Nga NEVRUS NAZARKO

I dashur z. Trump,

Sipas deklarates tende ne lidhje me afatin te fundit per cilivizimin, ne nje grup ish-banoresh te tokes, tani pertej portave te gjalleses (apo Shen Pjetrit si do thoje ti), po të shkruajmë nga kjo ane anë ku nuk ka më fushata, nuk ka më mitingje, nuk ka më flamuj që valëviten mbi turmat e trembura, dhe as kamera që ushqejne etje për spektakël. Po të shkruajmë nga bota e përtejme nga heshtja që mbetet pasi njerëzit kanë dëgjuar mjaftueshëm histeri, kanë parë mjaftueshëm zjarr dhe kanë paguar çmimin e marrëzisë së atyre që e ngatërruan pushtetin me pavdekësinë.
Tani që të gjithë kemi vdekur, mund te bejme pyetjen nese e deshe ndonjeherë qytetërimin apo deshe rolin e njeriut që luante me fatin e tij. Nuk të mjaftonte të ishe president, doje të ishe profet i katastrofës, regjisori i ankthit, zëri që kërcënonte fundin dhe pastaj kërkonte duartrokitje për guximin e vet. Me veprimet e koheve te fundit e ktheve frikën në gjuhë politike, panikun në strategji, dhe papergjegjshmerine e tejskajshme në stil qeverisjeje.
Nga këtu ku jemi, nuk ka më republikanë e demokratë, as të majtë e të djathtë. Ka vetëm një të vërtetë të zhveshur, njerëzimi nuk rrënohet vetëm nga bombat, por edhe nga burrat që flasin për apokalipsin me vetëkënaqësi, sikur historia të ishte një kazino dhe jeta e njerëzve thjesht zari mbi tavolinë. Ti nuk e solle vetëm rrezikun; duket sikur normalizove marrëzinë. Dhe ky është mëkati më i madh i liderëve te papergjegjshem, ata e bëjnë çmendurinë të duket si vendosmëri, brutalitetin si forcë, dhe histerinë si patriotizëm.
Ne, të vdekurit, nuk kemi më frikë. Frika tani u përket të gjallëve (ne se ka mbetur te tille) atyre që ende dëgjojnë zërin tënd dhe ngatërrojnë britmën me lidershipin. Prandaj kjo letër nuk është për ty aq sa është kundër teje. Është një dëshmi se qytetërimet nuk bien vetëm kur sulmohen nga jashtë, por kur nga brenda ngrihen figura që ushqehen me kaos, që e duan botën në ankth, sepse vetëm në ankth ndihen të mëdhenj.
Në fund, edhe ti do të mbërrish këtu, ku titujt nuk vlejnë, ku pasuria nuk flet, ku propaganda nuk të shpëton dhe ku njeriu mbetet vetëm me peshën morale të asaj që ka lëshuar mbi të tjerët. Atëherë nuk do të të gjykojnë kundërshtarët e tu por heshtja e miliona jetëve të këputura nga njerëz që menduan se historia ishte skena e tyre private.
Deri atëherë, ne po të lëmë këtë mesazh nga bota që mbetet pasi histeria fiton: fundi i qytetërimit nuk fillon me një shpërthim por me një njeri që e do shumë veten dhe më pak njerëzimin.
Nga bota e përtejme, ata që paguan çmimin e histerisë.
Shenim:
Kjo “letër” ështe hipotetike, pasi ne fund te fundit gjithmone ka shprese se mendjet e kthjelleta dhe kokat e mencura do te prevalojne!