Letër e hapur socialistëve shqiptarë: Zgjohuni!

Socialistë shqiptarë!
Anëtarë të Partisë Socialiste!
Deputetë dhe mbështetës të kësaj partie!
Zgjohuni!
Në krye të partisë keni një njeri që ju komandon, kërkon bindje pa kushte për çdo gjë, ju fyen me gjuhën dhe sjelljet e tij, ju nëpërkëmb dinjitetin në vend që t’ju respektojë, të konsultohet me ju dhe t’ju udhëheqë.
Në krye të qeverisë, të dalë nga votat e socialistëve, kemi një kryeministër, të cilin një pjesë e madhe e popullit nuk e mbështet dhe nuk e do më, siç dëshmojnë protestat masive të ditëve të fundit. Këto protesta nuk janë fryt i ndonjë lufte hibride nga armiqtë e jashtëm të Shqipërisë, siç përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve kryeministri, por pasojë e dëshpërimit dhe zemërimit të akumuluar nga korrupsioni sistemik, arbitrariteti në vendimmarrje dhe keqqeverisja e tij.
Nuk është Partia Socialiste ajo që populli refuzon, por kryetari i saj dhe kryeministri i vendit, i cili, për trembëdhjetë vite (sot ai është kryeministri më jetëgjatë në detyrë në të gjithë Europën), ka sunduar me arrogancë, duke e trajtuar pushtetin si pronë personale. Në këto 13 vite në Shqipëri është bërë çfarë ka dashur dhe si ka dashur Edi Rama, jo për të përmbushur nevojat e qytetarëve dhe as duke dhënë llogari para tyre apo përfaqësuesve të tyre. Kjo nuk është mënyra se si funksionon një demokraci parlamentare, madje as një monarki kushtetuese. Ky është modeli i një autokracie, i një sulltanati, ku vullneti i një njeriu të vetëm zëvendëson vullnetin e popullit.
Prej vitesh z. Rama përsërit refrenin se ai qëndron në krye të qeverisë falë votave të socialistëve shqiptarë dhe përkrahësve të Partisë Socialiste—votave tuaja dhe votës sime. Por kjo është vetëm alibia e tij për të mos e lëshuar pushtetin, pas të cilit është kapur dhe amoruar njëlloj si Berisha dhe si çdo politikan që e shndërron autoritarizmin në metodë qeverisjeje dhe në mënyrë sundimi.
Mijëra të rinj që i janë bashkuar Partisë Socialiste vitet e fundit dhe dhjetëra mijëra socialistë që kanë votuar për këtë parti e kanë gjetur kryeministrin në krye të saj, pa pasur kurrë mundësinë të zgjedhin mes tij dhe dikujt tjetër. Në fakt, Rama u ka mbyllur çdo hapësirë të tjerëve në atë parti për të konkurruar me të.
Sa i përket alibisë së tij se janë tetëqind mijë votat e “popullit socialist” ato që e mbajnë në postin e kryeministrit, nga i cili thotë se, për shkak të atyre votave, nuk do të largohet kurrë, kjo është, si çdo alibi, një mashtrim i madh. Tetëqind mijë vota shqiptarët i kanë dhënë për Partinë Socialiste, jo për Edi Ramën. Dhe do t’i jepnin edhe nëse në krye të saj do të ishte një tjetër individ—një socialist i mençur dhe i ndershëm, që pushtetin e sheh si shërbim ndaj publikut dhe interesave të vendit, jo si pronë personale.
Nuk jam nihilist dhe nuk mohoj zhvillimet pozitive dhe arritjet e këtyre viteve të fundit. Por, nëse deri më sot keni besuar mitin e stisur nga vetë z. Rama—se vetëm ai mund ta drejtojë dhe zhvillojë këtë vend, se vetëm ai ka fuqinë magjike ta anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian—sot është koha të çliroheni nga ky iluzion dhe të shihni realitetin në sy. Ashtu siç nuk ishte Berisha ai që e futi Shqipërinë në NATO dhe mundësoi lëvizjen e lirë pa viza në Europë, nuk është Rama ai që do ta fusë këtë vend në BE, pavarësisht përpjekjeve të tij për ta shitur këtë si të vërtetë.
Protestat masive të ditëve të fundit krijojnë një dyshim të arsyeshëm se Partia Socialiste, partia më e madhe në vend, mund të mos i ketë të garantuara në zgjedhjet e ardhshme votat që ka marrë deri më sot. Arsyeja është e thjeshtë: kjo parti është identifikuar plotësisht me kryeministrin Rama, largimin e të cilit sot e kërkon një pjesë e madhe e shqiptarëve, mes tyre edhe shumë socialistë.
Që të mos humbasë vokacionin, misionin dhe një pjesë të elektoratit të saj—veçanërisht të rinjtë e gjeneratës Z dhe, shumë shpejt, ata të gjeneratës Alpha—Partia Socialiste, organet drejtuese dhe anëtarët e grupit të saj parlamentar duhet të ndahen nga Rama. Koha është sot, jo nesër, kur të jetë vonë. Deri më sot, ai e ka përdorur PS-në si kalë beteje për të marrë dhe mbajtur pushtetin, por kurrë për të udhëhequr në emër të saj. Ka ardhur koha ta zbrisni nga ai kalë. I keni të gjitha mundësitë, nëse mposhtni frikën dhe thyeni kultin e individit dhe mitin e pazëvendësueshmërisë.
Unë nuk do të doja që, për shkak të kryetarit të saj, Partia Socialiste të pësonte fatin e Partisë Demokratike: të “berishizohej”, të bëhej kashtë e koqe, që masa e gjerë e socialistëve të zhgënjehej edhe më tej dhe figurat kryesore të saj të shndërroheshin në Vokshët dhe Nokat e PS-së—besnikë deri në fund ndaj kryetarit, por të verbër ndaj partisë së tyre.
Ju duhet ta merrni fatin e Partisë Socialiste në duart tuaja. Në duart e Edi Ramës kjo parti mund të mos ketë një fat më të mirë se ai PD-së së Berishës. Kjo do të ishte një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Në emër të Shqipërisë dhe për të mirën e brezit të ri e të demokracisë në këtë vend, mos e lejoni që kjo të ndodhë!
Në fund të fundit, brezi i ri i sotëm dhe brezat e ardhshëm do të na gjykojnë jo vetëm për ato që kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë, por edhe për ato që nuk i bëmë në kohën dhe mënyrën që duhej.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.