Letër europiane
Andrea Stefani
Ndodhem në Shatëru (Chateauroux) një qytet i vogël i Francës me rreth 40 mijë banorë. Ndryshe nga metropolet e mëdha, këtu fama e përbotshme ka pak dishepuj. Mund të veçoj artistin e kinemasë Dëpradjë (Depardieu) që është lindur në këtë qytet në vitin 1948. Kaq. Gjithçka tjetër e Shatërusë mbetet anonime për botën. E megjithatë këtu, ndesh një pafundësi gjërash, të zakonshme si e përditshmja, ndoshta edhe banale, por që për ne, në Shqipëri, mbeten një aspiratë. Asgjë madhështore por një mori rregullash, zakonesh, respektesh e solidaritetesh që në tërësinë e vet, pjellin atë që na mungon dhe nuk po e arrijmë dot, mënyrën europiane të të vepruarit dhe jetuarit.
***
Thonë se, jo rrallë, nuk ka gjë më të thellë se ajo çka duket në sipërfaqe. Prandaj vetëm për mungesë kohe dhe hapësire, do ndalem te më e dukshmja, sipërfaqja e qytetit, rrugët, trafiku, fasada. Shumëçka është e kundërta e qyteteve tona. Mungojnë avujt e pluhurit që padukshëm, si një vrasës i fshehtë, depërton në frymëmarrjet tona. Rrugët, deri edhe rrugicëzat më të vogla, janë të vizuara me një pedantizëm që, edhe pse të bën të nënqeshësh, nuk mund të mos e respektosh. Ka semaforë edhe në rrugë të ngushta që mund t’i kapërcesh edhe me një hap. Një skrupulozitet mikrodetajesh nga lind rregulli. Shenjat e trafikut janë të bardha, edhe pse kuptohet që janë lyer kohë më parë. Duket se kompania që ka fituar tenderin, nuk e ka pasur hilenë të hollojë bojën për të zhvatur ca para publike, si rëndom ndodh në Shqipëri. Edhe vizimet e rrugëve mund të shërbejnë ndonjëherë për të kuptuar se sa e madhe është grykësia e korrupsionit dhe shkalla e kalbjes së shtetit prej tij.
***
Mbetemi në rrugë. Trafiku rrjedh i qetë. Këta kanë ngritur në sistem rregullin. Në kemi ngritur në sistem kaosin. Nuk ndihet fare stresi i trafikut, në fakt xhunglës, tonë. Nuk ekziston as edhe “gara” kafshërore e makinës për t’ia kaluar, s’dihet se pse, makinës. Nuk ka borira nervagërricëse dhe arrogante, as neurozë kolektive dhe “fuck you“(!) që fluturon me tërsëllimë nga vetura në veturë. Mjetet dhe këmbësorët ndjekin rrjedha të ndryshme me pika takimi shumë të rralla. Por dhe aty ku janë të pashmangshme nuk ka konflikt. Infrastruktura, rregulli dhe më në fund, respekti për njeriun zgjidh gjithçka. Nuk ka, për shembull, semaforë që u japin njëherazi të drejtën e kalimit edhe automjeteve në kthesë por edhe kalimtarëve në kryqëzim. Por edhe sikur të kishte, respekti për kalimtarin, njeriun, mbisundon duke shmangur konfliktin. E kap kaq herë veten tek nxitoj ndërsa afron një makinë. Por shqetësimi është fare i kotë. Sepse janë drejtuesit e mjeteve që gjithnjë stopojnë para vizave të bardha dhe presin a të ftojnë të kalosh. Qesh me instinktin tim vetëruajtës. Ia them edhe bashkëshortes. Mos e fshi atë instinkt – më thotë, se mund të jetë e rrezikshme kur të kthehemi në trafikun e egër të Atdheut. Mjerisht, ka të drejtë. Në vendin tonë, drejtuesit e automjeteve, përgjithësisht, nuk ngadalësojnë por ia shkelin gazit kur shohin një njeri duke kapërcyer rrugën. Gazi “në dërrasë” urdhëron: Hapu!
