Kuvend- Diskutohet kontrata financiare për Bypassin e Vlorës
Kuvendi diskutoi në seancën plenare të së enjtes kontratën financiare me Bankën Europiane të Investimeve për ndërtimin e Bypassit të Vlorës.
Realizimi i këtij projekti, si nyje lidhëse me korridorin Veri-Jug, sipas deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, është tepër i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë Jugore, zhvillimin industrial, turizmin dhe me impakt në bujqësi për transportin e prodhimeve vendase.
Po ashtu, ndërtimi i projektit, tha ai, do t’i japë fund kaosit që shkaktohet çdo sezon veror nga mungesa e një Bypassi në dalje të Vlorës. Kontrata parashikon financimin prej 18 milionë euro të baypass-it që përmes një rruge panoramike bën devijimin e lëvizjes nga qyteti përgjatë vijës bregdetare. Kontrata me Bankën Europiane të Investimeve është pjesë e bashkëfinancimit të projektit, sëbashku me BERZH-in dhe BE-në përmes fondeve IPA, me vlerë totale financimi prej 53 milionë euro.
Projekti i Bypass-it përfshin rrethrrotullimin në fund të autostradës Levan-Vlorë dhe një rrugë prej 29 kilometrash dhe parashikohet të përfundojë në pranverën e vitit 2017. Fizibiliteti ekonomik i këtij projekti është i lartë në të gjithë skenarët e ekzaminuar (ndryshime të normës së rritjes së trafikut, kostove të ndërtimit, vlerës së kohës, kostove të operimit të automjeteve dhe vlerës së aksidenteve). Si përfitim i identifikuar, që lidhet me projektin, do të jetë avantazhi i dukshëm për shërbimin e emergjencës në këtë rrugë, pasi do të ketë rrugë paralele 1alternative për raste si: aksidente, transporti i lëndëve të rrezikshme etj. Si rezultat i rritjes së numrit të korsive të rrugës, radhët dhe vonesat në trafik gjatë periudhave të mirëmbajtjes periodike do të minimizohen.
Duke vlerësuar projektin, deputeti Toçi theksoi se Vlora është një ndër qytetet që ka përfituar më pak investime në infrastrukturë. Sipas tij, mbi 90 % të rrugëve rurale të Vlorës janë të shkatërruara. Ai siguroi se Vlora do të ketë vëmendjen e duhur të qeverisë së lënë në harresë nga politika 20 vjeçare.