“Fundi i Arratisë” në Korçë, 3 të arrestuar
Policia e Korçës ka njoftuar se ka arrestuar dy të arratisurit e burgut të Greqisë si edhe një bashkëpunëtor tjetër të tyre, në kuadër të operacionit “Fundi i Arratisë”.
Personat e mësipërm tentuan të trafikonin lëndë të dyshuar narkotike, armë zjarri dhe municione luftarake drejt shtetit Grek.
Policia ka sekuestruar 3,3 kg kanabis, 3 armë zjarri automatike, 1 pistoletë, si edhe një sasi e konsiderueshme municionesh luftarake.
Personat e arrestuar janë: Lodovik Kola, 42 vjeç, banues në fshatin Bicaj-Pukë, Enkeledi Myrte, 34 vjeç, banues në fshatin Braçanj-Devoll dhe Shpëtim Hidri, 44 vjeç, banues në fshatin Mal Bardhë-Kurbin.
Si rezultat i bashkëpunimit të kryer me autoritetet policore greke, u sigurua informacion në rrugë operative se, dy shtetas shqiptarë, konkretisht Lodovik Kola dhe Enkeledi Myrte, të cilët vuanin dënimin në Burgun e Menemenit në Greqi, për veprat penale të vrasjes dhe trafikimit të narkotikëve, ishin arratisur prej këtij Institucioni më datë 17.05.2016 dhe kishte të dhëna se ndodheshin në Shqipëri.
Efektivat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore Korçë, duke koordinuar veprimet dhe mirëorganizuar punën në kuadër të këtij operacioni, bënë të mundur lokalizimin e shtetasve të lartpërmendur.
Arrestimi i tyre, u bë pasi dje, në aksin rrugor Vishocicë-Braçanj, të rrethit Devoll, shtetasit Lodovik Kola dhe Enkeledi Myrte, u kapën në flagrancë, duke lëvizur me automjetin tip “Renault” me targa AA 122 EH, me pronar si edhe drejtues shtetasin Shpëtim Hidri.