuesja, për shkak të mungesës së kuorumit, kanë shkelur nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene;
b. Vendimi Nr. 05-V-001, i 17 korrikut 2014, është jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit dhe, rrjedhimisht, është i pavlefshëm;
c. Seanca konstituive e Kuvendit, që ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstitutive duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë Aktgjykim.
Teksti i plotë i Aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve, do të postohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën e duhur.