Teater

Laert Vasili vesh rrobat e Tartufit

“Tartufi”, vepra e njohur e Molierit, më 30 maj, në skenën e Teatrit Kombëtar. Pesë muaj nga premiera e parashikuar,regjisori Erion Kame e ngjit më në fund në skenë, pa Robert Ndrenikën dhe Viktor Zhustin

Regjisori Erion Kame do të ngjisë këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë e njohur të Molierit “Tartufi”. E parashikuar që premierën ta kishte në janar, gati pesë muaj më parë, vepra u kthye në një aventurë të vërtetë për regjisorin. Pas tërheqjes së aktorit të njohur, Robert Ndrenika, për shkak të shëndetit, një tjetër aktor i parashikuar për rolin e Tartufit, Viktor Zhusti, tërhiqet për shkak të një axhende tjetër. Dy emrat e njohur të teatrit janë zëvendësuar në këtë vepër nga dy aktorë të tjerë Laert Vasili, në rolin e Tartufit dhe Ligoraq Riza në rolin e Orogonit. Për regjisorin Kame që është duke u dhënë fund provave, gjithçka është gati për premierën e së shtunës. “Tartufi” është konsideruar si një nga veprat më të rëndësishme të teatrit në këtë sezon, dhe në të janë angazhuar një kast e zgjedhur aktorësh si Rajmonda Bulku, Justina Aliaj, Vasjan Lami, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Gent Deçka, Mehdi Malka, Vangjel Toçe, Niada Saliasi dhe Dasara Xhangolli. Interesante është dhe rikthimi në skenën e teatrit i aktores Justina Aliaj, e cila do të interpretojë zonjën Pernelë, mamanë e Orgonit. Ajo është e bindur që Tartufi është një njeri i mençur dhe i devotshëm dhe pjesa tjetër e familjes duhet të ndjekë udhëzimet e tij. Ajo është e fundit që e kupton hipokrizinë e Tartufit. Rajmonda Bulku do të interpretojë Elmirën, gruan e Orgonit. Një grua besnike gjatë gjithë shfaqjes që i kërkon burrit të saj të vëzhgojë Tartufin, ndërsa ai përpiqet ta joshë atë. Aktorja Olta Daku do jetë në rolin e Dorinës, ndërsa Vasjan Lami do të jetë në rolin e Kleantit. Ai është zëri i moderuar i pjesës, logjika e fortë dhe e hekurt, por në fund, edhe ai do të shfaqet si një lloj Tartufi. Një lloj Tartufi që tashmë, nuk është i lidhur më me fenë, por me politikën. Kjo për ta sjellë sa më afër frymës sonë. Për regjisorin Kame, “Tartufi” është një vepër që i flet një problemi aktual të shoqërisë sot siç është hipokrizia. Në fakt, thelbi i Molierit në këtë vepër është që arsyeja duhet të mbizotërojë mbi pasionin. Hipokrizia e Tartufit na shpaloset në një formë pështjelluese që në fillim të pjesës. Dhe në fakt, ai këtë ndjesi të krijon: ti fillon ta urresh dhe nuk gjen në asnjë skutë të shpirtit pakëz dashuri për të….Megjithatë, regjisori Kame do të sjellë përmes kësaj vepre një pasqyrë të hipokrizisë në të gjithë ekstremitetet e veta, për ta parë më mirë të vërtetën që na rrethon. Në rolin e Tartufit, aktori Laert Vasili ka mbi supe dhe personazhin më të vështirë të pjesës. Në kohën kur shkroi “Tartufin”, Molieri ishte besimtar i krishterë. Dhe kjo vepër i vendosi një damkë të fortë, sepse kisha e konsideroi “të devijuar” dhe dramaturgjinë, kleri e etiketoi si profesion mëkatar. Komedia: “Tartufi”, u ndalua nga kisha për 5 vjet, nga viti 1654 deri më 1659 kur Louix XIV dha lejen për ta shfaqur. Dhe në fakt, me Tartufin, Molieri shkaktoi një nga skandalet më të mëdha të karrierës së tij. Regjisori Erion Kame do të sjellë një “Tartuf” nën konceptin e Molierit, por të veshur me petkun e “tartufëve” të shoqërisë sot. Vepra do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar më 20-31 maj. Një nga elementët interesantë të kësaj komedie do të jetë dhe kostumografia, e cila do të na çojë pas në kohë nën konceptimin e Noset Shijakut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button