***
Një tjetër befasi nga rruga! Mu në zemër të botës së zhvilluar kapitaliste, përballemi me… “komunizmin”! Bashkia e Shatërusë ka vendosur ta subvencionojë tërësisht transportin publik. Prandaj ai është falas. Një rrjet i përsosur urban kreh krejt qytetin. Autobusët lëvizin në bazë të një orari që, i afishuar nëpër stacione, respektohet si ai i avionëve. Te çdo shofer apo shofere autobusi, gjen një bllok të vogël me orarin e udhëtimeve. Mjafton ta kërkosh. Dhe di gjithçka, nga, me çfarë linje (jeshile, blu, të kuqe, portokalli?) dhe kur mund të shkosh. Pa paguar asgjë. Pa pritje torturuese, pa shtyrje e shtypje të njeriut nga njeriu. Pa faturino që “harrojnë” të japin biletën duke futur një pjesë të parave të shtetit në xhep. Pa luftë politike tragjikomike mes Bashkisë dhe Qeverisë për çmimin e biletës së autobusit apo lejet e udhëtimit për invalidët.
***
Ka vetura e makina sa të duash, por jo diktaturë të tyre. Në çdo drejtim që të shkosh nuk gjen rrugë pa trotuare si në Tiranë. Nuk ka as rrugë pa një korsi, të paktën njëmetërshe, të dedikuar për biçikletat. Nuk ka as trotuare pa vendet e posaçme që lehtësojnë kalimin e invalidëve apo të karrocave të bebeve. Gjithçka e menduar dhe e ndërtuar në dobi të njeriut, kushdo qoftë ai.
***
Kudo në Shatëru mbretëron një pastërti që për ne mbetet e paarritshme. Nuk ka togje plehrash që dekompozohen përditë me radhë si plagë të hapura nëpër qytet. Në vende të posaçme sheh kosha plastikë mbeturinash që nuk janë të shtrembër dhe nuk qelben më keq se plehrat që mbajnë. Duket sikur një dorë e padukshme rregullon gjithçka. Por pastaj kupton se gishtat e kësaj dore janë vetë qytetarët që bashkëpunojnë me shërbimet e pushtetit lokal. Sipas një grafiku banorët nxjerrin, në ditë të caktuara, qeset e mbeturinave në pragjet e shtëpive të tyre që mblidhen më pas nga punonjësit e pastrimit të bashkisë.
***
Përjashtuar qendrën, ku shquan ndonjë ndërtesë deri 6-7 kate, qyteti është me shtëpi dy-trekatëshe të vendosura në një rregull të përsosur. Të lyera, të pastra si në një maket. Bashkia bën punën e vet por edhe banorët duket se bëjnë të tyren. As bëhet fjalë për kapakë pusetash të vjedhura dhe gropa a vrima ku mund të thyesh këmbën apo qafën. Nuk bëhet fjalë as për ndërtime, me ose pa leje, që i marrin frymën njëri-tjetrit. Ngado hapësira të gjelbra të përkujdesura. Atyre ju shtohet edhe një park i madh. Belil (BelleIsle) i thonë. Ka aty edhe një liqen. Doja ta krahasoja me Liqenin tonë Artificial. Por nuk mundem. Jo vetëm pse është shumë më i madh, edhe pse Shatëruja është ku më pak e populluar se Tirana. Por, edhe pse nuk është i pisët, as gjysmë i tharë dhe as i rrethuar nga turma pallatesh të shëmtuar që duken si hordhi që do ta mësyjnë nga çasti në çast nga kurora e kodrave ku sapo kanë larë hesapet me gjelbërimin. Nuk sheh në Belil as lokale e kafenera që janë kolona e pestë antigjelbërim. Parku është i mirëmbajtur në çdo shteg, urë apo petal të luleve shumëngjyrëshe. Një bukuri e qetë, e gjelbër, e gjerë dhe e hapur për të gjithë. Për “proletarë” e “kapitalistë”.