Leskaj: Forcim të auditit të brendshëm në institucione
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj deklaroi të mërkurën se dëmi ekonomik i shkaktuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015 llogaritet 16 miliard lekë, ndërsa gjatë vitit 2014 u konstatua një dëm prej 11 miliard lekësh.
Gjatë prezantimit të raportit të veprimtarisë vjetore për vitin 2014 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Leskaj tha se gjithsej janë kryer 160 auditime, ku shkeljet e disiplinës financiare që nga fillimi i 2014-ës llogariten 20 miliard lekë.
Problem, sipas Leskajt, mbetet mosndëshkueshmëria. Një tjetër çështje që u ngrit nga kreu i KLSH-së, Leskaj është edhe forcimi i auditit të brendshëm në institucione. Ai bëri të ditur gjithashtu se KLSH i ka kërkuar Parlamentit të përcaktohet në Kushtetutë niveli i borxhit.