Laboratori i kokainës, lirohet dhe Fatmir Hoxha, prokuroria: S’ka prova që e implikojnë
Dy ditë pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, prokuroria ka kërkuar lirimin e shtetasit, Fatmir Hoxha 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me pretendimin se nuk ekzistojnë prova që e implikojnë në rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike.
Një ditë më parë u lirua për mungesë provash edhe 27-vjeçari Ergest Dankësi, duke bërë që në pranga të mbeten vetëm 9 prej të arrestuarve.
OPERACIONI I POLICISE
Policia e Shtetit arrestoi dy ditë më parë 11 persona në kuadër të operacionit “Xibraku” në Elbasan, ku u sekuestrua më shumë se 100 kg kokainë. Strukturat e Departamentit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, pas një hetimi disamujor kanë vënë në pranga pjesëtarët e grupit kriminal, të cilët dyshohen se prej kohësh pasi përpunonin kokainën në laborator, e trafikonin atë brenda dhe jashtë vendit. Më konkretisht, në prangat e policisë janë vënë: Saimir Batku, Fatmir Hoxha, Kastriot Imeri, Gentjan Gjonaj, dy vëllezërit Arjan dhe Kelment Dalipi, Ilir Hyseni dhe Ergest Dankësi. Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe dy kolumbianët Cezar Avila dhe Walther Moren Juan Moreno, të cilët ishin ekspertët e përpunimit të kokainës, si edhe nipi i ish-diktatorit komunist, Ermal Hoxha, në të njëjtën kohën edhe bashkëshorti i këngëtares Rezarta Shkurta. Burime pranë policisë shtuan se mbrëmjen e djeshme është shpallur në kërkim edhe 35-vjeçari Genci Xhixha, i cili dyshohet se është pjesë e grupit kriminal. Të njëjtat burime sqarojnë se priten arrestime të tjera, për shkak se pjesë e grupit kriminal kanë qenë edhe persona të tjerë, për të cilët po punohet për të zbuluar rolet e tyre brenda grupit.
ARRESTIMET
- Saimir Sadik Batku, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
- Fatmir Xhemal Hoxha, 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. (I LIRUAR SOT)
- Kastriot Haxhi Imeri, 47 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
- Gentjan Hasan Gjonaj, 43 vjeç, banues në Vlorë.
- Arjan Zeni Dalipi, 50 vjeç, banues në Elbasan.
- Kelment Zeni Dalipi, 45 vjeç, banues në Elbasan.
- Cezar Adolfo Avila, lindur në Tunja Kolumbi, 67 vjeç.
Walther Moren Juan Moreno, 42 vjeç, banues në Bucaramanga, Kolumbi.
- Ilir Skënder Hyseni, 47 vjeç, banues në Tiranë.
- Ermal Ilir Hoxha, 40 vjeç, banues në Tiranë.
- Egest Dankësi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. (I LIRUAR NJE DITE ME PARE)
NË KËRKIM: Genci Xhixha, 35 vjeç
SEKUESTRIMET
- 19 kilogramë e 416.2 gramë lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.
- 77.727 kg e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë.
- 19.8 kg e dyshuar si përzierës i lëndës narkotike kokainë.
- 359.400 Euro.
- 2.769.000 lekë të reja.
- 4150 Dollarë Amerikan.
- Janë sekuestruar pesë copë karta krediti dhe një çek me vlerë
- 4.500 dollarë.
- Një armë zjarri automatik model 56.
- Një armë zjarri revolver me mulli.
- Një armë zjarri e tipit pistoletë me kalibër 9 mm.
- Tri armë gjahu, ‘Shotgan’, çifte dhe një teke.
- 174 fishekë të modeleve dhe kalibrave të ndryshme.
- 50 fishekë luftarake me kalibër 9 mm.
- Katër automjete të tipeve të ndryshme.
- Një makineri vakumi e cilësisë së lartë.
- Një peshore elektronike.
- 25 aparate telefoni celularë.
- Janë sekuestruar pesë ora të markave të ndryshme.
- Janë sekuestruar edhe dy automjete.
- Janë sekuestruar aksesorë për prodhimin dhe paketimin e lëndës narkotike të llojit kokainë, si presa, peshore të llojeve të ndryshme, mikrovala etj.
- Janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave dhe perkursoreve, si dhe përzierës që shërbejnë për prodhimin e substancave narkotike
- Si dhe një sasi e konsiderueshme dokumentesh të ndryshme si mandate arkëtimi, kuponë tatimorë etj.