Lady Gaga: Pas përdhunimit vuaj nga stresi post traumatik
Ka vuajtur nga stresi post-traumatik që prej përdhunimit në moshen 19 vjeçare e deri më tani, nuk ia kishte thënë askujt. Por Lady Gaga ka vendosur të mos heshtë më mbi dhimbjen që ka mbajtur brenda vetes për kaq vjet, e bashkë me të, edhe sëmundjen psikike që pasoi agresionin e pësuar.
“Unë vuaj nga një sëmundje mendore, stresi post-traumatik. Nuk e kam treguar kurrë më parë një gjë të tillë. Mirësia që më treguan mjekët, familjarët, miqtë e mi ishte ajo që më shpëtoi jetën. Meditimi më ndihmon të qetësohem. Duhet të bëj çdo ditë llogaritë me sëmundjen time”, u shpreh Lady Gaga.
Ylli amerikan i popit, sot 30 vjeçe, për ngjarjen që i tronditi jetën foli publikisht vetëm dy vjet më parë. Në intervistën e dhënë Today Show-t e të transmetuar nga NBC, ajo rrëfeu se trauma e ka ndihmuar të kuptojë më mirë të tjerët.
Këtë mesazh u përcolli edhe të rinjve homoseksualë e atyre transgjinore gjatë vizitës në qendrën Ali Forney në New York, për secilin nga të cilët kishte sjellë me vete nga një dhuratë.
“Unë sot ndava me botën sekretet e mia më të fshehta”, – shkruajti më vonë në Twitter -“Sekretet dhe turpi janë ato që të mbajnë të sëmurë”. Këngëtarja shpreson që përmes këtij veprimi të ndihmojë edhe ata persona që nuk kanë arritur ende të çlirohen prej maktheve të tyre më të thella, të cilat mund të luftohen sipas saj vetëm me mendime pozitive.