ParlamentarePolitika

Kuvendi mbylli debatin për hetimin e CEZ

Kuvendi mbylli prane mesnates, mes debatesh dhe tensionesh te forta, diskutimin e pr/ligjit “Për lejimin e hetimit ndërkombëtar për akuzat e ngritura për cështjen CEZ.

Në mbyllje të diskutimit ne parim, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), Petrit Vasili konfirmoi qëndrimin e kësaj force politike për një hetim të plotë amerikan, me qëllim një besueshmëri akoma më të madhe në këtë cështje. Vasili tha se pengesat kushtetuese mund të kapërcehen duke propozuar ndërhyrje në Kushtetutë.”Vazhdojmë të kemi një qëndrim konseguent për hetimin e ceshtjes CEZ, por me argumentet e paraqitura nga z. Xhafaj mësuam për pengesat serioze e të pakapërcyeshme kushtetuese që e bëjnë të pamundur një hetim të tillë. Nëse ne të gjithë bashkë duam ta shohim si instrument të rëndësishëm hetimin ndërkombëtar, për këtë qellim duhet dhe një qëndrim i qartë kushtetues. Nëse sinqeriteti politik dhe jo ai demagogjik i prin një procesi të tillë dhe nëse kemi motivimin që e vërteta të shkojë deri në fund ne do i hapim rrugën kësaj duke propozuar ndryshimin e kushtetutës. Në javët që vijnë të ndërmarrim nismat e duhura për të hedhur dritë mbi këtë cështje”, tha kreu i grupit te LSI-se.

Gjiknuri:Marrëveshja me CEZ transparente, e mbikqyrur nga ndërkombëtarët

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri deklaroi të enjten në mbrëmje në parlament se  zgjidhja me mirëkuptim e marrëveshjes me kompaninë CEZ ishte transparente, në të mirë të vendit, e mbikqyrur nga ndërkombëtaret dhe e miratuar nga parlamenti shqiptar.
Pas tensionit që përfshiu sallën e Kuvendit ne oret e mbremjes, ndërsa diskutohej pr/ligji i propozuar nga opozita për lejimin e hetimit ndërkombëtar për cështjen CEZ, ministri Gjiknuri mbrojti marrëveshjen e qeverisë shqiptare, e ratifikuar nga parlamenti në korrik 2014, duke u shprehur se ky akt u mbështet dhe nga Banka Botërore, e cila konstatoi se privatizimi i OSSH-së ishte I nxituar.

“Edhe Banka Botërore e ka thënë se jeni nxituar me procesin e privatizimit megjithatë ju kishit synimet tuaja politike dhe ishit i vendosur dhe gjithë procesi drejtohej nga zyra e ish-Kryeministrit, ndersa një pjesë e protokollit te kesaj është zhdukur”, iu drejtua ministri Gjiknuri ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në ndërhyrjen e tij Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, duke iu drejtuar përfaqësuesve të opozitës tha se në qeverisjen e PD-së kompania CEZ humbi kapitalin dhe doli me kapital zero. Në vlerën prej 286 milion dollarësh ishte në momentin e privatizimit, ajo shkoi në minus 300 milion dollarë. Gjithë ajo pasuri për shqiptarët nga viti 2008, jo vetëm u katandis në zero, por doli me humbje për ta, tha Ahmetaj.

Pr.ligji për hetimin e CEZ, Halimi: Trupe hetuesish ndërkombëtarë; Xhafaj: Shkel Kushtetutën

Deputeti i PD-se Eduard Halimi (ARKIVE)
Nenkryetari i grupit te PD-se, Eduard Halimi

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, duke folur në seancën parlamentare të së enjtes, mbi Projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura
mbi çështjen “CEZ SHPËRNDARJE SH.A” u shpreh se, afera CEZ i ka shkaktuar vendit një dëm të përmasave historike, ndaj duhet të zgjidhet sa më shpejtë.

“Hetimi ndërkombëtar është e vetmja zgjidhje”, ka deklaruar Halimi.
Sipas tij, CEZ nuk zbatoi asnjë nga kushtet e nënshkruara me shtetin shqiptar, ndaj dhe duhet të mbante përgjegjësi për mospërmbushjen e kontratës. “Të kërkohet një ekip prokurorësh të huaj, euro-amerikanë, të cilët të kordinojnë hetimin me Prokurorinë e Përgjithme Shqiptare”, ka shtuar Halimi.

KUVEND
Nga punimet ne Seance

Ky projektligj, vijoi Halimi, ka për objekt përcaktimin e rregullave që garantojnë kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe gjithëpërfshirëse, nga organe ligjzbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për çështjen “CEZ shpërndarje sh.a” me qeverinë shqiptare. “Qëllimi është të sigurojë besueshmëri të plotë tek opinioni publik mbi hetimin e gjithanshëm të fakteve të bëra publike, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës”, tha ai.

“Konkretisht, propozohet që një strukturë e specializuar hetimi që ushtron veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në një vend të Bashkimit Europian, dhe që pranon të caktojë prokurorë të saj në Shqipëri për llogari të hetimit të akuzave të bëra publike për çështjen “CEZ shpërndarje sh.a.”, të ketë mundësi të hetojë mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave private, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “CEZ shpërndarje”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive, si dhe të hetojë mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, sh.a””, tha Halimi.

fatmir-xhafa-kuvend
Deputeti i PS , Fatmir Xhafa

Pas Halimit, e mori fjalën për replikë kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ai tha se projektligji i propozuar nga opozita bie ndesh me nenin 148 të Kushtetutës.

“Projektligji bie ndesh me nenin 148 të Kushtetutës, ku parashikohet që në Shqipëri, Prokuroria shqiptare është i vetmi organ që duhet dhe që mund të ushtrojë hetimin dhe të përfaqësojë akuzën në gjyq. Parashikohet se Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon kompetenca për çështje të caktuara, por vetëm tek organizata ndërkombëtare dhe në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare”, reagoi Xhafaj.

 

Relatori i çështjes, Manja: Prokuroria shqiptare është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale

ulsi-manja
Relatori i çeshtjes Ulsi Manja

Sipas maxhorancës kjo nismë ligjore e kërkuar nga opozita, bie ndesh me Kushtetutën, e cila nuk e ka parashikimin e një hetimi ndërkombëtar, ndërsa legjislacioni shqiptar lejon vetëm bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në fushën e hetimit penal.

Kjo çështje, sipas deputetit socialist, relatori i cështjes, Ulsi Manja, mund të rregullohej vetëm me një parashikim kushtetues dhe rregullim në Kodin e Procedurës Penale, për lejimin e hetimit ndërkombëtar për çështje sensitive specifike.

“Prokuroria shqiptare është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale në Republikën e Shqipërisë, dhe përfaqëson akuzën, bazuar në nenin 148 të Kushtetutës”, tha Manja.

Sipas tij, synimi që të ndërhyhet me një ligj të thjeshtë në një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar del jashtë parashikimeve kushtetuese pasi nuk mundet që me një akt me fuqi të ulët të ndërhyhet në një akt me fuqi më të lartë juridike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button